Nga Mero Baze/
Protesta e së hënës, Sali Berishës nuk i duhet as për të bllokuar Kuvendin, as për të rrëzuar qeverinë. Jo se nuk dëshiron ta bëjë atë, por e di që nuk e bën dot.
Nëse e shikon mënyrën se si ai lajmëron protestën e së hënës, e kupton qartë se është një thirrje për protestë që ka lënë dhe një derë hapur nëse nuk ndodh siç do ai.
Pra në një farë mënyre është një protestë që kërkon të testojë nëse ka ende njerëz me vete në opozitë apo jo.
Deri tani është përpjekur të fshihet në Kuvend, duke thënë se nuk po i shtrijmë protestat në popull se duam të demonstrojmë mosbindjen civile në parlament.
Të hënën ka vendosur të bëjë një test, se kush nga të vetët do t’i dalë në krah. Me firma i kanë dalë rreth 30 deputetë që i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të mos e burgosë. Në terren ende nuk dihet.
Nuk e duron dot këtë situatën që një grup opozitar është dakord me arrestimin, të tjerë deputetë janë dakord por nuk flasin, të tjerë janë kundër arrestimit, por prape nuk flasin dhe vetëm një grusht besnikësh janë gati ta thonë më zë të lartë që janë kundër. Nuk e duron dot këtë gjendjen e paverifikueshme se kë ka me vete, ndaj i kërkon të gjithë aty në apel t’i shikojë me sy kë ka pas e kë ka kundër.
Ky është dhe kurioziteti më i madh I Berishës për protestën e së hënës.
Është një protestë ku njerëzit nuk kanë me kë të përballen, pasi Komisioni mblidhet në një sallë dhe në fund bën një komunikatë shtypi. Berisha as i pengon dot, as nuk ka ndërmend ta bëjë me të. Është thjeshtë një apel që ai të shikoj kë ka me vete.
Ai thjesht do të shikojë kush është në oborr përballë parlamentit dhe jo kush është brenda në parlament.
Ditën që ju njoftua masa e arrestit, ai u braktis dhe nga militantët e thjeshtë dhe pas tre orësh njoftimi nuk arriti të mbledhë as 50 vetë në selinë e SHQUP.
Nesër ai do të bëjë testin nëse njerëzit e opozitës janë gati të shkojnë të përleshen me të apo jo. Është një protestë e tij personale, kundër atyre që nuk duan të protestojnë për të.
Edhe pse është një test i sforcuar, degët kanë marrë masa që së paku Durrësi, Elbasani, Kurbini e Shkodra të çojnë njerëz. Kjo i duhet që të përsëritet ditën e enjte, kur t’i hiqet realisht mburoja ligjore në Kuvend, e akoma më shumë kur policia t’i mbërrijë në shtëpi e t’i tregojë detyrimet që ka për arrestin e shtëpisë, nëse e lënë në arrest shtëpie.
Por nuk është se i do për luftë ata njerëz ditën e hënë. Ata janë thjeshtë mbulesa që ai të kuptojë kush i ka mbetur ende.
Prandaj mos u shqetësoni se çdo të ndodhë. Asgjë nuk do të ndodhë. I vetmi që ka punë është Flamuri që duhet të mbajë shënim kush ka ardhur dhe kë kanë kundër nga opozita.
Është në thelb një protestë që verifikon kush është me Bashën dhe kush me Berishën, nga opozita. Për të tjerat flasim të enjte. Nëse ka fat të arrestohet atëherue ka dhe justifikim për dështimin e revolucionit.