Përhapja e kulturës së ligjshmërisë dhe qytetarisë së përgjegjshme në shkolla, si mjet për të parandaluar korrupsionin është në fokus të marrëveshjes 3-vjeçare, ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ambasadës Italiane në vendi tonë.

Marrëveshja u firmos sot nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci.

“Marrëveshja e re që firmosim sot të tre palët, për këtë projekt, i cili do të zgjasë 3 vite, ka të bëjë me përfshirjen në edukimin qytetar edhe të instrumentave që kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin, sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe informacionit që fëmijët duhet të marrin nëpërmjet kurrikulave, leksioneve, seminareve, debateve, mbi çështje që lidhen me fenomene të dëmshme për shoqërinë”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

“Sot ne vendosëm të ngremë këtë bashkëpunim në një tjetër nivel, me një anagazhim më të madh, për ta shtrirë edukimin në 12 shkolla, në 6 qytete të vendit dhe kemi gjetur gatishmërinë e menjëherëshme të Ministrisë së Arsimit, por edhe partnerët italianë, që mirëpritën kërkesën për të replikuar këtë praktikë në shkallë edhe më të gjerë”, -tha Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Promovimi i kulturës së ligjshmërisë në shkolla nisi si një projekti pilot në 4 shkolla të Tiranës, më konkretisht në shkollat “Qemal Stafa”, “Petro Nini Luarasi”, “Asim Vokshi” dhe “Myslym Keta” dhe tashmë do të shtrihet në gjashtë qarqe, më konkretisht, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, me synim konsolidimin e kulturës së ligjshmërisë dhe qytetarisë së përgjegjshme tek të rinjtë.

Fjala e plote e ministrit Manja:

I nderuar Shkëlqesia Juaj, Ambasador Bucci,

E nderuar Ministre e Arsimit,

Të nderuar të ftuar,

– Iniciojmë Edicionin e 5-të të Javës së Integritetit në Shqipëri, fushatën më të madhe publike të luftës kundër korrupsionit, me një iniciativë që e kam shumë përzemër. Ky event simbolizon një nga linjat tona kryesore të qeverisjes për rininë shqiptare: Promovimin e kulturës së ligjshmërisë tek të rinjtë.

– Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme mes dy ministrive dhe Ambasadës së Italisë, është një iniciativë që nuk nisi sot. Në sajë të këtij bashkëpunimi, në vitin 2021 kemi pilotuar me sukses projektin e edukimit antikorrupsion në 4 shkolla të Tiranës. Nxënësit e këtyre shkollave kanë pasur mundësi që përmes metodave bashkëkohore dhe përdorimit të teknologjisë, miqësore për moshën e tyre, të formësohen si qytetarë që udhëhiqen nga ligji.

– Prandaj vendosëm që ta ngremë këtë bashkëpunim në një tjetër nivel. Vijmë sot me një angazhim më të madh për ta shtrirë edukimin në 12 shkolla, në 6 qytete të vendit. Kemi gjetur gatishmërinë e menjëhershme të Ministrisë së Arsimit, dhe dashamirësinë e partnerëve Italianë, që meritojnë mirënjohjen tonë, që e mirëpritën kërkesën për t’a replikuar këtë praktikë në shkallë më të gjerë.

– Ky projekt bashkëpunimi tre-vjeçar, do të rrisë partneritetin me mësuesit e shkollave dhe nxënësit e klasave të 10-ta. Kështu kultivojmë më tej ndjenjën e përgjegjësisë dhe përkatësisë ndaj vlerave shoqërore që përfaqëson ligji. Ekspertët e të dy ministrive së bashku me partnerët Italianë, do të jenë për tre vite akademike, mentorë të zhvillimit të aktiviteteve të nxënësve në shkolla.

– Dëshiroj këtu të shpreh mirënjohjen time për të gjithë mësuesit që janë përfshirë e të tjerë që do të përfshihen më tej në këtë iniciativë. Vetëm në saj të angazhimit të tyre dhe punës së tyre të palodhur do të mund t’i japim vlerë kësaj iniciative.

– Kam bindjen se përpos çdo fushate sensibilizuese që Ministria e Drejtësisë mund të organizojë si Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit, asgjë nuk mund të konkurojë dhe as zëvendësojë edukimin për ligjshmërinë në shkolla. Ndaj edhe në fokus të të gjitha përpjekjeve tona ndërgjegjësuese, në kuadër të Strategjisë së re Antikorrupsion 2024-2030, do të jetë ndërhyrja në kurrikulat e arsimit parauniversitar, me qëllim forcimin e arsimit mbi ligjshmërinë.

– Faleminderit të gjithë që punuan fort për ta mundësuar këtë marrëveshje dhe mirënjohje për të gjithë ata që do ta zbatojnë më tej në praktikë.