Analisti Arben Meçe, në një intervistë për “Newsline” me gazetaren Viol Xhafaj, komentoi shtyrjen e gjyqit ndaj Sali Berishës për të dytën herë radhazi. Në seancën e caktuar të shtunën, në orën 12:00, pritet të merret vendimi lidhur me kërkesën e SPAK për ‘arrest me burg’ për ish kryeministrin.

Meçe theksoi se masa e sigurisë ndaj Berishës do të zbatohet pavarësisht shtyrjes së gjyqit. Më tej, analisti u shpreh se Berisha e ‘lexoi’ përfundimisht braktisjen e qytetarëve dhe anëtarëve demokratë me protestat që organizoi ditët e fundit përpara Parlamentit dhe Gjykatës së Lartë.

“Nuk e di pse e bëjnë një gjë të tillë. Është thjesht një masë sigurie që do apo nuk do, do të ekzekutohet. Masa do të ekzekutohet nëse shtyhet 3, 5 apo 7 ditë, nuk ka vlerë. Ndoshta Berisha mund të kërkojë urdhër të paraqitet para prokurorisë dhe të pyetet. I është kërkuar të pyetet siç janë pyetur të gjithë. Edhe Ilir Meta kërkohet në Prokurorinë e Posaçme dhe të pyetet.

Edhe ka qenë ish president, përsëri pyetet dhe nuk cenohet asnjë e drejtë e tij. Është ligji që e mbron megjithatë pyetja në prokurori nuk është bllokim kushtetues por thjesht një liri që i është vënë në dispozicion prokurorisë. Kështu që nëse do të pretendonin se Berisha do të bënte një protestë të madhe në fillim janari ose fund dhjetori hajt se po e shtyn se do të jetë prezent atje. Kjo procedurë është e pavlerë. Kodi i Procedurës Penale po respektohet në mënyrë rigoroze dhe kur kanë filluar masat e sigurisë të Berishës e deri më sot kemi një zbatim të kodit të procedurës penale, i cili tani po bëhet më i dukshëm mbi këto seanca që po shtyhen pa kuptim.”, tha Meçe.

“Berisha lexoi përfundimisht braktisjen nga ana e qytetarëve. Problemi është se e braktisën edhe ata 44 mijë anëtarë të PD që mbështetën Berishën. Gjithçka që Berisha ka tentuar në opinion është se Foltorja është një armatë e tërë mbi 70 mijë veta, për të cilën 44 mijë kanë votuar për Berishën. Nuk është gjë tjetër veçse një dështim dhe manipulim. Nuk ka më protesta. Berisha i lexoi protestat në kulmin e gjendjes së tij përpara disa ditësh kur iu hoq mandati dhe dje me të drejtën e vulës së PD-së.”, përfundoi analisti.