Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në fjalën e saj para delegatëve tha se sfida e PS është fitorja e njëpasnjëshme e betejave. Për të arritur këtë, Spiropali tha se mbetet sfidë reforma në parti, qeveri, e administratë.

“Ndryshe prej tyre ne kemi lirinë për tu ndryshuar, korrigjuar, mësuar nga gabimet. Ata mbeten viktima të gabimeve të përsëritura. Asnjë lider tjetër sa Rama dhe organizatë tjetër politike nuk është treguar kaq e aftë dhe kaq këmbëngulëse në praktikën e vetëkorrigjimit. Sfida ynë është tërësi betejash të përditshme, të fitohen në mënyrë të njëpasnjëshme. Kjo sfidë kërkon reforma e vazhdueshme, në parti, qeveri e administratë. Një proces që duhej të ndodhte dje, siç ka ndodhur, dhe duhet të ndodhë është nesër, edhe më fort”, tha Spiropali.

Fjala e plotë:

Të nderuar delegatë të Kongresit të Partisë Socialiste,
Të dashur socialiste dhe socialistë,
Të dashur qytetarë qe po na ndiqni, shumë më të shumtë se ç’jemi në këtë sallë.

Shqipëria ka ngut. Ngut për të jetuar. Ngut për të ndryshuar e ndërtuar. Ngut për t’u përmirësuar e për t’u bërë vendi i duhur për të punuar e jetuar. Për t’u bërë Evropë në Ballkan. Ngut dhe vullnet për ta parë Ballkanin si shtëpi evropiane.

Shqipëria po vrapon për të kapërcyer pengesat dhe vonesat e saj historike. Për të bërë në sa më pak vite atë që vende të tjera e kanë bërë në dhjetra e qindra vjet, shpesh duke kaluar nëpër rrugë të përgjakshme.

Liria dhe shteti i të drejtës nuk janë akte që realizohen në një ditënatë. As në pak vjet. Janë procese që kërkojnë durim, sakrificë dhe vendosmëri, ide dhe vizion, përkushtim dhe tolerancë.

Ne socialistët shqiptarë kemi dëshmuar se dimë të marrin përgjegjësi dhe të jemi përgjegjës për fatet e Shqipërisë. Ky është Destini ynë të cilin e ka gdhendur në mermer vullneti i përsëritur i qytetarit shqiptar, tetë herë në nëntë ballafaqime elektorale të njëpasnjëshme nën drejtimin e Edi Ramës.

Shqipëria po jeton ditë të jashtëzakonshme. Ky kongres i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste është pjesë e përpjekjeve tona për të qenë katalizatorë të ndryshimit dhe vetkorigjimit.

Kongresi është pjesë e përgjigjeve që japim ditë mbas dite me shërbesën tonë. Shërbesën për një vend dhe në një vend që e dimë si ka qenë, e shohim si është, dhe e ëndërrojmë sesi do të jetë! Më i zhvilluar, më i respektuar, më i sigurtë, më i begatë.

Në fjalorin politik të Ballkanit fjala Histori përdoret shpesh. Por ne e dimë mirë se misioni ynë politik është të ndryshojmë si Shqipëria. Organizata jonë politike duhet të ndryshojë edhe më shpejt, për të fituar betejën me kohën.

Për të triumfuar në misionin tonë kombëtar për ta bërë Shqipërinë Evropën e Ballkanit.

Për t’u krahasuar jo me çfarë gjetëm, por me çfarë mund të bëjmë ndryshe, çfarë mund të bëjmë edhe më mirë, edhe më bukur, edhe më shpejt.

Sfida jonë është e ardhmja dhe projektimi i saj i pakthyeshëm si një vend evropian. Një vend më të mirëqeverisur, më të drejtë, më të lirë, një vend të njerëzve të fortë, me më shumë mundësi jetese e oportunitete të barabarta, me standarte, me më shumë drejtësi shoqërore, më të arsimuar, më të aftësuar, dhe më të shëndetshëm.

Por nuk ka asnjë të ardhme të sigurtë pa qortimin e të djeshmes. Dhe shumëçka nis nga e drejta, nga bindja se çdo krim duhet të ketë ndëshkimin e tij.

Pak ditë më parë Gjykata e Strasburgut shkroi në gjuhë juridike një vendim për tragjedinë e 21 janarit. Pikërisht atë vendim që në gjuhë politike Partia Socialiste e ka dhënë për mbi një dekadë: Pushkatimin pa gjyq të katër protestuesve paqësorë në Bulevard.
Shtet dhe struktura shtetërore të pahetuara, gjykim i paplotë i rolit të përfaqësuesve të shtetit të përfshirë në krim. Ky është vendimi i Strasburgut, një udhërrëfyes juridik i asaj që ne i kemi dhënë përgjigje politike në vite dhe që presim të përkthehet edhe nga sistemi gjyqësor në Shqipëri.

Mjaft të shihet qëndrimi i dy poleve politikë ndaj drejtësisë për të kuptuar atë diferencë abisale mes nesh dhe atyre. Për të kuptuar se pse ne jemi në punë, dhe pse ata janë shndërruar në shkopinj në rrota për Shqipërinë e punës.

Tek ky vendim që vjen nga zemra e Evropës mund të shihni arsyet se pse çeta e tkurrur opozitare, garda personale e një njeriu të vetëm, s’bën gjë tjetër veçse vjell zjarr dhe thyen karrike.

Reforma në drejtësi është një nga projektet më të rëndësishme që kemi ndërmarrë. Ai është rishkrimi dhe rikrijimi i parë i një pushteti të pavarur ashtu siç dikton kushtetuta, për të krijuar kontrollin dhe ekuilibrin e dy pushteteve të tjera.

Filozofia jonë politike është një dhe e pandryshueshme: Ne socialistët besojmë se suksesin duhet ta ndajmë me të gjithë, se suksesi është kolektiv, por përgjegjësitë janë individuale. Dhe përgjijet për çfarë bëhen keq janë po individuale.

Ky është dhe dallimi kryesor me kundërshtarët tanë të cilët me Parlamentin sillen ose si revolucionarë ose si piromanë, ose e bojkotojnë ose e djegin, dhe një nga shkaqet kryesore pse triumfet tona mbi ta do shtohen sa herë të ketë ballafaqime elektorale, ku ata veçse do humbin, dhe ne veçse do fitojmë.

Ne nuk na ndan prej tyre barrikada e karrigeve që ata përmbysin në parlament, dhe nuk na pengon të shihemi sy ndër sy as tymi i flakadanëve që ata ndezin në parlament. Janë zgjedhjet e ndryshme që na ndajnë: ata ndezin zjarre, ne ndërtojmë edhe duke shuar zjarrvëniet e tyre.

Ne jemi institucion lirie, ata instrument i marrjes peng të lirisë.
Ne jemi bashkërisht në një sallë Parlamenti, por jemi vite dritë larg dhe lart atyre që po i tmerron ankthi e frika për orën e drejtësisë që afrohet.

Të paaftë të fitojnë, të paaftë të ndryshojnë që të shndërrohen në alternativë, filozofia e tyre e bllokimit shkon në kah të kundërt me vullnetin e shqiptarëve që shohin drejt të ardhmes, ndërkohë që ata e kurdisin sahatin e tyre me akrepat e 97-ës.

Ata tentojnë që destabilitetin e tyre moral e politik, ankthin e tyre për ndëshkim penal, t’ja imponojnë gjithë shoqërisë shqiptare.

Ata ndezin zjarr në sallën e kuvendit, ne ndezim drita në qytetet e Shqipërisë, nga Shkodra në Sarandë, ata e shohin zjarrin si mjet politik, ne ndezim flakën e shpresës për Shqipërinë e dekadës tjetër, ata ndjellin kob e mort, ne ftojmë për festën e punës, ne shkojmë optimistë në betejën e përditshme të qeverisjes, ata kanë humbur edhe shpresën vetjake.

Ndryshe prej tyre, ne kemi lirinë për të ndryshuar dhe për t’u korrigjuar, për të mësuar nga gabimet tona ndërkohë që ata mbeten viktima të gabimeve të përsëritura.

Asnjë lider tjetër sa Edi Rama dhe asnjë organizatë tjetër politike sa PS, nuk është treguar kaq e aftë dhe kaq këmbëngulëse në praktikën e vetkorigjimit.

Sfida jonë është një tërësi betejash të përditshme për të cilat nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse të fitohen në mënyrë të njëpasnjëshme.

Kjo sfidë kërkon reformimin tonë të vazhdueshëm. Në parti, në qeveri e në administratë. Një proces që duhet të ndodhte dje, siç ka ndodhur dhe duhet të ndodhë, edhe më fort nesër.

Asgjë nuk është e pandryshueshme dhe fitoret tona politike nuk janë diçka e paracaktuar vetëm për shkak se kundërshtarët tanë dinë vetëm të humbasin.

Suksesi ynë është mjet për të çuar më tej punët e mbara që po bëjmë, me kujdesin për të shmangur vetëkënaqësinë dhe mbi të gjitha, për të luftuar me abuzuesit me pushtetin me çdo mjet dhe në çdo nivel. Duke luftuar me arrogantët dhe me abuzuesit e dhunuesit brenda nesh, në administratë e kudo. Duke i hapur udhë magjisë më të madhe të demokracisë, shenjtërisë së votës, kontrollit dhe ekuilibrit të pushteteve. Garës së lirisë dhe të ndershme. Meritokracisë dhe kolegjialitetit.

Të dashur delegatë, motra dhe vëllezër,

Dhjetë milionë turistë në një vit në Shqipëri nuk kanë ardhur vetëm të grishur nga një kryeministër i jashtzakonshëm si Edi Rama që s’i lë kusur ambasadorit rus në mes të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit. Ata kanë ardhur të ndjellë nga një vend me diell, me dritë, shpresë dhe optimizëm, një vend që pavarësisht halleve është dinamik, i sigurt për të jetuar dhe pushuar, me një rilindje urbane fantastike, me trashëgimi kulturore të kuruar, me sistem infrastrukturor të përmirësuar, me kujdes mjekësor të garantuar, me shërbime të mira, dhe me bukën e kripën më të lirë në Evropë, dhe zemrën e bardhë si askund tjetër. Ata nuk shohin konferencat e shtypit të të fundit krijese ekzotike politike në Evropë, të bërë hasha nga Amerika dhe Evropa. Ata nuk dëgjojnë helmin që u del nga goja çdo ditë bijëve plangprishës për nënën. Ata vijnë dhe do të rivijnë në Shqipërinë mikpritëse, shtëpi të Zotit dhe të mikut sepse duan të bëhen pjesë e bekimit të Zotit për këtë shtëpi të madhe të shqiptarisë. Ata vijnë edhe si shpagim i atyre të rinjve që në Dhjetor 1990 thirrën me fuqinë e shpirtit: E duam Shqipërinë si gjithe Evropa.

Duke uruar sukses për kongresin tonë të jashtëzakonshëm, më lejoni të ndaj bindjen e thellë se do t’ja dalim sfidave të jashtëzakonshme për Shqipërinë e nesërme, këtë Zonjë të rëndë mu në mes të Evropës.

Ju faleminderit.