Shqipëria renditet në vendin e katërt në Europë për konsumin energjisë nga burime të rinovueshme. Të dhënat raportohen nga Eurostat.

Sipas tij konsumi bruto i energjisë, që gjenerohet nga burime të rinovueshme për vitin 2022 në Shqipëri rezultoi në 44%.

Në vendin e parë renditet Norvegjia me gati 76% të konsumit të energjisë nga burime të rinovueshme, në vendin e dytë Suedia me 66%, ndërsa në të tretin Finlanda, me 48%.

Sipas Eurostat këto vende e mbështesin konsumin e tyre kryesisht në HEC-e, erë dhe biokarburante të ngurta dhe të lëngshme.

Gjithnjë sipas Eurostat, pjesa e burimeve të rinovueshme në konsumin bruto të energjisë finale në nivel të Bashkimit Evropian arriti në 23 % në vitin 2022.

Krahasuar me vitin 2021, kjo përfaqëson një rritje prej 1.1 pikë përqindjeje.

Ndërkaq, direktiva e rishikuar për energjinë e rinovueshme ka rishikuar objektivin e BE-së për energjinë e rinovueshme për vitin 2030 nga 32% në 42.5% (me synimin për ta rritur atë në 45%).

Eurostat sugjeron që vendet e BE-së duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të përmbushur kolektivisht objektivin e ri të BE-së për vitin 2030. Ky objektiv kërkon rritjen e pjesës së burimeve të rinovueshme të energjisë në konsumin bruto të energjisë finale të BE-së me pothuajse 20 pikë përqindje.