Milani nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në ndeshjen e javës së 17-të të Serie A ndaj Salernitanës. Kuqezinjtë humbasin mundësinë për t’iu afruar dyshes kryesuese. Djemtë e Piolit kaluan në avantazh me golin e Tomorit por Salernitana e përmbysi rezultatin me golat e Fazio e Candreva. Serbi Luka Jovic do të shpëtonte Milanin nga humbja duke barazuar në fundin e ndeshjes. Kuqezinjtë forcojnë pozitat në vendin e tretë ndërsa Salernitana mbetet e fundit.
Lazio u rikthye tek fitorja duke mundur 2-0 Empolin në stadiumin Castellani. Bardhekaltërit shënuan nga një gol për çdo pjesë me Guendouzi e Zaccagni. Berisha e Ismajli tek Empoli e Hysaj tek Lazio nuk u aktivizuan për asnjë minutë.
Fiorentina mundi 1-0 Monzën në transfertë dhe merr përkohësisht vendin e katërt duke kapur zonën Champions. Sot Interi pret tre pikët ndaj Lecce-s ndërsa në mbrëmje luhet Roma-Napoli.
Në Premier League Aston Villa frenon pas tre fitoreve radhazi. Villa barazoi 1-1 ndaj Sheffield dhe merr vendin e dytë në renditje në pritje të supersfidës së sotme Liverpool-Arsenal që nis në 18:30.
Ndërsa Manchester City ka fituar Botërorin e Klubeve. Djemtë e Pep Guardiolës e bënë gjithçka të lehtë ndaj Fluminenses duke fituar 4-0 finalen. Dygolësh realizoi Julian Alvarez, një herë e tundi rrjetën Foden e një herë brazilianët shënuan në portën e tyre. City e fiton për herë të parë Botërorin e Klubeve ndërsa për Guardiolën ky ishte trofeu numër 37-të në karrierë.