Tiranë, 8 dhjetor – Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu ka shpallur një plan të gjerë për transformimin e sistemit arsimor në Shqipëri. Fokusi kryesor është të sigurojë shërbime arsimore cilësore dhe të aksesueshme për të gjithë nxënësit dhe mësuesit.
Ministrja Ogerta Manastirliu foli sot në Kongresin e PS, për reformat transformuese të qeverisë për arsimin shqiptar. Me synimin e përmirësimit të cilësisë së arsimit, një nga hapat kyçe sipas Manastirliut, është rritja e pagave për mësuesit.

“Viti 2024 do jetë viti i rritjes historike të pagave për mësuesit, duke e çuar për herë të parë pagën mesatare të mësuesve në 950 euro. Me rritjen e pagave, jo vetëm mbështesim mësuesit në sistem, por synojmë të tërheqim dhe të mbajmë individë të talentuar në profesionin e mësuesit për Shqipërinë e sotme por edhe për Shqipërinë e të nesërmes”, tha Manastirliu në Kongresin e PS.

Gjithashtu, një pjesë thelbësore e planit është dhe Programi Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve që synon të ofrojë trajnime efektive për mësuesit në lëndët kryesore të shkencave dhe gjuhës. Ministrja tha se ky plan do të nisë që vitin e ardhshëm. 

“Për mësuesit në 2024 do të nisim Programin Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve, që do të mundësojë trajnime për praktikat efektive të mësimdhënies në matematikë, gjuhë e shkenca, për të pasuruar aftësitë pedagogjike, në funksion të rritjes së nivelit të njohurive dhe nevojave të çdo nxënësi.”

Ajo u ndal edhe në planin “Shkolla 2030” që synon të transformojë arsimin parauniversitar. Kjo do të ndodhë duke përmirësuar kurrikulën, duke zhvilluar kompetencat e nxënësve dhe duke i orientuar ata drejt karrierës së tyre të ardhshme. Në rrugën drejt modernizimit, investimet në ndërtimin e 150 shkollave deri në vitin 2026 dhe rritja e aksesit në teknologjinë digjitale sipas Manastirliut, janë thelbësore. Kjo përfshin shtrirjen e 650 laboratorëve SMART në 2025 në shkolla për të përmirësuar përvojën e mësimit për nxënësit.
Reforma në Arsimin Profesional është gjithashtu një tjetër hap drejt forcimit të një sistemi arsimor gjithëpërfshirës, që shtrihet përtej rrugëve tradicionale akademike. Ministrja Manastirliu tha se këtu qeveria synon jo vetëm të mbështesë talentet dhe aftësitë e të rinjve, por dhe t’i orientojmë drejt një karriere që siguron punësim të sigurt.

Për të përballuar kërkesat e tregut të punës, qeveria dhe Ministria e Arsimit synojnë gjithashtu të ndërtojnë një dimension të ri për arsimin e lartë. Kjo do të bëhet duke ndërthurur programe të përbashkëta dhe duke zgjeruar ofertën akademike edhe përtej kufijve për të përshtatur nevojat e tregut të punës.

“Arsimi i Lartë do të hyjë në një dimension të ri, dimensionin europian dhe Kolegji i Evropës – Kampusi i Tiranës është shembulli më domethënës. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me tërheqjen e studentëve ndërkombëtarë, por me krijimin e mundësive për studentët shqiptarë të kenë Europën këtu, duke vënë gurin e parë të themelit për hapjen e filialeve e kampuseve të huaja në vend. Synimi ynë është Ndërkombëtarizimi i Universiteteve, zgjerimi i programeve dhe diplomave të përbashkëta me universitete prestigjioze në botë, me synim njohjen ndërkombëtare të universiteteve tona dhe nxitjen konkurrencën mes të diplomuarve në Shqipëri.”

Sipas Manastirliut ky hap përpara në fushën e arsimit shenjestron përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar dhe përshtatur sistemin arsimor sipas standardeve ndërkombëtare. Është një përgjigje ndaj sfidave të kohës, duke i dhënë prioritet të ardhmes së vendit dhe të gjeneratave të ardhshme.