Në një prononcim për Hashtag.al biznesmeni emiratas Mohamed Alabbar ka mohuar kategorikisht informacionet që qarkulluan paraditen e sotshme, në lidhje me një tërheqje të tij nga projekti “Durrës Marina”.
Ai shkroi se ndihet i befasuar nga këto lajme duke i konsideruar spekulative.
“Unë jam i befasuar nga këto lajme, zakonisht i injoroj thashethemet dhe shoh punën time. Këto lajme janë tërësisht të gabuara dhe spekulative. Po eci përpara me të gjithe detajet e projektit dhe nuk kam fare ndërmend të shes aksionet e mia në këtë projekt. Ju lutem vizitojeni personalisht zonën e projektit që ta shihni me sytë tuaj atë që po ndodh”, – u shpreh Al Alabbar.
Projekti “Durrës Marina” është një ndër punët më ambicioze dhe “dobësi” e kryeministrit Edi Rama, më herët opozita e goditi këtë projekt duke tentuar ta lidhte me miliarderin serb Bogoljub Kariç, i cili sipas opozitës ishte garanti i fondit të investimit.
Por më pas Hashtag.al zbuloi se në fakt garanti i projektit ishte vëllai i emirit të Emirateve, Tahnoon Al Nayhan, njëherësh dhe shef i shërbimeve inteligjente të Emirateve të Bashkuara Arabe.