Ekonomia shqiptare u rrit me 3.46% gjatë tremujorit të tretë pavarësisht periudhës inflacioniste që po përjeton vendi dhe rritjes së normave të interesit.
Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia janë ato që kanë dhënë kontributin më të fortë pozitiv në këtë rritje ndjekur nga aktivitetet e pasurisë së paluajtshme dhe ndërtimi.
Ndërkohë me kontribut negativ është industria nxjerrëse e përpunuese si dhe bujqësia. Të dy këta sektorë prej dy tremujorësh vijojnë të kenë perfomancë negative.
Gjatë këtij tremujori që përkon dhe me kulmin turistik pati një rritje të fortë të sektorit arteve, argëtimit dhe çlodhjes, ndërkohë edhe aktivitetet shkencore, profesionale kanë ardhur gjithashtu me rritje ku përfshihen panairet e ndryshme apo evenimente të tjera.
Sa i përket rritjes së prodhimit të brendshëm bruto matur me metodën e shpenzimeve. Rritja e rrogave ka dhënë kontribut të fortë në rritjen e konsumit nga administrata publike, ndërkohë me rritje vjen edhe konsumi i popullatës edhe pse me një normë më të ulët se tremujorin e parë dhe të dytë.
INSTAT shprehet se eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rikuperuan me 11% në tremujorin e tretë, pas një kontributi negativ në tremujorin e dytë. Ndërkohë importet shënuan kontribut negativ ndikuar kjo dhe nga rënia e vlerës së euros. Edhe komponenti i investimeve publike dhe privatë pësoi rënie në tremujori ne tretë.
Deri më tani mesatarja e rritjes ekonomike të Shqipërisë është 3.1%. Sipas Bankës së Shqipërisë ekonomia mund të zgjerohet me 4%, duke e vendosur ndër vendet me rritjen më të fortë në rajon. Një faktor në këtë kanë luajtur shifrat rekord në turizëm, që përmbysën dhe parashikimet e zymta për rritje të dobët ekonomike.