Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka prezantuar strategjinë për mbrojtjen e viktimave të krimit për periudhën kohore 2024-2030. Gjatë fjalës së tij, ministri Manja është shprehur se kjo çështje është në fokus të shërbimeve juridike falas dhe se po marrin masa shtesë për mbrojtjen e viktimave të krimit.

Ministri Manja ka deklaruar se objektivi kryesor i kësaj strategjie është adresimi i fragmentimit të mbrojtjes së viktimave të veprës penale në tërësi si dhe të viktimave me nevoja specifike mbrojtje.

Ulsi Manja: Në fokus të të gjithë shërbimeve juridike falas që ne sot japim nëpërmjet ndihmës juridike i kemi orientuar drejt viktimave të krimit për të marrë në mbrojtje si duhet pozitën e tyre ligjore në raport me procesin penal, por edhe me shërbimet e tjera që iu ofrohen viktimave të krimit. Objektivi kryesor i kësaj strategjie është adresimi i fragmentimit të mbrojtjes së viktimave të veprës penale në tërësi si dhe të viktimave me nevoja specifike mbrojtje. Strategjia qartëson zinxhirët e përgjegjësisë dhe mjetet për realizimin me eficencë të të gjithë procesit të trajtimit dhe mbrojtjes së viktimave, duke filluar me informimin e viktimës, trajtimin me dinjitet të tyre, parandalimin e viktimizimit dytësor dhe riviktimizimit, mbështetjen dhe mbrojtjen për viktimat në çdo fazë të procesit dhe kur është e nevojshme dhe pas procesit penal. Në vlerësimin tim, marrja e shërbimeve dhe pas procesit penal duhet të jetë një nga detyrat kryesore të institucioneve tona.

Një nga objektivat tona, është shumë e rëndësishme të krijohet raporti i besimit mes viktimave të krimit dhe drejtësisë sepse nëse do të arrijmë, do të kemi mbrojtje të viktimave dhe do të rritet sensibilizimi i opinionit publik për t’i marrë në mbrojtje viktimat. Masa që parashikon strategjia, synojnë krijimin e një mjedisi miqësor, shtimin e procedimeve penale, por edhe dënimeve penale në raport me këto vepra penale. Sapo mbyllëm 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore që lë një rol kyc. Në këtë strategji ka gjetur vend dhe dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje. Për t’u arritur këto qëllime, strategjia kërkon energji, bashkëpunim të shtuar nga të gjithë aktorët e përfshirë. Pjesë e kësaj strategjie është edhe pushteti vendor për zbatimin e kësaj strategjie. Një aspekt tjetër është edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve në luftën kundër fenomeneve dhe mbrojtja e viktimave të krimit mbetet jetike. Ndërgjegjësimit i është kushtuar vëmendje e madhe në këtë dokument që ne prezantojmë sot. Drejtësia cilësore nuk mund të jetë privilegj, por është një e drejtë e pamohueshme për të gjithë!