Kryeministri Edi Rama ka hedhur kategorikisht poshtë shanset e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri për të kryer betimin në detyrë.

Në emisionin “Debat” në A2CNN, Rama tha se për këtë çështje nuk do të negociohet as me Këshillin Europian, ku Greqia ka ngritur zërin për çështjen Beleri, edhe nëse Athina zyrtare vijon të bëjë presion me bllokimin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Si bëhet betimi është pyetja? Deri më sot ju keni një vendim të Gjykatës së Lartë të para pak vitesh, e cila ka ngarkuar Gjykatën Speciale të trajtojë këtë çështje. Sepse kërkesa për të bërë betimin u bë te ne. Ne s’kemi asnjë mundësi të vendosim bëhet apo s’bëhet betim. Ne e kemi bërë shumë të qartë që kur të kthehet përmbys i gjithë Këshilli Europian ne nuk negociojmë asnjë gjë kundër interesit më të lartë strategjik të Shqipërisë. Që është zbatimi i reformës ne drejtësi. Ca kohë kërkonin këtë, mor nuk e bëjmë dot harrojeni se futemi ne në këtë. Jo bllokim të integrimit. Se nuk është bllokim i integrimit fare se ajo është një proces politik.”

Shefi i qeverisë e bëri të qartë në qëndrimin e tij se në Shqipëri pushtetet janë të ndara dhe fati i Belerit do të vendoset nga drejtësia.