Rusia u vu në shënjestër të kritikave të ashpra në Këshillin e Sigurimit të OKB, për sulmin masive raketor dhe me dronë kundër Ukrainës, pasi Kievi dhe mbështetësit e tij kërkuan një mbledhje urgjente për të adresuar çështjen. Në bombardimet më të rënda ajrore që prej fillimit të luftës, Moska shkaktoi 31 viktima dhe mbi 160 të plagosur në qytete të ndryshme ukrainase, ndërsa Polonia tha se një raketë ruse kishte fluturuar edhe mbi hapësirën e saj ajrore para se të rikthehej në Ukrainë.
“Tragjikisht ,2023 po përfundon ashtu siç nisi, me dhunë shkatërruese kundër popullit të Ukrainës. edhe një herë ukrainasit janë detyruar të kalojnë pushimet nëpër vendstrehime, duke pastruar rrënoja e duke varrosur të vdekurit mes temperaturave të acarta”, tha Khaled Khiari, asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Shumica e anëtarëve të Këshillit, përfshirë SHBA, Francën dhe Britaninë e Madhe i dënuan sulmet kundër Ukrainës, duke thënë se Putin po kujdesej ta shënjonte sezonin festiv me sulme të paprecedentë me dronë dhe raketa. Kina nuk e dënoi valën e sulmeve, por kërkoi zgjidhje politike për luftën në Ukrainë. Sakaq, ambasadori rus ne OKB bëri një paralajmërim të zymtë për Kievin, duke i thënë të përgatitej për lajmet më të këqija në të ardhmen e afërt.
“Planet ushtarake të Kievit kanë dështuar kështu që regjimi ukrainas dhe mbrojtësit e vet perëndimorë do ta gjejnë veten duke u përballur me lajmet më të këqija në të ardhmen e afërt”, tha ai.
Autoritetet ukrainase bënë me dije se Rusia kishte përdorur çdo lloj armatimi të arsenalit të vet në sulmin e së premtes, duke shkatërruar godina banimi dhe spitale. Forcat ajrore thanë se nuk kishin parë kurrë kaq shumë raketa të hedhura njëkohësisht.