Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj për të hequr sekuestron ndaj 4 apartamenteve dhe 2 llogarive bankare, në shumën 124 300 euro.

Pasuritë në fjalë u sekuestruan me vendim të shkallës së parë të GJKKO i cili u la në fuqi edhe në gjykatën e apelit, pas arratisjes së Arben Ahmetajt në korrik të këtij viti.

Në kuadër të këtij hetimi, prokuroria ka sekuestruar edhe vilat e ish-gruas dhe bashkëjetueses së Ahmetajt, në Palasë dhe Gjirin e Lalzit.

Ahmetaj u largua nga Shqipëria para se të firmosej urdhër-arresti dhe ende nuk behet me dije vendodhja e tij. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023, pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë më 7 dhjetor Prokuroria e Posaçme çoi në GJKKO dosjen në ngarkim të Arben Ahmetajt lidhur me privatizimin e ish-furrës së bukës. Ndaj Ahmetajt është ngritur akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë, teksa ish-numri dy i qeverisë ndodhet prej muajsh në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Elbasanit dhe Tiranës dhe pasurinë e pajistifikuar.