Pjesa më e madhe e Maqedonisë së Veriut u mbulua nga dëbora mëngjesin e së shtunës. Reshje më intensive ka pasur në zonat malore. Termometri ka zbritur në minus 5 gradë Celsius ndërsa trashësia e dëborës në disa zona ka arritur në 50 centimetra.

Megjithatë kanë qenë të shumtë ata që kanë rendur drejt pikave turistike, siç është kodra e diellit në Tetovë.

Qytetarët thonë se pavarësisht motit zgjodhën të kalonin fundjavën në këtë vend.

Reshje dëbore ka pasur edhe në Mavrovë dhe Krushevë. Probleme ka pasur edhe në qarkullim pasi disa rrugë malore janë bllokuar për shkak të reshjeve të borës.