Monedhat e huaja e kanë mbyllur javën me një forcim të ndjeshëm në raport me Lekun. Kështu monedha europiane sipas përditësimit të Bankës së Shqipërisë këmbehet në treg me 102.8 Lekë dhe shitet me 104,15 Lekë. Po kështu edhe Dollari ka pësuar një lëvizje, por më të lehtë, ku këmbehet me 95,06 Lekë, kurse Paundi britanik me 121,5 Lekë.
Rritja e Euros erdhi pas dy javësh zhvlerësim të fortë, duke iu afruar dhe kufirit të 101 Lekëve. Zhvlerësimi i monedhës europiane gjatë festave të fundvitit ka qenë fenomen i zakonshëm për çdo vit, lidhur me fluksin e emigrantëve dhe konsumin e shtuar. Gjithsesi ky arsyetim duket se bie poshtë, me rritjen e fundit.
Ekspertët pranojnë se ky është kursi i ri i këmbimit dhe nuk do të rikthehet më në vlerat e fillimvitit, duke treguar qëndrueshmëri që mesa duket do të vijojë për një periudhë afatgjatë. Në 8 muaj, Euro është zhvlerësuar me rreth 20%.
Banka e Shqipërisë nga ana tjetër mbron qëndrimin se ndryshimet strukturore në ekonomi gjatë viteve të fundit, ku veçohet rritja e fortë e turizmit dhe investimet e huaja direkte kanë bërë edhe më të vështirë efektivitetin e nismës së deeuroizimit.