Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në vijim të vizitës në Bullgari, u takua këtë të mërkurë me efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në Grup batalionin e NATO-s, të stacionuar në Novo Selo, në kuadër të masave te shtuara te vigjilencës “Enhanced Vigilance Activity”.
Kreu i Shtetit përgëzoi ushtarët, oficerët dhe nënoficerët, që janë pjesë e kësaj strukture për shërbimin e çmuar ndaj vendit.
Presidenti, gjithashtu, shprehu mirënjohjen për efektivët qe festat e fundvitit i gjejnë në krye të detyrës.
“Ju, këto festa ju gjejnë larg familjes dhe njerëzve tuaj të dashur, por në krye të detyrës dhe në shërbim të një misioni fisnik në ruajtje të paqes, sigurisë, lirisë dhe prosperitetit”.
Presidenti e vlerësoi shërbimin e ushtarakëve shqiptarë në misionet e NATO-s, duke theksuar se me sakrificën, përkushtimin, përgegjshmërinë dhe disiplinën e treguar, ata kanë lartësuar emrin e Shqipërisë si një anëtare e denjë e Aleancës Veri-Atlantike.