Kur hëna e madhe dhe e rrumbullakët shfaqet mbi Amazonë, delfinët dalin nga lumi dhe shndërrohen në djem të pashëm. Kjo legjendë është përcjellë me shekuj në fshatrat pranë shtratit të lumit më të madh në botë. Ajo është më e njohura nga shumë legjendat e treguara për delfinin e lumit rozë.
Larg legjendës, por edhe realitetit të zakonshëm, delfinët e Amazonës sa vijnë e pakësohen në numër. Të paktën 154 prej tyre kanë ndërruar jetë përgjatë pjesës së dytë të shtatorit në liqenin Tefe.
Para se të japin shpirt, ata notojnë duke ndjekur një trajektore rrethore. Në atë moment e kanë humbur tërësisht aftësinë për t’u zhytur dhe për t’u orientuar.
Liqeni ka qenë gjithmonë parajsë për delfinët e lumit. I ushqyer nga Rio Solimões – i cili bashkohet me Rio Negro rreth 500 kilometra më në lindje për të formuar lumin Amazonë – liqeni Tefe është plot me peshq. Por nga një çerdhe për delfinët, ai është shndërruar në grackë.
Mes shumë hipotezave për arsyen që i vret delfinët, studiuesit kanë arritur të identifikojnë një të vetme: Delfinët janë viktimë e ndryshimit të klimës.
Prej muajsh, rajoni i Amazonës po vuan pasojat e një thatësire ekstreme. Niveli i ujit në lumenj dhe liqene është më i ulët se kurrë, dhe shumë prej tyre janë tharë plotësisht. Vapa e pazakontë ka çuar njëkohësisht në një rritje të shpejtë të temperaturave të ujit. Temperatura e zakonshme në liqenin Tefé është normalisht midis 26 dhe 32 gradë Celsius, por në fund të shtatorit, ajo arriti në 40 gradë (104 gradë Fahrenheit).
Por delfinët e këtyre ujërave mund të përballojnë temperatura deri në 38 gradë.
Ndryshe nga njerëzit, delfinët nuk janë në gjendje të rregullojnë temperaturën e trupit të tyre përmes djersitjes. Ata ndërruan jetë nga mbinxehja.
Trupat e delfinëve në bregun e liqenit kanë alarmuar shkencëtarët në mbarë botën. Me feçkat e tyre me majë dhe qafën e gjatë e fleksibël, delfinët e lumenjve rozë janë përshtatur në mënyrë të përkryer me ekosistemin e pyjeve tropikale.
Por ajo për të cilën nuk janë të përgatitur janë ndryshimet që ka pësuar klima.
A shënon kjo pikën e frikshme të kthimit, momenti kur pyjet e Amazonës nuk mund të shpëtohen nga shndërrimi i ngadalshëm në një savanë?
A është fillimi i një zhdukjeje masive të bimëve dhe kafshëve? Një fenomen i tillë është raportuar edhe në trupa të tjerë ujorë në rajonin e Amazonës.
Luciana Gatti, shkencëtare në Institutin Kombëtar të Brazilit për Kërkimet Hapësinore, i cili është një nga institutet më të mira të kërkimit klimatik të Amerikës së Jugut, beson se kolapsi ende mund të pengohet. “Por ne po i afrohemi gjithnjë e më shpejt pikës në të cilën procesi do të jetë i pakthyeshëm.”
Janë tre faktorët që kanë çuar në thatësirën e pazakontë në pyjet e shiut. Sipërfaqja e Oqeanit Paqësor në brigjet perëndimore të Amerikës së Jugut është ngrohur veçanërisht shumë këtë vit. Ky fenomen i motit që përsëritet rregullisht, i njohur si El Niño, çon në më shumë shira dhe përmbytje të mundshme në pjesën jugore të kontinentit, por prodhon nxehtësi dhe thatësi në veri. Në të njëjtën kohë, sipërfaqja e Atlantikut të Veriut është ngrohur jashtëzakonisht shumë. Kjo do të thotë se masa të ngrohta ajri janë shtyrë në rajonin e Amazonës nga të dy drejtimet.
Por efekti më i madh vjen nga prerjet e pyjeve. Avullimi ka rënë për shkak se mbulesa pyjore është zvogëluar. Në pjesën jugore dhe juglindore të rajonit të Amazonës, ku fermerët kanë qenë veçanërisht agresivë në aktivitetet e tyre të pastrimit, rreth 30 për qind e pyllit origjinal është shkatërruar që nga vitet 1970.
Në një artikull për revistën shkencore Nature u arrit në përfundimin se pjesë të rajonit të Amazonës tani lëshojnë më shumë CO2 sesa thithin. Kjo do të thotë se një nga kontributet më të rëndësishme të pyjeve tropikale në klimën globale është shkatërruar. “Natyra është në kaos të plotë,” thotë Gatti.
Shkatërrimi i pyjeve tropikale vjen si pasojë e lulëzimit të industrisë bujqësore të Brazilit. Prerja e paligjshme e pyejeve nuk u ndëshkua gjatë presidencës katërvjeçare të populistit të djathtë Jair Bolsonaro. Me presidencën e Luiz Inácio Lula da Silva, planet janë për ndaljen e prerjeve tërësisht deri në vitin 2030. Por kjo është e një rrugë aspak e lehtë, pasi lobi bujqësor dominon Kongresin në Brazil.
Për më tepër, shkatërrimi i mjedisit po ndodh tani në zona të Amazonës që dikur konsideroheshin të shenjta – siç është shteti gjigant i Amazonas, ku ndodhet liqeni Tefé. Për shkak se ndërtimi i rrugëve në rajon pengohet nga lumenjtë e shumtë që kalojnë nëpër të, shumica e fshatrave janë të aksesueshëm vetëm me anije ose aeroplan. Por kjo mund të ndryshojë së shpejti. Lobistët e industrisë bujqësore janë bashkuar me politikanët vendas për t’i kërkuar qeverisë të ndërtojë një rrugë nga kryeqyteti i shtetit Manaus në Porto Velho, 900 kilometra larg. Kjo do të krijonte një lidhje tokësore midis metropolit të Manaus, me 2 milionë banorët e tij, dhe rajoneve të zhvilluara bujqësore në jug – dhe ka të ngjarë të tërheqë dhjetëra mijëra njerëz në kërkim të kullotave dhe tokës bujqësore në pyllin që dikur ishte i paprekur.
Banorët në Tefé, një qytet me 60 000 të tillë, thonë se liqeni është tkurrur aq shumë sa mund të kalohet në disa pika në këmbë ose me makinë.
Por ajo që mban gjallë shpresën se normaliteti mund të rikthehet është se niveli i ujit ka filluar të rritet sërish në kufirin kolumbian, 500 kilometra mbi lumin. Edhe pse pothuajse nuk ka rënë fare shi, temperaturat në liqenin Tefé kanë rënë në javët e fundit në mes 32 dhe 37 gradë Celsius për shkak të reve. Por ekuilibri është tepër i brishtë. Mjaftojnë vetëm tre ditë radhazi me diell për ta çuar temperaturën në 40 gradë, që do të vriste më shumë delfinë. (Respublica)