Banka e Shqipërisë bën të ditur se, se fokus i punës së saj gjatë vitit 2023 ka qenë ofrimi i sistemeve moderne dhe eficiente për kryerjen e pagesave duke plotësuar kështu kërkesat e ekonomisë për para fizike dhe forcuar besimin në sistemin monetar e financiar.
Sipas BSH-së, viti 2023 përkon me finalizimin e Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023). Në këtë kuadër, arritje janë shënuar në drejtim të realizimit të masave të fundit të mbetura në planin e veprimit, të cilat lidhen me miratimin dhe zbatimin e ligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Ky ligj tashmë është një realitet dhe pritet të ndikojë në zgjerimin e mëtejshëm të përfshirjes financiare dhe përdorimit të pagesave elektronike.
Në këtë kuadër, përfshirja financiare e popullatës madhore është rritur me ritme të kënaqshme, duke arritur pothuajse 70% dhe pagesat për frymë të popullsisë madhore rezultuan 20 për vitin 2023, nga 17 një vit më parë. Banka e Shqipërisë konstaton se, masat e marra në kuadër të modernizimit të sistemeve të pagesave kanë pasur një impakt real në ekonomi. Referuar statistikave, transaksionet ndërbankare në euro për klientë brenda vendit janë rritur rreth 42% në 11 muajt e parë të vitit 2023 dhe, sipas vlerësimeve të përafërta, i janë kursyer ekonomisë shqiptare të paktën rreth 22 milionë euro.
Nga ana tjetër, puna e iniciuar nga Banka e Shqipërisë për anëtarësimin e përshpejtuar në SEPA (Single Euro Payment Area), në kuadër të projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor” dhe e promovuar më tej tek Plani i ri i rritjes së Ballkanit Perëndimor, vlerësohet të sjellë një sërë përfitimesh për një gamë sektorësh strategjikë të ekonomisë shqiptare, siç janë eksportet, turizmi, investimet e huaja. Për më tej, gjatë këtij viti është punuar edhe në kuadër të zhvillimeve të tjera infrastrukturore siç është përditësimi i sistemeve të pagesave dhe mundësia e krijimit të sistemit “instant payment”.