Pasi Kuvendi i dërgoi Prokurorisë së Posaçme (SPAK) shkresën me vendimin e marrë në seancën e sotme parlamentare për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ky i fundit lajmëron se në orën 18:30 do mbledhë Kryesinë.

Ende nuk dihet se çfarë do të diskutohet, por në fokus mund të jenë hapat e mëtejshëm që do të ndjekë opozita në aksionin që ka ndërmarrë që prej rreth 2 muajsh.

Kujtojmë se sot, mes kaosit në sallën e Kuvendit dhe protestat jashtë, mazhoranca miratoi me 75 vota pro kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, procedurë që i hap rrugë arrestimit të tij.

Ish-kryeministri e cilësoi vendimatikushtetues, ndërsa paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë.

Rreth dy orë pas votimit në seancën plenare, vendimi që mban firmën e Lindita Nikollës u dërgua në SPAK.

“Bashkëlidhur ju dërgojmë: Vendim nr. 127/2023 “Për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.

Gjithashtu, bashkëlidhur ju dërgojmë edhe raportin rekomandues të deputetëve të shumicës parlamentare, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, dhe raportin rekomandues të deputetit Enkelejd Alibeaj, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”, thuhet në dokumentin e dërguar në SPAK.

“KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: 1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit. II. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendim.