Teksa në Kuvend ka mbërritur shkresa e SPAK për autorizimin për arrestimin e Sali Berishës, e njëkohësisht edhe po kalon ndryshimi në rregullore për ashpërsimin e dënimit maksimal me 60 ditë, PD zyrtare ka menduar propozimin e një amendamenti (që i shtohet rregullores) që deputetët të heqë dorë vullnetarisht nga imuniteti.

Sipas amendamentit, në momentin që nis legjislatura e re, deputetët duhet të bëjnë një deklarim paraprak, që heq dorë nga imuniteti në rast se nis një hetim për të, dhe autorizimi atëherë kur kërkohet nga organet e drejtësisë, quhet i dhënë automatikisht me këtë deklarim.

Ky amendament ende nuk është dorëzuar në Kuvend, informon gazetarja e Report Tv, Daniela Maloku.

Sipas rregullores aktuale dënimi për deputetët të cilët bllokojnë punimet e Kuvendit parashikohet 10 ditë, ndërsa sipas kërkesës së Partisë Socialiste pritet të ndryshohet dhe ky dënim të bëhet deri në 60 ditë. Votimi do të bëhet nesër në kuvend më 14 dhjetor 2023.

Prej dy muajsh deputetët mbështetës të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit nuk lejojnë zhvillimin normal të seancave duke krijuar kaos pasi akuzojnë maxhorancën se po u refuzon të drejtën kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore dhe se po përpiqet të përcaktojë përfaqësuesin e opozitës në komisionin e Reformës Zgjedhore.