Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali mbajti fjalën e saj në Kongresin e Partisë Socialiste ku foli edhe për vendimin e dhënë nga Gjykata e Strasburgut për vrasjen e Aleks Nikës në 21 janar 2011. Ajo tha se një ndër arsyet përse opozita ka shkaktuar kaos prej kohësh në Kuvend, është fakti se drejtësia ka filluar të funksionojë.
“Pak ditë më parë gjykata e Strasburgut shkroi një vendim për tragjedinë e 21 janarit, pushkatimit pa gjyq të 4 protestuesve në shesh. Një udhërrëfyes juridik i asaj që ne i kemi dhënë përgjigjie ndër vite dhe presim të zgjidhet nga sistemi gjyqësor në Shqipëri. Tek ky vendim që vjen nga zemrat e Europës mund të shihni arsyet përse çeta opozitare garda e një njeriu të vetëm nuk bën gjë tjetër veçse ndez zjarr e thyen karrige. Reforma në Drejtësi është historike, drejtësi në Shqipëri pavarësisht regjimeve dhe qeverive, nuk ka patur më parë”- tha Spiropali.
Më tej, ajo foli edhe për kaosin dhe incidentet e dhunshme në Kuvend në seancën e 7 dhjetorit ku u miratua buxheti për 2024, duke u shprehur se e gjithë kjo situatë është krijuar nga individë të caktuar të cilët nuk mund të kthehen në alternativë për qytetarët dhe kërkojnë me çdo kusht kthimin e vendit prapa si në vitin 19997.
“Ne socialistët besojmë se suksesi është kolektiv, duhet ndarë me të gjithë, por përgjegjësitë janë individuale. Në parlament sillen si revolucionarë dhe piromanë, ose triumfojnë ose e djegin. Ne nuk na ndan prej tyre barrikada e karrigeve që përmbysin në parlament, por zgjedhjet e ndryshme, Ata ndezin zjarre, ne ndërtojmë edhe duke shuar zjarret e tyre. Jemi në një sallë parlamenti por vite dritë ndaj atyre që po i tmerron ankthi për orët e së vërtetës. Të paaftë për t’u shndërruar në alternativë filozofia e tyre shkon në drejtim të kundërt me interesin e qytetarëve. Ata tentojnë të kthejnë akrepat pas në ’97-ën”- shtoi ministrja.