07 Dhjetor, Tiranë- Miratohet në Kuvendin e Shqipërisë buxheti i shtetit për vitin 2024. Për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ky buxhet do të jenë në vlerën prej 52 miliardë e 223 milion lekësh, me një rritje prej 10.7% në krahasim me vitin e kaluar. Gjithashtu, është parashikuar një shtim prej rreth 4 miliard lekësh për rritjen e pagave për vitin 2023, duke e çuar në vlerën 56 miliardë e 223 milion lekë ose 9 miliard e 49 milion lekë më shumë se buxheti fillestar i vitit 2023.

Buxheti për vitin 2024 në fushën e arsimit dhe sportit siguron një rritje të konsiderueshme të investimeve në arsim, duke përfshirë rritjen e pagave për mësuesit, investime në infrastrukturën arsimore dhe digjitale, zgjerimin e financimit për programet e arsimit të lartë, për ndërkombëtarizimin dhe kërkimin shkencor, mbështet nxënësit dhe studentët, si dhe financon programet sportive dhe promovon sportin si motor zhvillimi.

Me buxhetin 2024 do të mbështet për herë të parë reforma në arsimin parashkollor. Për Arsimin Parashkollor nisi një Reformë që ka për qëllim jo vetëm mbështetjen e edukatorëve nëpërmjet rritjes së pagave, por dhe një paketë të re të standardeve dhe akteve ligjore me synim forcimin e mekanizmave të inspektimit dhe vlerësimit periodik të cilësisë së shërbimeve në kopshte.

Prioritet i buxhetit 2024 do të jetë viti ku do të nisë programi më i madh i trajnimit të mësuesve të shkencave, aftësive digjitale dhe gjuhës shqipe, me synim rritjen e nivelit të kualifikimit dhe zhvilluar cilësisht kurrikulën bazuar në kompetenca.

Me buxhetin e vitit 2024 do të vijojnë investimet në shkolla, do të përmbyllen rreth 30 objekte shkollore dhe do të hapim edhe program të ri të investimeve në shkolla për 2024-2025. Buxheti do të financojë krijimin e klasave miqësore për instalimin e 216 Smart Labs, që do të mundësojnë zgjerimin e programeve nga klasa e parë, e dytë e më tej të kurrikulës së re të kodimit në shkolla dhe  gjithashtu do vijojë mbështetja me pajisjet didaktike të laboratorëve shkencore në shkolla.

Buxheti 2024, do të mbështesë programin për teksteve shkollore falas dhe do t’i sigurojë për rreth 231 mijë nxënës nga klasa e parë në klasën nënëtë, si dhe 16-18 mije nxënës nga shtresat sociale në nevojë që ndjekin arsimin e mesëm të lartë. Do të sigurohet mbështetja për nxënësit që ndjekin shkollën dhe kanë pamundësi ekonomike dhe sociale do rritet duke mundësuar bursa për mbi 3,600 nxënës të arsimit parauniversitar nga shtresat sociale në nevojë. Me buxhetin 2024 do të shtohen edhe 100 punonjës të rinj mësues ndihmës për arsimin special në shkolla në mbështetje të fëmijëve me aftësi ndryshe. Buxheti 2024 do të sigurojë gjithashtu transportin falas gjatë vitit për mbi 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues.

Arsimit i Lartë dhe Kërkimit Shkencor, për vitin 2024,  do të financohen në vlerën 14 miliard e 616 milion lekë ose 2 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar i vitit 2023 ose 16% më shumë. Për sa i përket kërkimit shkencor buxheti ka një rritje prej 40% nga buxheti fillestar i vitit 2023.

Për vitin 2024 për sportin është parashikuar buxheti prej 576 milion lekë ku synohet: Mbështetja e Lëvizjes Sportive nëpërmjet zgjerimit të ekipeve sportive në shkolla, me KOKSH-i, duke angazhuar mbi 10 mijë nxënës në dy disiplina sportive volejboll dhe basketboll.

Buxheti i 2024 për arsimin dhe sportin është një buxhet që, përmes politikave dhe programeve që financohen sjell edhe më shumë cilësi, edhe më shumë akses dhe edhe më shumë gjithëpërfshirje në arsim dhe sport për nxënësit, studentët, mësuesit dhe stafin akademik.