Komisionet bankare si instrumente grabitjeje
*Nga Gjon NDREJAJ
Profesori im i lëndës “Qarkullimi monetar dhe krediti” në fakultetin e Ekonomisë, na shpjegonte se banka është më së pari institucion besimi. Ti i beson asaj paratë e tua, ndërsa ajo të beson ty se do t’ja kthesh paratë kur të jep kur ti ke nevojat tuaja. Njerëzit që punojnë në bankë janë njerëz me integritet të lartë. Madje ai na tregonte një ngjarje që sipas tij kishte ndodhur vërtet. Një i huaj kishte ardhur asokohe në Shqipëri dhe për nevoja të veta do të thyente një çek në bankë. Punonjësja e bankës pasi kontrolloi vlefshmërinë e çekut nxorri një tufë kartmonedhash në sportel dhe filloi ti numëronte. I huaji i nervozuar ja rrëmbeu paratë nga sporteli pa i numëruar dhe i tha: “Në bankë nuk numërohen paratë”. Kjo do të thoshte se banka dhe personi në fjalë ishin krejt të besueshëm për të, prandaj numërimi i parave ishte i panevojshëm.
Në marrëdhënien me bankën, ne jemi gjithmonë në një pozicion partneriteti. Kur depozitojmë kursimet tona ne jemi huadhënës, i japim bankës paratë tona dhe ajo na paguan interes. Kur marrim një kredi, ne jemi huamarrës dhe banka na jep para dhe ne i kthejmë ato me interes. Në të dyja rastet, jemi partnerë. Por ka një moment kur dinamika ndryshon rrënjësisht dhe nga partnerë, ne kthehemi thjesht në konsumatorë të detyruar të një shërbimi monopol: Ky është momenti kur ne kryejmë shërbime bankare si transferta, pagesa, tërheqje cash-i apo verifikim i gjendjes.
Komisionet bankare një instrument grabitje.
Pikërisht këtu hyn në lojë termi “komision”. Dhe pikërisht këtu, mënyra se si këto komisione llogariten dhe justifikohen, përbën një nga format më të sofistikuara dhe më pak të debatuara të grabitjes institucionale të qytetarëve dhe të humbjes besimit dhe për rrjedhojë edhe prishjes së partneritetit..
Çfarë duhet të ishte komisioni? Në thelb, komisioni për një shërbim bankar duhet të jetë i thjeshtë: kosto reale e ofrimit të atij shërbimi, plus një fitim të arsyeshëm për bankën. Nëse një transferte brenda vendit kushton le të themi 200 lekë , energji elektrike, amortizim sistemesh dhe punë të një punonjësi, atëherë një komision prej 230 lekë, do të ishte i kuptueshëm për një shërbim që zgjati vetëm 2 minuta duket se është i pranueshëm.Por realiteti është krejtësisht tjetër. Bankat në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera, kanë zgjedhur një model tjetër llogaritjeje: përqindjen mbi vlerën e transaksionit. Dhe ky është thelbi i problemit.
Kur 2% kthehet në 200% fitim? Le të marrim një shembull konkret. Kështu, sipas tarifave të bankave shqiptare, tërheqja e parave në sportele ose në bankomatët e bankave të tjera varion nga 150 lekë deri në 0.1 përqind e shumës së transaksionit por jo më shumë se 2.000 lekë. Kjo do të thotë që nëse tërheq deri në 1.500,000 lekë, banka mban 150 lekë. Nëse tërheq 1.600.000 lekë, mban 1,600 lekë, që do të thotë që për 100.000 lekë mbi shumën 1.500.000 lekë komisioni është 1.450 lekë ose rreth 10 herë më i lartë. Pyetja që duhet bërë është: a kushton më shumë për bankën përpunimi i një tërheqjeje prej 1.500,000 lekësh sesa i një tërheqjeje prej 1.600,000 lekësh? Përgjigjja është jo. Kostot janë identike. Energjia që harxhon bankomati, rrjeti i komunikimit, koha që duhet për të verifikuar llogarinë është e njëjta. Por komisioni është 10 herë më i lartë.
Më absurde duken komisionet e aplikimit për bono thesari. Këtu komisioni ndryshon në vartësi afatit të maturimit të bonove. Kështu për bonot e thesarit me afat tremujor komisioni i aplikimit është 0.15 përqind e shumës së transaksionit, ndërsa për bonot e thesarit me afat një vjeçar, komisioni i aplikimit është 0.20 përqind e shumës së transaksionit. Koha për aplikim nuk është më shumë se 5 minuta dhe kostoja e aplikmit në të dyja rastet është e njëjtë. Problemi këtu është se madhësia e komisionit e aplikimit nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lidhje as me afatin e maturimit të bonove (tremujore apo vjetore) . Kostoja gjithashtu duhej te ishte fikse por banka në këtë rast pa asnjë rrezik ose kosto shtesë bëhet partnere në biznesin tim. Madhësia e komisionit duhej të ishte bazuar në koston e aplikimit dhe jo në afatin e maturimit të bonove.Përshkallëzimi i normës në përqindje të nga 0.15-në 0.20 përqind është tërësisht pa asnjë llogjikë ekonomike. Për të vlerësuar diferencën dhe anomalitë që bart kjo mënyrë vlerësimi po i referohemi komisionit bazë të depozitave që është 500 lekë ( Depozitë Cash nga klientë të rastit) dhe në fakt paraqet koston maksimale të transaksionit. Në rastin e aplikmit për bono thesari me afat njëvjecar, komisioni për një shumë aplikimi prej pesë milion lekë, është 10.000 lekë ose njëzet herë më e lartë.
Sa më sipër, nuk ka asnjë lidhje me koston e shërbimit por është thjesht një mekanizëm për të rritur fitimet në mënyrë disproporcionale, duke u maskuar pas një logjike që në dukje duket e padëmshme: “një përqindje e vogël”. Por 0.2% i një shume të madhe nuk është më një komision, është një taksë mbi paranë tënde.
E njëjta logjikë vlen për transfertat ndërkombëtare. Pse një transfertë prej 50,000 euro duhet të paguajë 10 herë më shumë komision se një transfertë prej 5,000 eurosh? A shkruan sistemi SWIFT më shumë rreshta kodi? A harxhon më shumë energji? Jo. Thjesht banka vendos që fitimi i saj të jetë në përpjesëtim me vlerën që ti zotëron, jo me punën që ajo bën.
Marifete “marketingu”përdoren edhe në depozita. Kështu një bankë të ofron interes 1.4 përqind për depozitat me afat një vjeçar ndërsa një bankë tjetër ka sajuar një skemë tjetër për të joshur klientët. Ajo ofron depozita me afat 18 mujor por interesi është 0.5 përqind për gjashtëmujorin e parë, 0.7 përqind për gjashtëmujorin e dytë dhe 4.8 përqind për gjashtëmujorin e tretë. Në se këto interesa do ti konvertosh me bazë vjetore si dhe të llogaritësh interesin e akumuluar diferenca është shumë e vogël midis 4.8 përqind dhe 1.4 përqind është shume e madhe dhe mashtruese. Klientët nuk e kanë kulturën dhe njohuritë e nevojshme për të bërë llogaritje dhe për të zgjedhur opsionet e përshtatshme por bien pre e shumave absolute.
Mungesa e transparencës dhe mbikqyrjes, aleati i grabitjes
Tregu bankar është një treg specifik dhe prandaj mbikqyrja e tij e vazhdueshme është një domosdoshmëri për shkak të rreziqeve që ai paraqet por edhe të mundësive të abuzimit dhe sigurimit të përfitimeve të padrejta në kurriz të qytetarëve, duke përdorur mekanizma të tilla si komisionet bankare apo edhe marifete të tjera. Referuar bilanceve të publikuara për vitin 2024, norma e fitimit në sektorin bankar (Kthimi nga kapitali ROE) është rreth 19.2 përqind, me një tendencë rritje prej 17 përqind nga periudha e mëparshme dhe rreth 15 përqind e këtij fitimi llogaritet të jetë realizuar nga interesat. Por ajo që të bie në sy është fakti se Shqipëria ka normën më të lartë të fitimit bankar në Europë. Kështu zona Euro ka vetëm 9.5 përqind të normës së fitimit, ose më pak se 50 përqind normës së fitimit të bankave që operojnë në Shqipëri. Kjo normë luhatet nga 6.8 përqind në Gjermani, në 18.5 përqind në Greqi. Për 9 mujorin 2024 fitimi i bankave në Shqipëri llogaritet përafërsisht 28 miliardë lekë dhe të ardhurat nga komisionet rreth 14 miliardë gjë e cila duhet tï japë një vemendje të shtuar organeve të mbikqyrjes dhe konkurrencës.
Duke qenë pjesë e tregut të lirë sigurisht që bankave nuk mund të ju diktohet tarifat e shërbimeve apo komisionet por mund të ju diktohet metodollogjia e llogaritjes së tyre mbi bazën e kostos. Dikush mund të se në kushtet e tregut të lirë sejcili mund të zgjedhë bankën që do. Po është e mundur por nuk është kaq e lehtë sa të zgjedhësh dyqanin e peshkut apo restorantin tënd të preferuar. Kjo kërkon procedura si dhe bart disa kosto të rënduara çka e e mbajnë të lidhur konsumatorin me bankën edhe kundër dëshirës së tijë.
Nëse mënyra e llogaritjes është mekanizmi, mungesa e transparencës është mjeti që e bën të mundur këtë grabitje. Sa prej nesh e dinë saktësisht se sa do të paguajnë për një transfertë ndërkombëtare përpara se ta kryejnë atë? Sa prej nesh janë informuar për “mark-up”-in e aplikuar mbi kursin zyrtar të këmbimit? Shpesh, klientët nuk informohen qartë mbi tarifat totale përpara se të kryejnë një transaksion, veçanërisht kur përdorin karta të huaja ose kur bëjnë këmbime valutore .Edhe kur në faqet përkatëse të bankave publikohen të dhëna deshifrimi i tyre nuk është i mundur për qyetarin e thjeshtë.
Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë edhe këtu. Një draft-rregullore e re kërkon që çdo tarifë për këmbimin valutor në ATM ose POS të shprehet qartë si përqindje mbi kursin zyrtar dhe të shfaqet përpara se klienti të autorizojë pagesën . Por kjo është një masë shumë e vonë dhe ende e pazbatuar plotësisht.Transparenca e munguar i lejon bankat të mbajnë “fitimin e padukshëm”. Nëse ti nuk e di sa po paguan, nuk ankohesh. Dhe nëse nuk ankohesh, ata vazhdojnë. Një tjetër element që ushqen këtë praktikë është mungesa e konkurrencës reale. Në Shqipëri, tregu bankar është i përqendruar dhe shërbimet paguhen shtrenjtë. Por ajo që vihet re është se bankat aplikojnë tarifa pothuajse të njëjta. Nuk ka luftë çmimesh për të tërhequr klientët, por përkundrazi, një lloj marrëveshje e heshtur. Edhe Autoriteti i Konkurrencës “është i qetë” pasi , nuk gjen domosdoshmërisht marrëveshje të fshehta, por konstaton se mungesa e transparencës dhe metodologjitë e llogaritjes janë të ngjashme .
Krahaso këtë me atë që ndodh në vende të tjera. Në disa vende , për shembull, qeveria po detyron bankat të zbatojnë “rrugëtimin me koston më të ulët”, duke i detyruar ato të zgjedhin automatikisht kanalin më të lirë të pagesës për klientin, jo atë që sjell më shumë fitim për to .
Partneriteti rrezikon të prishet
Banka është partnere kur ke nevojë për të. Kur do të marrësh kredi, ajo të trajton si klient të artë. Kur ke depozita, të siguron se paratë e tua janë në dorë të sigurt. Por momenti që kryen një shërbim të thjeshtë, ajo heq maskën dhe tregon fytyrën e vërtetë: atë të një tagrambledhësi që nuk ka asnjë lidhje me koston reale të shërbimit që ofron.
Llogaritja e komisioneve si përqindje mbi vlerën e transaksionit është një anakronizëm që duhet të zhduket. Në epokën e dixhitalizimit, ku kostot e përpunimit janë pothuajse zero dhe nuk ndryshojnë në bazë të shumës, vazhdimi i kësaj praktike është thjesht një formë grabitjeje e mirorganizuar.Sepse partneriteti i vërtetë nuk ndërtohet mbi grabitjen e partnerit më të dobët, por mbi transparencën dhe drejtësinë. Kur ai të vjedh apo tä bën me hile sic thotë populli atëherë ky partneritet ka përfunduar dhe mbahet me zor. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Konkurencës duhet të ndërhyjnë për të na “pajtuar”me bankat….










