Viti i Ri 2024 po troket. Sonte është nata e madhe e ndërrimit të viteve, ndërsa qytetarët po bëhen gati për të festuar mes familjarëve e miqve.

Jo vetëm kryeqyteti, por nga veriu në jug, qytetet janë veshur me dekorin festiv. Turistë të huaj, por edhe shumë shqiptarë që jetojnë jashtë kanë zgjedhur që natën e ndërrimit të viteve ta festojnë në Shqipëri.

Atmosfera festive ndihet kudo, sheshet e qyteteve janë shndërruar në sofër mikpritëse. Në sheshin ‘Skëndërbej’ në Tiranë do të ketë spektakël fishekzjarrësh. Kjo natë do të dhurojë plot emocione, ku në shesh do të ketë edhe një koncert me të ftuar si Ardit Çuni, Era Istrefi e Arilena Ara.

Atmosferë festive do të ketë edhe në qytetet e tjera të vendit. Në Korçë, një prej vendeve më të preferuara për të kaluar fundvitin do ketë spektakël fishekzjarrësh kur akrepat të shënojnë 00:00, ndërsa do ketë edhe një koncert me këngëtarin Bledi Polena tek Pazari i Korçës.

Edhe në Shkodër do të ketë spektakël fishekzjarrësh, ndërsa në orën 11:30 do ketë edhe një koncert festiv në sheshin para Bashkisë, ku do të performojë Sidrit Bejleri.