Nga Mero Baze/
Ndriçim Xhepa është një nga aktorët e mëdhenj që kemi gjallë dhe një qytetar race, që i është imponuar shoqërisë si I tillë. Sot, ndërsa ai përcillte një nga miqtë e tij, Mirush Kabashin dhe fliste para kamerave për të ndjerin, u shfaq Sali Berisha, dhe duke i ndërprerë fjalën, lëshoi përroin e tij psikik për Mirush Kabashin, duke e trajtuar atë si udhëheqës të “Foltores”. Përtej gjestit të ndyrë të fyerjes së një artisti të madh, ajo skenë flet shumë më tepër se aq, për karakterin, paturpësinë, hipokrizinë dhe përdhunimin e shoqërisë shqiptare nga Sali Berisha.
E para, flet për hipokrizinë e Sali Berishës ndaj artistëve me vlera të këtij vendi. Ai që vraponte gjoja të nderonte një “të vdekur”, poshtëron publikisht artistët e mëdhenj që janë gjallë, ata që kanë nevojë të respektohen dhe nderohen si të tillë.
Sali Berisha ka problem me njerëzit e mëdhenj, sa janë gjallë.
Ka problem se ata nuk e pranojnë, nuk e gëlltisin dot primitivizmin e tij dhe mbi të gjitha, etjen për t’i përdorur. Dhe merr hak ndaj tyre kur vdesin, kur vrapon të bëjë sikur i ka pas miq e sikur i nderon. E bën këtë rëndom dhe me armiqtë e tij. Mjafton të shikoni si sillet pas vdekjes me Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Sokol Olldashin e gjithë kundërshtarët e tij edhe brenda partisë. Njëjtë dhe me të tjerë që nuk i ka bërë dot ushtarë. Kur ata janë të pafuqishëm si të vdekur, ai merr hak duke vrapuar të bëjë sikur i nderon. Dhe për të kuptuar sa fals është respekti i tij, për një artist të vdekur, shiko mungesën e respektit dhe primitivizmin që shfaq ndaj të gjallëve që janë në funeralin e tij. Do të mjaftonte skena brutale ndaj Ndriçim Xhepës, që këtij njeriu të mos i jepte dorën më kurrë asnjë artist.
Së dyti, ajo skenë flet shumë për standardin e medias shqiptare dhe hipnozën që Berisha ka krijuar mbi të. Në vetëdijen e çdo reporteri apo pronari televizioni është ngulitur ideja se kamerat janë pronë e Sali Berishës dhe në një ceremoni varrimi, edhe pse i ndjeri ishte një aktor i madh, që po nderohej nga miqtë e vet dhe qytetarët e Shqipërisë. Fakti që asnjë gazetar nuk pati guximin t’i thoshte “Më fal zoti Berisha se na ndërpreve intervistën”, por me buzën në gaz rregjistronin broçkullat e tij, tregon shumë për keqkatandisjen e shtypit në Shqipëri, para një përdhunuesi public, edhe të një ceremonie private. Dhe akoma deri tani nuk e gjej dot ndonjë copë interviste nga Ndriçim Xhepa që ky ja ka ndërprerë. Ai e përdhunoi atë ceremoni dhe mbi të gjitha ju pranua përdhunimi.
Së fundmi, ajo skenë tregon shumë edhe pse Sali Berisha nuk e pranon verdiktin e drejtësisë, apo pse nuk u nënshtrohet rregullave të këtij shteti apo kulturës urbane, si gjithë të tjerët. Ai ka një vetëndjerje, që aty ku është ai, nuk mund të ketë njeri tjetër pushtet, ka një vetëndjerje, se ai nuk është njeri i zakonshëm dhe nuk mund të trajtohet si gjithë të tjerët. Fakti që një artist po fliste para gazetarëve për kolegun e tij, e kthente atë në vetëdijen e tij si qytetar të dorës së dytë dhe duhet doemos të thyente çdo rregull dhe kod etik, dhe të imponohej. Ai nuk e pranon dot radhën, rregullin, ligjin dhe natyrisht as ndëshkimin. Është kjo arsyeja pse ai ngjan i xhindosur, pse ligji kërkon ta trajtojë atë si gjithë të tjerët, si gjithë ata që ka rrotull tij. Ai instinkt e shtyu të bënte atë gjest poshtërues dhe ndaj aktorit të madh Ndriçim Xhepa, i cili i hapi rrugë, jo thjesht se “budallait i duhet hapur rruga”, por thjesht si një kafshe që kishte hyrë në një banesë në një ditë zie dhe po bënte rrëmujë.