Edhe pse kanë kaluar gati tre vite nga pandemia e Covid-19, disa vuajnë ende pasojat edhe pse post Covid u tha që ndihet deri tre muaj pas kalimit të sëmundjes.
Ende shumë qytetarë nuk janë më aq efektivë në punë siç ishin para se të prekeshin nga ky virus. Pothuajse gjysma e atyre pacientëve që e kaluan në formë të rëndë sëmundjen, apo dhe të moderuar vuajnë pasoja të Covidit të zgjatur.
Mjekët shpjegojnë se virusi i Covdi-19 ka prekur sisteme të rëndësishme në organizëm, siç janë artikulacionet e të tjera, të cilat kërkojnë kohë të gjatë rikuperimi.
“Përkufizimi thotë 3 muaj pas kalimit të Covidit, por në praktikën e përditshme po e shohim edhe muaj pas kalimit të Covidit, prekje të sistemit nervor, të dëgjimit, të nuhatjes. Ka plot që ende nuk i është rikthyer shija dhe nuhatja. Ka ndryshime në zë, çrregullime në metabolizëm, aparatit urinar, tregojnë për pasojat e virusit“, tha Esmeralda Meta, mjeke infeksioniste.
Ka shumë njerëz të cilët patën prekje të mushkërive nga virusi i Covid-19, pasojat e të cilit po u reflektohen edhe sot me frymëmarrje të vështirësuar gjatë aktivitetit në punë. Ndërkohë që virusi i Covid-19 ka përshpejtuar në kohë shumë sëmundje të cilat do t’i preknin njerëzit por në një moshë më të madhe.
Sot e gjithë bota po përballet me më pak njerëz efektiv në punë për shkak të pasojave të Covid. Në Shqipëri nuk ka matje të fenomenit por një tregues janë raportet e shpeshta mjekësore të punonjësve.