Nga Ylli Pata/

Nuk ka akt më ekstrem sesa ndezja e zjarrit në Parlament. Deri tani, krahasuar me rajonin, e mbante vendin e parë opozita e Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt që përdorën bombat tymuese për një kohë të gjatë. Por ata kishin një objektiv për këtë ; të ndalonin që në Parlamentin e Kosovës të miratohej ligji për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Dhe e ndaluan, por që më pas, e pësoi edhe qeveria e Ramush Haradinajt, i cili u bë kryeministër falë bombave tymuese, por edhe ajo e Albin Kurtit, që gjithashtu u bë falë asaj mënyre agresive të opozitës guerilje. Po si Ramush Haradinaj, ashtu edhe Albin Kurti, kanë miratuar të gjithë ato ligje, të cilat i bllokuan me forcë dhe me tym në Kuvendin e Kosovës. Ramushi miratoi demarkimin e kufirit me Malin e Zi, e sot Albini i tha OK Asociacionit të Komunave Serbe. Pra e gjithë ajo luftë shkoi kot për njerëzit që mbështetën Ramushin e Albinit, përveç të dyve që morën spaletën e “Pashait të Kosovës”.

Megjithatë, guerrilja nuk shkoj përtej tymit, si ekstremitet. Zjarri në Parlament, është një përjashtim, madje ka vetëm një precedent. Atë të Rajshtagut gjerman, para nisjes së Luftës së Dytë Botërore. Ku paramilitarët e SS-ve dogjën parlamentin gjermane, e i vunë fajin komunistëve dhe socialdemokratëve gjermanë. Rast tjetër kur zjarri ka rënë në Parlament nuk ka. Sepse ajo kurajo e madhe, kur me një shkrepse ndez letrën e më pas e vendos atë në turrën e karrikeve prej druri për të kthyer sallën e Kuvendit në një ferr ku të piqen kusht të mundet, është pikërisht akti i mos kthimit mbrapsht.

E me këtë akt, Sali Berisha, sipas të gjitha gjasave ka dashur të tregojë objektivin e tij politik. i cili tashmë është një rrugë e mos kthimit. Është një rrugë që si qëllim ka vetëm zjarrin e shkatërrimin e këtij pushtetit. Pra është një betejë finale dhe fatale, ku siç u shpreh vetë Berisha: sot arriti sukses me ndezjen e zjarrit, nesër ky sukses do të quhet kur flakët do të gëlltisin pushtetin e Edi Ramës.

Në fjalë të thjeshta, doktori, kërkon të komunikojë me Edi Ramën, i cili deri tani e ka injoruar dhe vazhdon ta injorojë, duke mos e quajtur faktor politik. E një personi që nuk e dëgjon, doktori i ka treguar zjarrin. I cili është akti final i një komunikimi ekstrem: zjarri njërin do të djegë. Ose zjarrvënësin, ose palën tjetër që nuk i hap rrugën zjarrvenësit. Në rastin e Rajshtagut, të gjithë i hapën rrugë të çmendurit Adolf, i cili i vuri zjarrin Europës më pas. Por çmimi ishte shumë i lartë.