Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar ashpër për dhunën dhe fyerjet e deputetëve të opozitës ndaj Gardës së Republikës.

“Kjo opozitë që nuk lë rast pa derdhur lot krokodili për shqiptarët e ndershëm e njerëzit e punës, fyen, përçmon, godet, punonjësit e Gardës me të ardhura shumë më modeste se ata, për të mbrojtur me forcë të verbër kryeplakun, familjen e tij, e pasuritë e tyre”, shkruan Spiropali përmes një postimi në rrjetin social facebook.

Statusi i plotë

Ky nuk është moral politik!
Kjo s’është drejtësi!
Këto nuk janë të drejta kushtetuese!
Këto janë akte dhune, vepra penale dhe pafytyrësi njerëzore që përdhosin mjedisin e bashkëjetesës demokratike, cënojnë sigurinë, dëmtojnë imazhin dhe rreken të shkatërrojnë parlamentarizmin dhe institucionet e vendit.
Arrakatja e opozitës vetëm nëpërmjet dhunës është ogurzezë pikë së pari për vetë opozitën, por edhe për çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi që është lodhur nga pasojat e dhunës, të cilat janë aq të freskëta në mbamendjen e tyre.
Filozofi francez Zhak Mariten thotë se çdo protestë duhet të jetë jo e dhunshme dhe pikërisht këtu qëndron edhe forca e saj.
Publiku do i dënojë, siç i ka dënuar, me votë.
Për vepra penale të konsumuara në sy të të gjithëve, drejtësia duhet të thotë fjalën e saj.