Fundjava pritet të shoqërohet me temperatura mbi mesataren e ditëve të Dhjetorit. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikani Hakil Osmani nga “MeteoAlb” thotë se pritet që këtë fundjavë të kemi kryesisht mot të qëndrueshëm, por nuk përjashtohet mundësia për reshje shiu apo dëbore në zona të izoluara. Problematike për fundin e ditës së sotme dhe të shtunës pritet të jetë parametri i lartë i erës.
Hakil Osmani: Dita e sotme mbetet me vranësira të shpeshta. Më të dukshme janë në zonat veriore, duke krijuar mundësira për reshje shiu. Pjesa e dytë e ditës do t’i bëjë vranësirat më të shpeshta, duke bërë që të kemi reshje në zona të izoluara në veri-perëndim të territorit shqiptar, ndërsa pjesa tjetër e territorit mbetet me reshje të papërfillshme.
Dita e shtunë, në pjesën e parë do të jetë nën mbizotërimin e motit të qëndrueshëm, do të kemi vranësira, por herë pas here kemi edhe intervale me kthjellime në territorin shqiptar. Parashikohet që pjesa e dytë e ditës të sjellë reshje shiu, të cilat kryesisht do të jenë në Ultësirën Perëndimore në sasira të pakta, ndërsa në zonat malore do të kemi shfaqje të flokëve të dëborës. Edhe gjatë ditës së dielë do të jetë një mot me vranësira, reshjet herë pas here priten të jenë prezente në territorin shqiptar.
Problematike gjatë fund-ditës së premte dhe fundjavës është parametri i erës. Është një erë shumë e fortë në det të hapur. Pritet të jetë edhe me një shpejtësi 80-85 km/orë nga drejtimi jugor, duke bërë që edhe dallgëzimi të jetë më i lartë në det të hapur. Mbetet shumë e fortë era duke bërë që të kemi problematika herë pas here përsa i përket trafikut detar. Edhe në tokë, pritet që era të jetë problematike pasi pritet që të shfaqet në intervale të shkurtra kohore. Era mbetet problematike edhe ditën e shtunë, kurse ditën e dielë, fatmirësisht kemi një rënie të intensitetit të parametrit të erës.
Temperaturat do të jenë të larta sot, maksimumet shkojnë deri në 20 gradë Celsius në rang territori. Mbeten të larta edhe të shtunën. E diela sjell një rritje të ndjeshme të tyre në orët e para të mëngjesit duke bërë që në qytetet e zonave malore të kemi temperatura pozitive, 2-3 gradë Celsius, ndërsa në Ultësirën Perëndimore t’i kemi nga 9-10 gradë Celsius.
Por si pritet të jetë moti në muajin Dhjetor? Këtë na e thotë sinoptikani Hakil Osmani.
Hakil Osmani: Dhjetori në vija të përgjithshme pritet të jetë një muaj me temperatura më të larta se vlerat normale. Do të ketë ditë që do të sjellin edhe temperatura të ulëta, do të kemi episode ku do të kemi futjen e masave ajrore të ftohta, çka do të bëjë që të kemi temperatura në vlera negative. Përsa i përket reshjeve, do të jenë prezente në territorin shqiptar edhe në formën e dëborës, kryesisht zonat të cilat do të jenë më të prekura, janë ato të veri-lindjes. Ka sinjale që të paktën në 15-ditësh e parë, reshjet të mos jenë problematike.