Me tekstin përfundimtar që duhet që të miratohet nga të dy dhomat e parlamentit italian do të kuptohet më mirë se si do të marrë formë projekti për ndërtimin e strukturave të planifikuara në Shqipëri. Në projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes janë parashikuar termat konkrete për mbulimin financiar të operacionit si dhe rregullat e para zbatuese të protokollit mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e fluksit të emigrantëve që shpëtohen në det.
Kabineti Meloni preferoi që ky traktat të mos e shmangte kalimin në Parlament, por ndoqi rrugën e ratifikimit nga deputetët siç kërkohet nga Kushtetuta. Sipas televizionit italian “Sky TG 24” pas miratimit nga qeveria ky projekt-ligj ratifikues do t’i dorëzohet Dhomës së Ulët Të Deputetëve e më tej Senatit.
Në fillim qeveria dhe shumica parlamentare italiane, kishin argumentuar se ratifikimi parlamentar nuk ishte i nevojshëm, pasi protokolli që do të jete në fuqi fillimisht për 5 vjet nga data e rënë dakord mes palëve me shkëmbimin e mëvonshëm të notave verbale bazohej në dy traktate mes Romës dhe Tiranës.
Kjo tezë u kontestua ashpër nga opozita, që me anë të një letre drejtuar kryetarit të Dhomës Lorenzo Fontana, i kërkoi qeverisë sqarime për detajet konkrete te marrëveshjes. Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar nga Giorgia Meloni dhe Edi Rama parashikon se Roma do të rimbursojë Tiranën për kostot e përdorimit të forcave të policisë lokale për sigurinë e jashtme të dy strukturave dhe çdo kujdes spitalor për mysafirët e tyre.
Në portin e Shëngjinit, ku do të zbarkojne emigrantët e gjetur në detin Mesdhe në bordin e anijeve italiane, do të ketë një perimetër afërsisht 240 metra, me një gardh të jashtëm 4 metra me tela me gjemba ose sisteme të ngjashme. Brenda kampit do të ngrihen edhe qendrat mjekësore si ajo për trajtimin kundër zgjebes dhe turbeklulozit.
Struktura në ish-aeroportin ushtarak të Gjadrit, do të shërbejë për riatdhesimin e emigrantëve që nuk kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë në Itali dhe do të ketë një sipërfaqe ndërtimi prej 77700 metrash katrorë duke rimëkëmbur 10 ndërtesa për momentin të rrënuara për gati 2 mijë metra katrorë.
Në këtë zonë do të ndërtohen edhe godinat e policisë. Sipas protokollit strukturat mund të presin në të njëjtën kohë maksimumi 3 mijë azilkerkues kryesisht nga Afrika e Veriut në një numër deri në 36 mijë në vit. Nënsekretari Giovanbattista Fazzolari ka sqaruar se emigrantët mund të ndalohen përtej 28 ditësh edhe në Shqipëri. “Maksimumi i lejuar nga ligji italian është 18 muaj“. Me pak fjalë zonat që i ka dhënë Tirana Romës i nënshtrohen ekskluzivisht juridiksionit italian. Italia do të duhet të krijojë një fond garancie dhe, si paradhënie rimbursimi për vitin e parë, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, Brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e protokollit, Italia do t’i duhet t’i paguajë Shqipërisë një shumë fillestare prej 16 milionë e gjysmë euro.
Duke qenë se kjo marrëveshje zgjat të paktën 5 vjet, kjo shumë mund të bëhet 82 milionë euro e rinovueshme për 5 të tjera. Po ashtu parashikohet që në llogaritë e shtetit shqiptar të derdhet edhe një fond garancie prej 100 milionë eurosh. Marrëveshja shkon paralelisht edhe me përfitimin e miliona eurove për rreth 500 mijë shqiptarë në Itali për pensionet e tyre me ratifikimin e një marrëveshjeje tjetër mes dy vendeve në fushën e sigurimeve shoqërore. Për vitet në vijim, çdo 6 muaj qeveria shqiptare do t’i japë qeverisë italiane listën e shpenzimeve, duke kërkuar rimbursim.
Lista e parë do të dorëzohet deri më 15 mars, e dyta deri më 15 shtator. Siç përcaktohet në marrëveshje dhe në anekset e saj, shpenzimet, ndër të tjera, përfshijnë ato të ndihmës spitalore, blerjen e pajisjeve mjekësore, barnave dhe vaksinave, shpenzimet për përdorimin e policisë dhe të forcave policore shqiptare që do të jenë përgjegjëse për mbikëqyrjen e jashtme, blerjen e karburantit për automjetet si dhe çdo kosto ligjore për mbrojtjen para gjykatave ndërkombëtare dhe për kompensimin e dëmeve të vendosura nga gjykatat kombëtare ose ndërkombëtare.