Dorëheqja e Robert Jenerick, që ka vizituar edhe Tiranën, ministrit të Emigracionit dhe mikut të ngushtë të kryeministrit britanik për shkak të planeve të tij për Ruandën, që morën një goditje vdekjeprurëse nga Gjykata Supreme, ç’ka detyroi qeverinë të paraqesë ligje që dukshëm bien ndesh me konventat ndërkombëtare, ka tronditur fuqishëm qeverinë konservatore të Rishi Sunak, i cili ndodhet më i rrezikuar se kurrë në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

Robert Jenerick thotë se ka “mosmarrëveshje të forta” me ligjet e reja të emergjencës, të cilat nuk shkojne aq larg për t’i dhënë fund karuselit të sfidave ligore, sa do donin deputetët e krahut më të djathtë të kësaj partie, edhe pse ato edhe siç janë, bien ndesh me të drejtën dhe konventat ndërkombëtare, firmatore e së cilës prej 70 vitesh është Britania.

Ligjet e reja detyrojnë gjykatat vendase që Ruandën ta cilesojnë vend të sigurt, por nëse dikujt që i refuzohet e drejta e azilit mund ta çojë rastin në Gjykatat Ndërkombëtare dhe Evropiane dhe kjo do zeronte vendimet e gjykatave britanike.
Gjithesesi, ligjet e reja nuk shkojnë aq larg sa të ofrojnë kompetenca që anashkalojnë Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që kanë kërkuar përfaqësuesit e vijës së ashpër përfshi edhe Suela Braverman, Ministren e e Brendshme të shkarkuar.

Përçarjet në radhët e konservatorëve në pushtet prej 13 vjetësh, po thellohen aq shumë saqë hap çdo opsion, madje edhe për zgjedhje të parakohshme, çka do ishte një autogol i madh politik, edhe pse çështja e emigracionit është e rëndësishme për elektoratin britanik, por jo sa problematikat e tjera ekonomike dhe rënia e nivelit të jetesës së tyre, për shkak të performancës së qeverise, çka do përcaktojnë fatin politik të qeverise aktuale.

Çmenduria politike po shkon në nivele aq paradoskale dhe qesharake, saqë edhe Ruanda, ky shtet afrikan me probleme me autoritarizmin dhe respektimin e të drejtave të njeriut i thotë një vendi si Britania, se ata do tërhiqen nga marrëveshja e sapo nënshkruar këto ditë në Kigali, nëse marrëveshja shkel ligjin ndërkombëtar. Gjasat janë që Ruanda të shndërrohet në kodrën e fushëbetejës më të madhe të ardhshme politike në Britani, ku do vriten elektoralisht konservatoret e qendrës së djathtë, partia më e vjetër në Britani, argumentueshëm edhe në botë.