Udhëtimin e tij të tretë në Lindjen e Mesme që prej shpërthimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken e shfrytëzoi veç të tjerash për t`u takuar me liderë të vendeve arabe fqinje të Izraelit.
Qëllimi i takimit ishin diskutimet mbi të ardhmen e Gazës, në kohën kur shteti hebre rinisi sulmet ajrore në enklavë pas përfundimit të armëpushimit shtatëditor me grupin militant që e kontrollon këtë territor prej 16 vjetësh.
Të paktën 178 palestinezë u vranë dhe 589 u plagosën nga bombardimet të premten, njoftoi ministria e shëndetësisë e Gazës. Blinken u takua me homologët e tij nga Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Jordania dhe Bahreini, së bashku me përfaqësues të Autoritetit Palestinez, në kuadrin e konferencës së klimës COP28 të OKB-së në Dubai.
E gjithë vëmendja e bisedimeve me ministrat e jashtëm arabë u përqendrua tek lufta Izrael-Hamas dhe si të dërgohen më shumë ndihma humanitare në Rripin e Gazës, pohoi Blinken për gazetarët përpara se të hipte në avionin e kthimit për në Uashington. Ai tha se folën gjithashtu për “çfarë ndodh të nesërmen (e luftës) në Gaza dhe se si ne mund të shkojmë në rrugën drejt një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe të sigurt për izraelitët dhe palestinezët, në fakt për të gjithë në rajon”.
Ushtria izraelite tha se forcat tokësore, ajrore dhe detare goditën mbi 200 objektiva terrori, siç i quajti, që nga momenti i përfundimit të armëpushimit. Më ashpër u bombardua Khan Younis në Gazën jugore, duke i shtyrë banorët të largoheshin drejt zonave perëndimore. “Ferri mbi tokë është rikthyer në Gazë”, tha Jen Laerke, zëdhënës i zyrës humanitare të OKB-së në Gjenevë. Izraeli u ka paraqitur disa prej vendeve fqinje planet për të krijuar një zonë të çmilitarizuar në anën palestineze të kufirit të Gazës me Izraelin me qëllimin të shmangen sulmet e ardhshme pas përfundimit të luftës. Ophir Falk, këshilltar për politikën e jashtme i Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se qeveria izraelite ka një plan me tre faza për Gazën e pasluftës: shkatërrimin e Hamasit, çmilitarizimin e Gazës dhe çradikalizimin e këtij territori.
“Një zonë e ndërmjetme mund të jetë pjesë e procesit të çmilitarizimit”, tha pohoi ai. Vendet arabe e konsiderojnë të pamundur objektivin e Izraelit për të shkatërruar Hamasin, një grup i konsideruar terrorist nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ai është më shumë se thjesht një forcë militante që mund të mposhtet.