Trajneri i kombëtares së Spanjës, Luis de la Fuente, pranoi mungesën e fatit në shortin e Euro 2024 me një grup B së bashku me Kroacinë, Italinë dhe Shqipërinë që, “me siguri” është “një nga më të vështirët”, por ai tregoi besim në cilësinë e lojtarëve dhe përparimin e ekipit të tij.

Të besuarit e Luis de la Fuente do të debutojnë më 15 qershor në Berlin kundër Kroacisë së Luka Modric, Mateo Kovacic, Brozovic apo Ante Budimir.

Ndeshja e dytë e La Roja do të jetë kundër Italisë (20 qershor) dhe e treta, kundër Shqipërisë në atë që do të jetë ndeshja e fundit e fazës së grupeve.

Edhe pse pengesat më të rëndësishme vijnë në dy ndeshjet e para, trajneri i spanjollëve paralajmëroi: “Të mos harrojmë Shqipërinë, e cila ka dalë e para në grup, përpara Çekisë dhe Polonisë”.