Rregullorja e re e Kuvendit të Shqipërisë hyri dje në fuqi, pasi ndryshimet u botuan në Fletoren Zyrtare. Këto ndryshime u miratuan në seancën plenare të datës 14 dhjetor, sipas së cilës një deputet, ose një grup deputetësh do ta kenë thuajse të pamundur që të bllokojnë zhvillimin normal të punës së Kuvendit apo të komisioneve parlamentare.

Deputetët apo grupi i deputetëve, të cilët kryejnë akte dhune dhe vënë në rrezik jetën e parlamentarëve apo ushtrojnë dhunë ndaj punonjësve të Gardës, ndezin mjete piroteknike, apo hedhin tymuese në Kuvend do të përjashtohen deri në 60 ditë nga seancat parlamentare apo nga komisionet parlamentare. Por çfarë parashikojnë ndryshimet.

Në nenin 1 thuhet: Në nenin a/5, “Mbledhjet në rastet e masave të jashtëzakonshme”, bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i nenit bëhet “Mbledhjet në distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik”.

2. Në paragrafin e parë pas fjalëve “fatkeqësive natyrore” shtohen fjalët “si dhe në çdo rast tjetër të pamundësisë së zhvillimit fizik të mbledhjeve”, si dhe në fund të fjalisë shtohen fjalët “dhe/ose në mënyrë të kombinuar të prezencës fizike dhe mjeteve të komunikimit elektronik”.

3. Në fund të paragrafit të katërt shtohet fjalia me këtë përmbajtje: “Gjithashtu, zhvillimi i mbledhjes së komisioneve parlamentare në distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik ose në mënyrë të kombinuar mund të vendoset edhe nga kryesia e komisionit”. Në nenin 63 në pikën 1 shkronja “d” riformulohet si më poshtë: “d) përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë”.

Në nenin 65 pika 2 riformulohet si më poshtë: “2. Në rast se deputeti nuk pranon të dalë nga salla ose përpiqet të hyjë në sallën e seancës plenare/mbledhjes së komisionit, drejtuesi i seancës plenare/komisionit i kërkon Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën marrjen e masës disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë”.

Sipas nenit 65/1 bëhen ndryshimet e mëposhtme: “1. Titulli i nenit riformulohet “Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë””. 2. Pas pikës 5 shtohen pikat 6, 7, 8 dhe 9 me këtë përmbajtje: “6. Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ ose në seancë plenare deri në 30 ditë” jepet në rastet:

a) kur deputeti përdor dhunë ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave, të Gardës së Republikës ose punonjësve të medieve.

b) Kur deputeti përmes veprimeve të qëllimshme dëmton pajisjet dhe orenditë ose heq funksionalitetin e tyre logjistik në sallën e seancave/mbledhjes.

c) Kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni. 7.

Masadisiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 60 ditë” jepet në rastet:

a)kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojëra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit /brenda mjediseve të Kuvendit;

b) kur deputeti kryen veprime/ sjellje që dyshohet se përmbajnë elemente të veprës penale, të parashikuara në Kodin Penal.

c) Kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6.

8. Kërkesa për marrjen e masës disiplinore, sipas pikave 6 dhe 7 të këtij neni, paraqitet me shkrim nga jo më pak se 7 deputetë dhe jo më vonë se 48 orë nga dita e konstatimit të ngjarjeve/rasteve.

9. Gjatë periudhës së zbatimit të masës disiplinore të parashikuar në pikat 6 the 7 të këtij neni deputeti ndalohet të kryejë dhe çdo veprimtari tjetër si anëtar i Kuvendit”. Kurse në nenin 65/2 pikat 1 dhe 5 riformulohen si më poshtë: 1. Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë” jepet nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën.