Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm gjatë 36 viteve të pluralizmit, por shumë nga problemet themelore të politikës së saj kanë mbetur thuajse të njëjta me ato të viteve të para pas rënies së diktaturës. Kjo është një nga tezat kryesore të gazetarit dhe botuesit Mero Baze gjatë bashkëbisedimit në Apostrof Podcast me Bjorn Runën, ku ai analizon korrupsionin, Reformën në Drejtësi, pushtetin e kryeministrit Edi Rama, protestat e fundit, partitë politike dhe sfidat e decentralizimit të pushtetit lokal nga ai qendror.

Për Bazen, problemi nuk është domosdoshmërisht tek fakti se politika nuk ndryshon – në fakt ai thekson se politika në përgjithësi priret të përsërisë vetveten – por shqetësuese është se kultura politike shqiptare vazhdon të riprodhojë të njëjtat mekanizma që në fund e kapin atë. “Politika është një lloj tradite, e cila nuk ndryshon në thelbin e saj. Ajo përsërit vetveten, përsërit të njëjtat skema elektorale, të njëjtat teza politike. Ndryshojnë vetëm aktorët politikë”, thotë ai.

Më shqetësuesi prej tyre, thotë Baze, është korrupsioni, të cilit duket se asnjë prej qeverive të tranzicionit nuk i ka shpëtuar dot. Pikërisht këtu dhe tek Reforma në Drejtësi ndalet edhe një nga segmentet kryesore të intervistës. Baze e konsideron SPAK-un “heroin e vetëm të vërtetë të betejës kundër korrupsionit”, por njëkohësisht e kritikon ashpër për metodat që, sipas tij, janë joprofesionale dhe represive. Ai argumenton se problemi i drejtësisë së re nuk është se kontrollohet domosdoshmërisht nga politika, por se po merr vetë një rol politik: “Drejtësia po prodhon më shumë politikë tani sesa e prodhon politika.”

Edhe për fuqinë e Kryeministrit Edi Rama, Baze sheh një problem më të madh se vetë individi. Sipas tij, aty kombinohet aftësia personale për të grumbulluar pushtet me një centralizim institucional që mund të bëhet shumë i rrezikshëm në duart e një pasardhësi. “Problemi që ka Rama është se ka grumbulluar pushtet për lehtësi qeverisjeje, por përpara se të ikë duhet ta zhbëjë këtë pushtet. Duhet ta zhbëjë vetë me duart e veta”, thotë ai.

Në analizën e protestave të fundit, Baze bën një ndarje të prerë mes fazës së parë qytetare dhe asaj që erdhi më pas. “Protesta ka zgjatur vetëm dhjetë ditë. Kjo pjesa tjetër nuk është protestë”, shprehet ai, duke argumentuar se reagimi spontan i fillimit humbi mundësinë për të prodhuar një elitë të re aktivizmi dhe u zëvendësua nga rivalitete të brendshme, gjuha linçuese dhe përpjekje për përvetësim politik.

Në fund, pyetjes nëse sheh sot një figurë që mund të zëvendësojë Edi Ramën si kryeministër, Baze i përgjigjet se nuk ka një emër të dukshëm në horizont, veçanërisht brenda Partisë Socialiste. Por, sipas tij, historia shqiptare ka treguar se kryeministrat mund të prodhohen shumë shpejt nga rrethanat politike. “Kryeministri i një vendi, në vende si Shqipëria, prodhohet për njëzet e katër orë. Mund të dalë shumë i mirë, mund të dalë shumë i keq, por nuk ka të bëjë me aftësitë e tij, se këtu përveç Fatos Nanos, Sali Berishës, Edi Ramës edhe Ilir Metës, që e kanë kërkuar atë që kanë, të tjerët kanë marrë atë që s’kanë kërkuar”, thotë ai.

TRANSKRIPTI I PLOTË

Bjorn Runa: Ju shkruani prej më shumë se tridhjetë vitesh për politikën në Shqipëri dhe dua ta filloj pak më thjesht. Kur shihni politikën shqiptare sot, a ka ndryshuar realisht ndonjë gjë në tridhjetë e pesë vite?

Mero Baze: Ekziston një lloj obsesioni për të kërkuar te politika faza të ndryshme reformimi, apo faza tranzitore, apo faza kthese në politikë. Politika është një lloj tradite, e cila nuk ndryshon në thelbin e saj. Ajo përsërit vetveten, përsërit të njëjtat skema elektorale, të njëjtat teza politike. Ndryshojnë vetëm aktorët politikë, kështu që nuk është një tragjedi nëse thuash që politika nuk ka ndryshuar. Nuk ndryshon politika, kështu ka qenë njëqind vjet. Kështu është edhe politika e viteve ’20 në Shqipëri, kështu është edhe politika e viteve ’30. Ndryshon politika gjatë komunizmit, se nuk është më politikë, është sistem, është regjim. Por sistemet e hapura kanë gjithmonë të njëjtat probleme, kështu që nuk mund të themi tani që, gjatë këtyre tridhjetë e gjashtë viteve të pluralizmit politik në Shqipëri, është tragjedi se politika është njësoj. Njësoj do të jetë politika. Ndoshta është edhe më mirë që është njësoj sesa të mos jetë njësoj. Ajo që ka ndryshuar gjatë tridhjetë e gjashtë viteve natyrisht është Shqipëria, është shoqëria shqiptare, janë politikanët shqiptarë, që janë të ndryshëm, nuk janë gjithmonë të njëjtët, edhe pse disa prej tyre janë shumë rezistentë. Dhe ky është i vetmi rregull i politikës në gjithë botën: ndryshon elita, ndryshojnë garniturat politike të një partie, të gjithë shoqërisë, ndryshojnë qeveritë dhe ne kemi disa faza të zhvillimit politik të këtyre tridhjetë e gjashtë viteve. Kemi periudhën e parë të qeverisjes së Partisë Demokratike, e cila ishte, si të thuash, një forcë entuziaste që lindi pas rënies së komunizmit dhe përfundoi brenda pesë viteve në një katastrofë kombëtare, duke shkaktuar trazira mbarëkombëtare, destabilizim të vendit dhe humbje të sovranitetit të vendit. Ne, prej 24 marsit ’97 deri më 24 korrik të ’97-s, kemi qenë të qeverisur nën flamurin e OKB-së, nga forca ndërkombëtare. Pra kemi humbur sovranitetin e vendit për shkak të trazirave politike. Kemi periudhën e stabilizimit të demokracisë shqiptare që fillon pas vitit ’97 me qeverisjet e majta, të cilat kishin një shumicë të konsoliduar kushtetuese në Kuvend, që, me thënë të drejtën, nuk e përdorën as në mënyrën e duhur dhe as për ndonjë progres të dukshëm, përveç stabilizimit të vendit. Dhe kemi rikthimin e Partisë Demokratike në vitin 2005, e cila erdhi me një mentalitet të ri në pushtet, por shumë shpejt, brenda dy viteve, pushteti përsëri u kap nga familja e kryeministrit, nga një rreth i ngushtë njerëzish dhe përfundoi përsëri në një regjim të korruptuar. Riardhja e së majtës në vitin 2013 i dha një hap përpara progresiv Shqipërisë dhe e bëri Shqipërinë më moderne, më urbane, por e humbi, njësoj si gjithë qeveritë e tjera, betejën me korrupsionin. E humbi betejën me krijimin e një administrate moderne, perëndimore, në kuptimin e logjikës së funksionimit. Si të thuash, ngeli në atë batakun e një administrate të korruptuar, larg qytetarëve, larg shërbimeve, pavarësisht hapave që bën në aspektin e avancimit drejt Bashkimit Evropian, në progresin formal drejt BE-së, në një zhvillim të jashtëzakonshëm të vendit dhe të ekonomisë. Ekonomia shqiptare kurrë s’ka qenë më mirë sesa në këtë periudhë, por duket që sëmundjet bazike të shoqërisë shqiptare nuk i ka zhdukur dot askush. Korrupsioni, që është sëmundje otomane në mentalitetin e administratës shqiptare, askush nuk ka mundur ta fitojë dot atë betejë. Edi Rama përpiqet ta fitojë këtë betejë me teknologji. Është një hap përpara, por përsëri në thelbin e administratës qëndron formimi profesional i atij që i shërben qytetarit dhe ai formim është përsëri otoman, është jo perëndimor. Është totalisht në një pozicion që përpiqet gjithmonë ta kapë qytetarin dhe jo t’i shërbejë qytetarit. Në qoftë se qytetari ka një hall, është në hall në radhë të parë me administratën, pastaj me hallin e vet.

B.R.: Çfarë e bën kaq të vështirë, domethënë, këtë betejë me korrupsionin? Ose ndoshta jo eliminimin e plotë, mund të jetë shumë e vështirë ose e pamundur, por pse të gjitha qeveritë që kanë qenë në këto tridhjetë e gjashtë vite e kanë humbur këtë betejë dhe, siç e thatë edhe ju, në një moment të caktuar janë kapur nga sistemi, janë kapur nga korrupsioni?

M.B.: Nuk është se ka dikush ndonjë recetë se si mund ta zhdukë korrupsionin e administratës shqiptare. Unë mendoj se problemi i parë është kultura politike e vendit. Kultura politike e Shqipërisë, e bazuar te bakshishi, te nderi, te klani, te familja, te të afërmit, është një kulturë shumë lindore, me thënë të drejtën, dhe nuk është se komunizmi ka arritur ta zhdukë këtë kulturë. Në komunizëm, po të vidhje, dënoheshe rëndë. Dënoheshe sikur të kishe bërë një krim të madh kundër shtetit. Por të gjithë vidhnin edhe në komunizëm. Duket banale ta thuash tani, po kush punonte në fabrikën e letrës vidhte letër, kush punonte në fabrikën e pulave vidhte pula, kush punonte te kushinetat vidhte kushineta. Kultura e vjedhjes së vogël ka ekzistuar në shoqërinë shqiptare. Kjo nuk justifikon korrupsionin e madh dhe korrupsionin e tanishëm të administratës, por është një lloj argumenti për kulturën politike të korrupsionit që ekziston në shoqërinë tonë. Ajo që është e rëndë dhe që shoqëria nuk duhet ta gëlltisë është korrupsioni i madh, korrupsioni në nivelet e larta. Korrupsioni në nivelet e larta është ai katalizatori që mban gjallë korrupsionin e administratës poshtë. Nuk do të thosha që po të mos vidhnin ata lart, nuk do të vidhnin këta poshtë. Ata prapë do vidhnin poshtë, por dëmi i tyre në shoqëri në tërësi është më i vogël. Dëmi më i madh që bëjnë këta poshtë që vjedhin është që vjedhin qytetarin në mënyrë direkte dhe nuk japin shërbime. Kurse dëmi që bëjnë zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion është se ata bëhen model për vartësit e tyre dhe, në qoftë se vartësi ndan lekët me drejtorin, në qoftë se drejtori ndan lekët me ministrin, historia pastaj është: bëj çfarë të duash, nuk e lufton dot korrupsionin. Ai shkon në një sistem që e kap edhe sikur të jetë i ndershëm. Ai futet në një punë ku i thonë: duhen kaq lekë në fund të muajit. Dhe kjo gjë nuk është luftuar në Shqipëri. E vetmja betejë reale kundër tyre, por jo profesionale, është beteja e SPAK-ut. Domethënë, SPAK-u është heroi i vetëm i vërtetë i betejës kundër korrupsionit në Shqipëri, por me metoda po aq të padrejta dhe joprofesionale sa çdo gjë tjetër në Shqipëri. Nuk them që është i korruptuar, por është aq i paaftë dhe i pazoti për ta luftuar korrupsionin me mjetet ligjore, sa krijon një klimë tjetër represioni, e cila u jep shkas shumë zyrtarëve të korruptuar të ankohen si të persekutuar dhe nuk është se nuk kanë të drejtë në atë rast. Nuk është se nuk funksionon logjika e tyre. Demokracia për këtë shkak është e vështirë. Është e vështirë për shkak se ti do ta luftosh korrupsionin me mjete ligjore, por me mjete ligjore ka një hapësirë të caktuar se si luftohet. E kemi ndërruar atë sistem dhe, njësoj siç vuan shoqëria nga sindromat e vjetra të shoqërisë, ashtu vuan edhe drejtësia nga sindromat e drejtësisë së vjetër. Drejtësi të vjetër kam parasysh drejtësinë e kohës së komunizmit. Nuk kam parasysh që kjo drejtësia e korruptuar e para disa viteve ka qenë më e mirë se kjo drejtësia e tanishme. Kjo është represive dhe e paaftë, nuk është mësuar në një sistem të hapur të kapë zyrtarët e korruptuar. Sajon gjëra, i kap dhe vetë e di që është i korruptuar. Të gjithë dimë që është i korruptuar. Problemi është që duhet ta provosh që është i korruptuar, se kjo është beteja e drejtësisë moderne perëndimore në raport me drejtësinë e regjimeve. Regjimet të caktonin që je i korruptuar. Mund të ishe edhe i korruptuar dhe mund të mos ishe. Nuk është ky problemi. Dhe kjo gjë është një betejë e humbur në Shqipëri, ndërkohë që qytetarët nga drejtësia e re nuk marrin shërbime. Ata janë po aq të pambrojtur sa janë përballë administratës.

B.R.: Mos ndoshta, duke qenë se u mbështet edhe nga ndërkombëtarët Reforma në Drejtësi dhe krijimi i institucioneve të saj, krijimi i një drejtësie speciale ose drejtësie të posaçme ka qenë që në fillim i synuar si diçka politike për të eliminuar një klasë politikanësh?

M.B.: Këtë duhet ta pranojmë pa hezitim, që një nga objektivat themelore të Reformës në Drejtësi ka qenë pandëshkueshmëria. Pandëshkueshmëria është objektiv politik, nuk është objektiv profesional. Se ç’do të thotë pandëshkueshmëri? Domethënë, paska mbetur ca pa dënuar, hajde t’i dënojmë. Ajo të çon te një listë në finale, por, në njëfarë mënyre, këtë e pranon edhe gjithë shoqëria, përfshirë edhe gjithë politikën, që ishte bërë pak bajate puna që askush nuk dënohej. Dhe ky ka qenë objektiv politik, por Reforma në Drejtësi nuk u bë për këtë. Qëllimi kryesor ishte që të bënim një drejtësi të pakorruptuar dhe më profesionale. Nuk e kemi bërë as më profesionale, as më pak të korruptuar. Dhe ky është problem shumë i madh. Problemi i objektivit politik të Reformës në Drejtësi, i lidhur pastaj me një varësi shumë direkte të drejtësisë së re nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kaloi drejtësinë shqiptare nga varësia politike që kishte në vend në një varësi burokratike ndërkombëtare. Se, po të ishte edhe varësi politike ndërkombëtare, ia kisha bërë hallall. Në qoftë se drejtësia shqiptare varej nga Presidenti i SHBA-së apo nga kryetari i Komisionit Evropian, e bëja hallall. Por në qoftë se drejtësia shqiptare varet nga një nëpunës burokrat i OPDAT-it apo dikush që i mbikëqyr ata dhe ai krijon preferenca personale dhe në Shqipëri thotë: ky Merua duhet të futet në burg se s’më pëlqen, është i gjatë dhe tjetri është i shkurtër dhe duhet të futet në burg, ky është problem. Kalojmë në një autokraci, kalojmë në një sistem ku njerëzit, për shkak të pozicionit që kanë, për arsye krejt burokratike administrative, kthehen në tutorë të drejtësisë dhe kjo është më e rrezikshme sesa drejtësia që kishte një lloj droje nga establishmenti politik i vendit. Se, në fund të fundit, establishmenti politik i vendit është i votuar për një gjë dhe, në qoftë se nuk e dënon ti, e dënon populli pas katër vitesh ose pas dy vitesh. Kurse kjo që ti e thërret Prokurorin e Përgjithshëm në takim dhe të thotë: “Jo, fola me Ambasadën Amerikane, nuk do vij”, apo në qoftë se ti i thua “Do vish të japësh raport”, ai, përpara se të të thotë jo, ankohet në instanca të tjera jashtë vendit, është pak qesharake si formim. Do të ishte më burrërore të thoshte: “Unë kam punën time, s’kam punë as me njërin.” Por në qoftë se ai quan zot një burokrat perëndimor dhe nuk pranon t’i japë llogari përpara institucioneve të vendit, jemi futur në një sistem qesharak. Nuk do të thosha as të rrezikshëm, është qesharak. Është një gjë që ti nuk di si të sillesh më me këtë produkt që ke.

B.R.: Në lidhje me ashpërsinë ose me masat e paraburgimit nga drejtësia e re, e kuptoj që nga ana ligjore dhe nga ana institucionale shpesh janë të padrejta, janë të gabuara ndoshta, por për shumë njerëz e gjithë kjo gjë mund të duket si një lloj drejtësie poetike ose si një lloj shpagimi. Pra, domethënë, ata janë përballur për tridhjetë e ca vite me një drejtësi të padrejtë dhe tani, për herë të parë, politikanë dhe njerëz të pushtetshëm po përballen edhe vetë me një drejtësi të padrejtë.

M.B.: Armiku më i madh i drejtësisë në botë është drejtësia popullore. Nuk ka ndonjë armik më të madh për çdo drejtësi profesionale në botë sesa drejtësia popullore. Dhe drejtësitë popullore i kanë përdorur të gjitha regjimet diktatoriale. Drejtësi popullore ka qenë Enver Hoxha, të pyesësh. Merrte kundërshtarët e vet politikë, apo bënte gjyq në Kinema Kosova në Tiranë, dilte populli jashtë: “Në litar, në litar, në litar!” Kënaqej gjithë populli, po drejtësi nuk ishte. Ishte krim. Dhe, në qoftë se ne do ta mbështesim drejtësinë mbi opinionin publik, mbi preferenca politike, mbi përpjekje për të kënaqur turmat, jo që s’kemi bërë drejtësi, por kemi bërë një krim të ri ndaj shoqërisë dhe ndaj njerëzimit në tërësi. Dhe është një gjë aq e rëndë kur e mendon afatgjatë, sa do t’u vijë turp edhe atyre që thonë “Në burg, në burg”, pas disa vitesh, për njerëz për të cilët nuk kanë fakte. Klasa politike nuk është një entitet i bashkuar që ti kap tre veta dhe i nxjerr jashtë të gjithë. Ti duhet të dënosh ata që kanë bërë krime, ata që kanë bërë korrupsion, po edhe atyre duhet t’ua provosh. Unë personalisht, për shembull, jam një nga kritikët më të zellshëm të politikës për tridhjetë e gjashtë vjet, me Fatos Nanon, Ilir Metën, Edi Ramën, Sali Berishën. Nuk më ka ngelur njeri pa kritikuar. Unë mendoj që imazhin më të keq për kryeministër të korruptuar e ka pasur Ilir Meta. Unë jam totalisht kundër paraburgosjes së Ilir Metës. E para, paraburgosja ka standarde ligjore përse paraburgoset një njeri. Paraburgoset kur ai është i rrezikshëm në pozicionin që ka, kur mund të prishë prova dhe kur mund të arratiset nga vendi. Për fatin tonë të keq, vetë me duart tona Ilir Metën e kemi bërë kryeministër të vendit, president të vendit, kryetar Parlamenti të vendit. Asnjë figurë tjetër politike e tridhjetë vjetëve nuk i ka pasur të gjitha postet më të larta të vendit siç i ka pasur Ilir Meta. Pasi e kemi liruar njeriun nga këto poste, e kemi arrestuar dhe e mbajmë dy vjet e gjysmë në burg, në një proces gjyqësor që akoma nuk ka asnjë akuzë bindëse që të më bindë mua pse ky njeri duhej futur në burg pa u gjykuar. Unë nuk them të mos dënohet Ilir Meta, po pse duhet ta paraburgosësh ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë? Deri tani ka dalë që një kushëri i gruas ka dashur të marrë një punë në Shqipëri dhe pastaj i ka blerë ca rroba gruas së tij. OK, dënohet gruaja, dënohet edhe ky në qoftë se dënohet, po paraburgim pse? Se paraburgimi është një dhunë, e cila e destabilizon njeriun dhe i heq mundësinë për t’u mbrojtur. Se në qoftë se ti futesh te 313-ta dhe të dërgojnë njëherë një avokat të çmendur, njëherë një avokat të zgjuar dhe ti nuk di me ç’të komunikosh dhe nuk ke në dispozicion provat, tallen prokurorët. Thonë: provat do t’i marrësh dixhitale. Po dixhitale nuk lejohet USB-ja. Po ke USB, nuk lejohet kompjuteri. Po ke kompjuter dhe USB, vetëm në burg se e ke përdorur. Pra, është një tallje shumë e madhe me standardet e paraburgimit, mbi të gjitha. Dhe këto janë turpe. Unë jam njeriu që e ka kritikuar më shumë Ilir Metën dhe ndërkohë e kritikoj, po nuk mund ta pranoj kurrsesi që Ilir Meta duhet të rrijë në burg, në paraburgim, pa u dënuar. Ilir Meta gjykohet, dënohet. Ka qenë president, kryeministër. As arratiset, as s’ka ku të shkojë, as ka ca prova të prishë. Dhe ç’është kjo prokurori që, dy vjet e gjysmë pasi e arreston, mezi i bën një dosje aty? Domethënë, ke edhe një prokurori të paaftë dhe një prokurori që ka bërë llogari politike kur e ka arrestuar njeriun. Po arrestoj një këtej, po arrestoj edhe një këtej dhe jam në rregull me të dyja palët. Po u ankuan këta, u themi: “Keni arrestuar Ilir Metën.” Po u ankuan këta të tjerët, u themi: “Kam arrestuar Erion Veliajn.” Bën ca ekuilibra politikë idiotë që nuk ia ka kërkuar njeri. Mund t’i arrestojë të gjithë nga Partia Socialiste, s’ka pse bën atë balancë, në qoftë se i gjen të korruptuar. Këto janë defekte aq të rënda që vijnë pikërisht nga mentaliteti politik që ka drejtësia në shfaqjen e saj publike. Domethënë, ne jemi tani në një moment që drejtësia është më politike. Jo se varet nga politikanët, po bën vetë politikë. Drejtësia prodhon më shumë politikë tani sesa e prodhon politika. Po t’i vësh re, SPAK-u dhe GJKKO-ja, që janë pjesa e drejtësisë speciale në Shqipëri, që është një problem më vete që është kaq e gjatë, se edhe pas Luftës së Dytë Botërore gjyqet speciale zgjatën tre vjet, nuk zgjasin trembëdhjetë vjet, ata vetëm përgjojnë politikisht çfarë ndodh. Filloi revolucioni, dolën flamingot. Përse e kanë? Për Zvërnecin? Tak, pas katër ditësh del historia e tokës. Pse s’e kanë nxjerrë më përpara këtë çështje? Do të thotë bëjnë politikë. Kalon pak, do kthehemi në shtator. Okej. Prapë një dosje për një ministër të Ramës, prapë, mbaje mend, edhe për një nga opozita, për të treguar që: Rama në burg, Berisha në burg, ka argumente. Jo, ku i keni? Kthehen në një violinë të dytë të zhvillimeve politike në vend. Është turp. Ata mund të arrestojnë gjithë qeverinë. Është e drejta e tyre, që nga i pari tek i fundit, në qoftë se gjejnë problem. Ata nuk sillen si hetues dhe prokurorë. Ata sillen si përgjues të politikës dhe prodhojnë politikë vetë. Bëhen zëri kryesor i zhvillimit politik. Bëhen aktori kryesor politik në vend, ndërkohë që ne i kemi mandatuar që të bëjnë drejtësi; ata bëjnë politikë.

B.R.: Rama dhe Berisha janë dy personazhe që kanë dominuar më gjatë politikën përgjatë tranzicionit. Në qoftë se Berisha dhe Rama, në qoftë se të dy ata do të vendosnin të iknin nesër nga politika, sa do të ndryshonte realisht sistemi?

M.B.: Njëherë, uroj që sistemi të mos ndryshojë kurrë. Po ndryshoi ky sistem, sistemi tjetër është diktatura. Nuk ka dy sisteme në botë. Ka ose diktaturë, ose demokraci. Kështu që këto parullat për ndryshim sistemi ose janë naive dhe artikulohen nga njerëz pa ndonjë koshiencë politike, ose pastaj ka disa njerëz që e duan vërtet diktaturën. Brezi im është brezi që ka luftuar për të përmirësuar një sistem. Nuk është se luftuam aq shumë, na ngeli në dorë sistemi, por jemi dëshmitarë të përmirësimit të sistemit dhe kështu që u përmirësua. Tani kjo ideja që duhet përmbysur prapë ky sistem… nuk ka sistem tjetër në botë. Sistemi tjetër është ai që ishte. Sistemet mikse janë sisteme të cilat ne i përjetojmë në periudha të ndryshme. Një sistem është e rëndësishme të jetë i hapur, të ketë zgjedhje, të ketë institucione të pavarura. Pastaj në një periudhë dominon një kryeministër autokrat, në një periudhë dominon një kryeministër liberal, në një reformator, në një i paaftë. Ajo është çështje e dinamikës së shoqërisë, por me sistemin është një shaka e madhe kur thuhet që duhet ndërruar sistemi.

B.R.: Në tridhjetë ca vite gazetari politike, a ka një gjykim politik që ju ka rezultuar i gabuar? Një personazh që ndoshta e keni vlerësuar më shumë seç duhet ose e keni nënvlerësuar?

M.B.: Unë nuk kam ndonjë listë ndjese për këtë punë, në njëfarë mënyre, por natyrisht që në momente të caktuara ka pasur plot gjykime të nxituara ose të gabuara për politikanë, sidomos kur ke distancë me ta. Prandaj është mirë që gazetarët më të rëndësishëm politikë, s’po them çdo gazetar politik, të kenë kontakte dhe njohje personale me personalitete në vend, qoftë edhe sikur t’i kenë kundërshtarë dhe sikur t’i kenë miq, për shkak se ajo është një ndihmë e madhe për të qenë më realist. Por natyrisht një gazetar ka gjithmonë kohë ta korrigjojë veten dhe, si të thuash, biografinë për të tjerët. Për shembull, është tjetër gjë se si e gjykoja unë Ramiz Alinë në ’90-ën. Mund ta haja të gjallë po të më dilte përpara. Tjetër është se si e gjykoja në 2010-ën, kur ai ishte akoma gjallë. Ishte nja një vit përpara se të ndahej nga jeta. M’u shfaq përballë te Ujëvara aty në Tiranë, afër shkollës Emin Duraku. Kishte një faturë dritash që i kishte ardhur, tridhjetë mijë lekë të vjetra, edhe më tha: “Ore djalë, ma zgjidh pak. Pse më ka ardhur fatura tridhjetë mijë lekë, se unë kam dy muaj që rri te vajza në Suedi?” Dhe ishte shumë i shqetësuar. Tani, kur mendon që një njeri që ka pasur në dorë gjithë shtetin shqiptar dhe që ne donim ta shqyenim të gjallë në ’90-ën, në 2010-ën ishte i shqetësuar që CEZ-i, apo kush ishte aty, i kishte bërë një faturë aforfe tridhjetë mijë lekë të vjetra dhe po mendohej për atë. I dukej shumë. Natyrisht që ta ndryshon mendimin. Mbaj mend që bëra një shkrim, që ky jetoi aq gjatë sa na turpëroi të gjithëve. Jetoi aq gjatë sa na pa që ne e bëmë më keq se ai. Ne që e përmbysëm atë, ne bëmë një sistem që ai në fund ishte i ndershëm dhe ne ishim të korruptuar. Ai kërkonte lekët e faturës. Pra, gjithmonë ke kohë ta korrigjosh një mendim për dikë. Apo për Sali Berishën. Tjetër mendim mund të kishte njeriu për Sali Berishën në ’92-shin, kur dukej një lider karizmatik, energjik, me shumë frymëzim për shoqërinë shqiptare. Ndryshe dukej në ’96-ën, tmerr dukej në ’97-ën, akoma më tmerr duket sot. Kështu që nuk je vetëm ti që gjykon gabim në një moment të caktuar si gazetar politik, por të gjithë aktorët aty, të gjithë personazhet aty ndryshojnë dhe nuk kanë të njëjtat pozicione. Kështu që e rëndësishme është të jesh i qetë me veten kur ke shkruar për atë periudhë, që ke shkruar se ashtu ke menduar dhe nuk ka qenë një llogari politike apo një goditje nën brez. Gjërat e tjera pastaj janë gjëra që të gjithë ndryshojnë, nuk janë të gjithë njësoj.

B.R.: Për t’u ndalur pak te kryeministri aktual, kryeministri Rama perceptohet si shumë i pushtetshëm, madje më i pushtetshëm se paraardhësit e tij. A mendoni që ka realisht më shumë pushtet seç kanë pasur kryeministrat e tjerë?

M.B.: Çështja e pushtetit ka dy dimensione të grumbullimit të pushtetit. Njëri është dimensioni personal, aftësia personale e një udhëheqësi për të grumbulluar pushtet, dhe tjetri është fati politik, institucional. Edi Rama i ka të dyja. Edi Rama ka aftësinë personale që të grumbullojë pushtet dhe të jetë një lider karizmatik. Ka krijuar më pastaj, për shkak të shumicës parlamentare të gjatë dhe të madhe që ka, një shumicë të cilësuar mbi tetëdhjetë e katër vota, me të cilën ndryshon çdo gjë përveç Kushtetutës, dhe ka krijuar një mekanizëm, ka krijuar edhe një pushtet institucional, ka krijuar ligje të cilat centralizojnë shumë pushtet tek ai. Të dyja këto janë negative. Pozitivi është fakti që ky nuk e ka keqpërdorur atë pushtet, por kjo është një gjë që nuk jep shumë garanci, as tek ky në qoftë se rri gjatë, por sidomos tek pasardhësit e tij, kushdo që të vijë. Një gjë po ta them: në qoftë se ndodh sot një tektonik, përmbyset dhe të vjen në pushtet Sali Berisha me këto kompetenca që ka Edi Rama, këtu je gati të kërkosh Enver Hoxhën pastaj, se duket burrë më i mirë. Se varet nga mënyra se si një njeri e përdor pushtetin. Në qoftë se ty të vjen sot në pushtet Sali Berisha me këto kompetenca, që gjithë lejet jepen në një vend, do bëhet radhë e madhe para shtëpisë së Shkëlzenit. Gjithë tenderat jepen në një vend, radhë e madhe para Argitës. Gjithë kompetencat e bashkive varen tek një ministër. Pra, krijohet një sistem jo shumë i sigurt për sa i përket korrupsionit dhe persekutimit politik, por kthehet në mënyrë të butë në një sistem diktatorial për shkak të personit që e merr. Nuk them që Rama është engjëll dhe ai e bën këtë për lehtësi operimi dhe për zhgënjim që ka, natyrisht, nga nivelet e dyta, të treta, drejtuesit e bashkive. Por ushtrimi më i vështirë në jetë për një kryeministër është t’u dorëzojë pushtet budallenjve që ka rrotull dhe duhet t’ua dorëzojë brenda institucioneve. Okej, një kryetar bashkie mund të jetë budalla, po e ka atë kompetencën. Nuk mundesh, meqenëse është budalla ai, t’ia marrësh Tiranës. Nuk mund t’i lësh bashkitë pa asnjë kompetencë, siç kanë mbetur, dhe të diskutojmë për kufij territorialë. Një bashki e vogël e dështuar nga një bashki e madhe e dështuar nuk ka asnjë ndryshim. Ndryshimi është në një bashki funksionale. Ç’rëndësi ka territori? Kështu që, për mendimin tim, problemi që ka Rama është se ka grumbulluar pushtet për lehtësi qeverisjeje, por, si ata njerëzit që përpara se të ikin, duhet ta zhbëjë këtë pushtet. Duhet ta zhbëjë vetë me duart e veta, se po e gjeti dikush tjetër nga mbrapa, nuk e zhbën më. Nuk ka më asnjë budalla kryeministër që të marrë këtë pushtet institucional që ka krijuar Rama, këto kompetenca që ka krijuar ai, këtë centralizim të pushtetit drejt institucioneve qendrore, që operon gjithsej me pesë njerëz, dhe ta zhbëjë. E gjen gati dhe thotë: mirë është. Të gjithë duan pushtetin, por varet kush e ka atë dhe cilat janë objektivat e atyre që vijnë mbrapa. Objektivat e Ramës kanë qenë, pasi stabilizoi pushtetin, të qeverisë. Po ai që vjen pas Ramës nuk e ka këtë. Ka prioritet të parë stabilizimin e pushtetit dhe, me kaq shumë grumbullim pushteti, të bën gjëmën.

B.R.: Në lidhje me protestën, janë pak më shumë se tetë-dhjetë ditë që njerëzit protestojnë. Ju keni bërë edhe në shkrimet tuaja krahasime me protestat, me lëvizjet e dhjetorit. Nga ato që keni parë në të shkuarën, nga lëvizja e studentëve, nga protestat e tjera që kanë ndodhur më pas, çfarë dallon një protestë që arrin të ndryshojë balancën politike nga një lëvizje që thjesht shfaq zemërim ose mllef?

M.B.: E para, mendoj që protesta ka zgjatur dhjetë ditë. Protesta. Protesta ka qenë dy javët e para, por dhjetë ditët e para ka qenë protestë. Protestë e vërtetë, protestë qytetare, me një lloj frymëzimi që të ngjallte edhe simpati dhe të gjithë ne që kemi përvojë të gjatë në këtë punë thoshim: ishte një shans i artë që shoqëria shqiptare të nxirrte një lidership të ri të aktivizmit politik. Nuk po them të nxirrte politikanët e së ardhmes, por ajo frymë, ai pozitivitet, ai reagim, ai nerv, i cili mori shkas nga një gjest ndaj protestuesit në Zvërnec, të prodhonte energji pozitive dhe të prodhonte një elitë të re të aktivizmit politik në Shqipëri. Ai shans humbi menjëherë. Shansi i dytë që humbi ishte popullariteti ndërkombëtar. Për shkak të Donald Trumpit, që u bë si bezë e kuqe për gjithë median e botës, gjeti një vend si Shqipëria për t’u fokusuar dhe protesta pati një popullaritet të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, që nuk kishte lidhje fare me thelbin e protestës, por për një protestë të tillë është fat. Është fat që ty të del një kauzë ndërkombëtare që të çon në çdo media të madhe të botës dhe ky fakt, në vend që të përdorej pozitivisht, u shpërdorua dhe u kthye në problem rivaliteti se kush do ta përvetësonte atë popullaritet. Mendoni se mediat ndërkombëtare kishin ardhur për të nxjerrë fytyrat e katër-pesë aktivistëve, të cilët e kanë punë atë, nuk e kanë as aktivizëm? Shansi i tretë që, mendoj, dogji protesta ishte se dogji frymën qytetare me të cilën nisi. Domethënë, nuk e mbajti dot vetë protesta, nuk ishte në gjendje ta mbante. Pasi kaluan dhjetë ditët e para, protesta kaloi në një institucion linçues. Unë nuk kam parë kurrë për tridhjetë e gjashtë vjet ndonjë protestë linçuese në Shqipëri, përveç demonstratës së 14 shtatorit. Okej, ajo kishte edhe tanke dhe kallashnikovë, po nuk vrisnin njerëz në rrugë. E kishin për të marrë qeverinë. Një-dy orë, dy orë luftë. Kurse një protestë që kthehet në një tribunë urrejtjeje ndaj çdo njeriu në Shqipëri që nuk është dakord me ata, apo që ata mendojnë që nuk është dakord, se mund të jetë edhe dakord me një nga ato çështje; protestë që bën lista njerëzish që këta duhen vrarë: këtij duhet t’i shkatërrohet biznesi, ky do të bëjë koncert, duhet prishur koncerti, ky ka hotel, duhet prishur hoteli, ky ka autobus, duhet djegur autobusi. As fashizmi s’e ka bërë këtë. Këtë e kanë bërë vetëm komunistët në ’45-ën, që shkonin me lista shtëpi më shtëpi dhe thoshin: “Këtij merrini florinjtë, këtij vritini djalin, këtij futini në burg vajzën, se ky s’ka qenë me ne gjatë luftës.” Frymë urrejtjeje, linçuese dhe negativiteti më të madh në historinë e tridhjetë e gjashtë vjetëve nuk kam parë kurrë. Protestat e vitit ’90, që në fakt u kurorëzuan me rrëzimin e një prej diktaturave më të ndyra të botës, jo vetëm të Evropës, e kanë pasur legjitime urrejtjen, po nuk e kishin. E kanë pasur legjitime, domethënë. Njerëzit që dolën, sidomos pasi iku puna e studentëve dhe dolën në protesta të burgosur e të persekutuar, ata mund të kishin të drejtë të vrisnin. Asnjë nga ata nuk shfaqte urrejtje në mënyrë personale. Kurrë nuk mbaj mend unë një njeri të vetëm të ketë dalë në tribunë dhe t’u thotë njerëzve të tij: “Mero Baze” — po e zëmë Mero Bazen sikur ka qenë një oficer Sigurimi — “më ka bërë këtë dhe unë, ku ta gjej, do ta vras.” Kurrë s’ka thënë ndonjë këtë. Me logjikën e tyre kanë pasur një mijë herë të drejtë. Kjo do të thotë që shoqëria ka qenë e pjekur dhe e përgjegjshme për atë që bënte dhe aq e fortë ishte kjo ndjenjë vetëpërmbajtjeje ndaj një të kaluare kriminale. Këta ankohen si njerëz të dështuar. Ata nuk ankohen si njerëz të persekutuar, se aty njëzet për qind e atyre njerëzve protestojnë për mosarritjet e tyre në jetë, të cilat mund t’ua ketë penguar dikush, por njëzet për qind i ka penguar vetja. Nuk është një dramë e madhe. Të dalësh aty të thuash “Mua më ka ndarë burri, mua më ka ikur…” ajo është çështje e tyre, po urrejtja ndaj njerëzve të suksesshëm në shoqëri në një tribunë proteste është gjëja më haxhiqamiliste që ka parë historia e Shqipërisë. Fiks si Haxhi Qamili, kur Shqipëria bënte pavarësinë, ngrihej me zjarrin në dorë për të djegur njerëzit që po i sillnin atij Perëndimin, se njëri kishte kapele republikane dhe jo fes turk. Urrejtja që ka demonstruar nuk e mban tërë protestën. Protesta ka qenë vetëm dhjetë ditë. Kjo pjesa tjetër nuk është protestë. Kjo pjesa tjetër është një burokraci e protestës, njerëz që kanë tridhjetë-dyzet vjet, të cilët përpiqen të marrin lavdinë e protestës, ta marrin, ta shesin, ta rishesin, ta copëtojnë, të përfitojnë. Një gjë qesharake, banale, që zhduk të gjitha shanset pozitive që prodhoi konteksti i protestës si protestë ndaj qeverisë dhe të gjitha gjërat e artikuluara në protestë pas dhjetë ditëve të para. Po i ndaj dhjetë ditët e para, sepse dhjetë ditët e para ishte protestë. Kjo nuk është protestë, kjo është një agjendë. Kjo është si foltorja e Sali Berishës, që do të thërrasim dyqind veta sot dhe do dalim atje. Do shajmë: ti do shash Meron, ti do shash Blionin, ti do shash atë, ti do shash atë dhe ikin në shtëpi. Kjo është një llum i shoqërisë sonë. Është një gjë turpëruese, e cila do t’i kushtojë rëndë aktivizmit shoqëror në Shqipëri, për shkak se të gjithë do të kujtojnë historinë që ne dolëm atje, kishim shpresë, na mundi Edi Rama me Sali Berishën. E dyta, që është një keqkuptim i madh i protestës: zemra e protestës, dhe këtë duhet ta pranojmë njëherë e mirë, ka qenë Partia Demokratike. Kjo nuk është një gjë negative. Kjo është një gjë e vërtetë dhe është pozitive, se Partia Demokratike ka kontingjentin më të fortë të protestuesve dhe të njerëzve. Dhe këta që i kompleksonin me atë parullën “Berisha në burg, Berisha në burg”, që t’i mbani larg, e thonë vetëm që mos t’ua marrin lidershipin ata, se njëzet për qind të njerëzve që protestojnë unë i njoh, njerëz të Partisë Demokratike janë, pjesë e saj. Ata janë të Partisë Demokratike, ata kanë katërmbëdhjetë vjet që protestojnë në rrugë. Ata janë njerëzit më të duruar aty në shoqëri. Durojnë edhe dëmtimet e tyre duke ushqyer udhëheqësit e tyre. Mirë a keq, i kanë të tyre ata dhe ata janë aty për atë. Nuk janë për ata katër vetët që duan të marrin protestën. Dhe ajo që është akoma më e shëmtuar janë këto tre-katër partitë e vogla, të cilat mendojnë që bëhen të mëdha po të quhen pronarët e protestës dhe shfaqen aty sikur këta organizojnë protestën. Ata janë njerëz të verifikuar në shoqëri, sapo kanë dalë nga këto zgjedhje. Njëri ka marrë një deputet, njëri ka marrë një e gjysmë, njëri ka marrë gjysmë. Dihet çfarë janë, dihet çfarë fuqie kanë. Pra, përpjekja për ta privatizuar, sa nga partitë e vogla, sa nga këta aktivistët që kanë gjithë enturazhin e protestës, organizatorët që ne i njohim të gjithë me emër mbrapsht, kanë njëzet vjet që bëjnë këtë punë. Janë mbetje të Partisë Socialiste dhe mbetje të Partisë Demokratike në shumicën. Pra, janë njerëz të zhbërë nga Partia Socialiste dhe nga Partia Demokratike, këta që duan ta kapin, kurse zemra e protestës është Partia Demokratike. Çdo njeri që mendon që ata nuk janë Partia Demokratike ka bërë llogaritje gabim. Po t’u thotë Berisha atyre “Ikni”, e ke bosh sheshin. Tha Berisha “Shkoni, mbushni sheshin”. Të tjerat pastaj, këto parullat, diaspora, tollovia që vijnë lart e poshtë rrugëve, ato janë gjëra që e banalizojnë protestën, e cila nuk është më protestë tani. Ajo është një sistem, është një protestë burokratike, nuk është as politike, as prodhon asgjë. Prodhon energji negative apo rivalitete brenda këtyre mbetjeve të PD-së dhe PS-së, që kanë njëzet vjet që sillen rrugëve për t’u faktorizuar politikisht. Unë mund t’i marr një për një ata, por nuk e kam atë frymën linçuese të tyre. Po unë mund të marr një për një se ç’ka bërë ai njeriu më 2010-ën, ç’ka bërë më 2014-ën, ç’ka bërë më 2016-ën. Dhe ky grupi pastaj që ka filluar nga ’19-ta e mbrapa, se aty ka edhe grup krahinor, ka edhe grup politik të vjetër, ka mbeturina të Sorosit, mbeturina të PS-së, mbeturina të PD-së. Janë njerëz të zhbërë dhe aty ka njerëz që kanë qenë në gjashtë-shtatë parti dhe del si aktivist politik. Çfarë kuptimi ka? Pra është burokratizuar gjithçka. Është çështje për të kapur protestën dhe nuk mund të flasim më për protestë. Mund të flasim vetëm për dhjetë ditët e para, për shanset e rënda të djegura, të cilat do t’i kushtojnë gjatë aktivizmit politik në Shqipëri. Të gjithë mendojnë që kjo protestë ka rritur aktivizmin. Unë mendoj që ka dështuar aktivizmin.

B.R.: Çfarë e shkaktoi këtë tretje ose humbje të protestës?

M.B.: Protesta ishte spontane. Duhet ta pranojmë këtë. Dhe fakti që protesta u bë menjëherë popullore në mediat ndërkombëtare për shkak të Trumpit i gjeti të papërgatitur të gjithë. I gjeti të papërgatitur udhëheqësit e duhur të protestës, pra ata që duhet të organizonin protestën. Pra, protesta nuk pati një parapërgatitje. Nuk ekzistonte një grup i ri, një grup që kishte vendosur të bënte një gjë të madhe në Shqipëri, siç u bë, dhe fakti që protestën e pompoi media ndërkombëtare, sidomos media perëndimore kundër Trumpit, i cili është tmerri i gjithë medias ndërkombëtare, jo pa të drejtë në shumicën e rasteve. Çështja e Izraelit, gjithë aktivistët e majtë të Evropës, të cilët u bënë obsesivë me Gazën, historia e dhimbshme humanitare e Gazës dhe manipulimi ndërkombëtar që këtu po vijnë izraelitët, do marrin gjithçka, do bien palestinezët. Të gjitha ato teoritë konspirative, të shoqëruara me frymën anti-Trump, i dhanë popullaritet aq të madh protestës, sa protesta gjeti të papërgatitur vetë protestën. Dolën qytetarët në rrugë dhe të gjithë mendonin që ishte dikush nga pas. Në fakt, s’ishte askush nga pas. Të gjithë hodhën benzinë mbi zjarr që protesta të rritej, përfshirë edhe qeverinë. Por protesta s’kishte asgjë dhe, kur protesta iku pas dhjetë ditësh, u zbuluan gjithë ata që katërmbëdhjetë vjet merren me protesta, i ke aty tani. Është një koleksion njerëzish, mos të them fjalën më të rëndë të mundshme, të cilët ne i njohim kush janë dhe janë qesharakë për Shqipërinë. Janë nën nivelin mesatar të shoqërisë. Nuk mund t’i thuash një shoqërie të emancipuar, nuk mund t’u thuash atyre vajzave që dolën dhjetë ditët e para në protestë: do shkosh pas tyre. Ka respekt për veten njeriu. Njeriu është profesionist. Ka inat Edi Ramën me shumë të drejtë. Ka inat faktin që kjo lloj qeverisjeje privilegjon një grup të caktuar biznesi, apo, si të thuash, vepron me metoda arbitrare për planifikimin urban, për zhvillimin e vendit dhe nuk u jep shanse të gjithë njerëzve të përfshihen në të. Kjo është një gjë e drejtë. Ai del në rrugë për atë, po nuk del për një banalitet pastaj që të përfundojë në duart e dy-tre linçuesve aty. Dhe ky është dëmi më i madh që ka shkaktuar keqkuptimi me protestën. Keqkuptimi që protestën dikush po e bën. Protesta u plasi. Qytetarët dolën në rrugë. Kush mundi, futi duart. Irani futi duart. Albin Kurti, kokë e këmbë. Po këto janë të parëndësishme për qytetarët. Ato ishin të rëndësishme për protestën, po të kishte lidership, protesta ua tregonte vendin atyre dhe iknin. Nuk i bënin dëm. Bile unë mendoj që ato i bëjnë nder qeverisë. Ndërhyrjet e huaja në këtë rast janë argument për qeverinë, po ndërhyrjet e huaja ishin në funksion të shtypit të huaj. Nuk kanë lidhje me Shqipërinë. Nuk bën ndonjë gjëmë të madhe në Shqipëri se bëri Irani njëzet video. Apo dërgoi Albin Kurti pesëdhjetë veta që bërtasin nëpër rrugë “Shqipëria etnike”. Ajo tregon më shumë pastaj predispozitat politike të njerëzve. Problemi është: protesta ishte e shqiptarëve, ishte e protestuesve, ishte e qytetarëve shqiptarë dhe ata duhet ta mbanin dhe duhet të prodhonin diçka. Nuk prodhuan dot asgjë, ngeli në dorë të atyre që ne i njohim. Është problem i madh në një vend të vogël kur i njeh. Ti e di kush është. Mjafton të më thuash emrin dhe, okej, e di ç’pres prej tij. Nuk pres tani unë ndonjë gjë të madhe prej atyre pesë emrave. Janë periferia e periferisë së periferisë së Shqipërisë. Nuk kanë bërë asgjë në jetën e tyre. Në jetën e tyre kanë bërë vetëm protesta dhe kanë sharë njerëz. Okej, me atë punë e kanë mbaruar gjithë jetën dhe, po ta vazhdojnë, nuk e ndryshojnë dot shoqërinë. Forca e vetme udhëheqëse e protestës, asaj proteste që mund të vazhdojë, është Partia Demokratike. Është një protestë që fuqinë e ka Partia Demokratike. Këta pastaj, guralecët që sillen rrotull, janë për protestën personale.

B.R.: Po është e njëjta Partia Demokratike që në fillim e sulmoi protestën ditët e para.

M.B.: S’ishte e saja në fillim. Dhjetë ditët e para s’ishte e saja, nuk ishte e askujt protesta. Protesta dhjetë ditët e para ishte e qytetarëve. Natyrisht që ta sulmonte. U befasua. I doli një parti tjetër që nuk e kishte llogaritur. Për tre ditë e zhbëri Partinë Demokratike nga fuqia e saj. Në momentin që iku protesta, protesta për të cilën flitej akoma si mit që ekziston, që nuk ekziston, protesta mbeti e Partisë Demokratike dhe, kur të dojë, atë protestë e rrit dhe e fuqizon, në njëfarë mënyre, në nivel politik edhe Partinë Demokratike, po jo në një shkallë cilësore që mund të përmbysë diçka në shoqërinë shqiptare. Ajo është protesta e Partisë Demokratike tani, në qoftë se është. Ose e këtyre që rrihen me njëri-tjetrin çdo natë. Po nuk ka protestë tjetër. Protesta qytetare iku dhjetë ditët e para dhe njerëzit shkuan në shtëpi. Nuk kishte më kuptim.

B.R.: Në një intervistë të para dy-tre viteve me Ylli Rakipin, më duket te “Të Paekspozuarit”, keni thënë që nuk arritëm të ndërtojmë një shoqëri demokratike ose një sistem politik demokratik dhe keni përshkruar se si Partia Demokratike dhe Partia Socialiste përsëritën gjërat më të këqija të Partisë së Punës dhe parti të tjera më të vogla e kanë bërë këtë. Dhe pyetja që kam është për tre partitë e reja, që nuk janë më të reja tani, por tre partitë e vogla që janë në Parlament sot. Udhëhiqen nga kryetarë që nuk është se e kanë jetuar shumë, ose nuk kanë qenë të moshës së rritur gjatë diktaturës. Shumica e anëtarësisë është në moshë goxha të re. Pse edhe ato duket sikur po përpiqen të përsërisin gabimet e partive që duan të zëvendësojnë?

M.B.: Problemi është i kulturës politike. Teza ime kryesore ka qenë, në qoftë se i referohesh asaj interviste, që ne nuk kaluam nga diktatura në demokraci. Ne kaluam nga diktatura në pluralizëm dhe Partinë e Punës e copëtuam në disa parti të tjera. Dhe mekanizmi që mbante në këmbë Partinë e Punës është mekanizmi që mban në këmbë çdo parti tjetër. Pra, nuk kemi më një parti, por kemi disa parti që i ngjajnë Partisë së Punës: Partinë Demokratike, Partinë Socialiste dhe partitë e tjera. Kjo vjen nga fakti që ne i kemi partitë jodemokratike në organizimin e tyre dhe jolegjitime. Ne kemi partitë më jolegjitime në vend. Ne mund të kemi liderë legjitimë. Sali Berisha është lider legjitim i Partisë Demokratike apo Edi Rama i Partisë Socialiste, për shkak se sido që ta bësh mekanizmin, ata prapë janë të parët. Dhe me të drejtë e pa të drejtë janë të parët. Por çfarë bëjnë ata për konkurrencën brenda partisë dhe zhvillimin nga mbrapa është jodemokratike. Ti nuk ke mekanizma ligjorë që, kur të vjedhin votat në parti, të mbrohesh, siç mund të mbrohesh kur të vjedhin votat në fushatë elektorale. Ti ke raste pafund brenda Partisë Demokratike që, kur ishte Basha, Selami e këta që konkurronin me njëri-tjetrin, vidhnin votat hapur. Ti i shikoje që vidhnin vota, dilnin edhe videot dhe prokuroria nuk ndërhynte. “Është çështje e asaj partie.” Në fakt, ajo është çështje e legjitimitetit dhe është çështje sepse ajo parti përfaqësohet në pushtet për këtë shkak. Pra, një nga defektet kryesore të demokracisë shqiptare është demokracia e partive. Partitë sillen si copa të diktaturës në Shqipëri. Tani ti thua: pse këta të rinjtë? Këta të rinjtë janë edhe më keq se këta të vjetrit. Të paktën këta kanë parë Partinë e Punës dhe dinin se si funksiononte, kurse këta kanë parë se si funksionojnë imituesit e Partisë së Punës. Tani, Agron Shehu ka model Berishën dhe ai është akoma edhe më qesharak. Domethënë, një lider që thotë “Jam i djathtë”, gjithë ditën sulmon biznesmenë. Filani ka marrë këtë tender, ky e mori këtë këtu. Thua ti që ai është kryetar i Kontrollit të Shtetit dhe unë do ta votoj atë që do të më kontrollojë gjithë tenderat? Lufta kundër korrupsionit nuk është ideologji politike, nuk mund të jetë ideologji politike. Lufta kundër korrupsionit është betejë e institucioneve ligjore dhe gjithë klasa politike duhet të bëjë presion që të jetë betejë institucionale ligjore dhe presioni duhet ushtruar te institucionet ligjore që ato të jenë profesionale, jo politike, të afta për të zbuluar korrupsionin. Aty duhet bërë beteja. Këta ç’bëjnë? Dalin, hapin buletinin e prokurimeve publike dhe thonë që nuk duhet të prokurohen gjëra në Shqipëri. Duhet, duhet të themi Komisionin e Kontrollit të Shtetit, të Planit të Shtetit, që ta bëjë prapë tenderat. Dhe thonë: “Aaa, tender! Tre milionë euro! E shikoni? Tre milionë euro!” Është punë, është faturë e një pune. I duhet bërë, është prokuruar. Unë e kuptoj kur e thonë tre budallenj, po kur e thotë një kryetar partie këtë, që gjurmon çdo ditë biznesmenët dhe e kalon një javë duke shpjeguar kush i ka blerë vilat e veta dhe një javë se kush i ka blerë të tjerëve vilat, ky është model linçues. Është një njeri i paralizuar, një njeri që u turret njerëzve nga mbrapa dhe ikën. Njësoj ai tjetri. Kurse ky Qori, okej, ky ka një, si të thuash, ky nuk ka organizim personal, se ky ka një parti marksiste që mendon që duhet ruajtur sistemi. Ai është çështje tjetër. Por personat që ai ka, që mobilizon dhe keqpërdor, janë të gjithë linçues në mentalitet. Një tjetër që del e thotë, si përfaqësues i punëtorëve, dhe kishte një status, një nga ata që po shihja ato ditët që linçonin njerëz publikisht, që thoshte: “Një fshatar me fytyrë të djegur, si ata që mbledhin ullinj, të më thotë mua që jam kështu.” Ndërkohë sillet si përfaqësues i fshatarëve dhe punëtorëve. Pra, problemi i partive të vogla, këtyre partiçkave të vogla, është që të gjithë këta kanë një mentalitet linçues dhe, ngaqë nuk kanë fuqi, tani u ka dalë kjo protesta dhe thonë: kemi ushtrinë tonë. Protestën e quajnë ushtrinë e tyre secili dhe, duke pasur ushtrinë virtuale nga mbrapa, janë njerëz që mbjellin urrejtje në shoqëri dhe ata nuk kanë bërë kurrë hajër në politikën shqiptare. Kurrë! Përpara tyre unë e ngre Sali Berishën nga varri, e kthej në pushtet. Më mirë ruaj atë sesa të ruash njerëz pa emër, pa fytyrë, pa përmbajtje, pa asnjë vepër në jetën e tyre, pa asnjë gjë, vetëm urrejtje, linçim, urrejtje, linçim. Shqipëria e ka falur në ’92-shin komunizmin. Sali Berisha ka fituar pushtetin me sloganin “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”, ndërkohë që kishte gjithë të drejtën Partia Demokratike të thoshte: “Jo, nuk jeni bashkëfajtorë. Fajtorë jeni ju.” Se shoqëria nuk mund të ndahet në grupe urrejtësish. Ndryshe nuk funksionon. Nuk mund të marrësh në bllok: komunistët janë të këqij, fashistët ishin mirë. Komunizmi kishte ngjyrat e veta dhe ishte i rrezikshëm se shumë komunistë ishin mirë dhe ishte problem shumë i madh kur një komunist ishte i mirë. Një komunist që, ti dënoheshe në burg dhe ai të vinte në shtëpi, të vizitonte, të këndellte. Me mentalitetin e këtyre sot, jo nuk të vizitojnë, por të pushkatojnë në rrugë. Këta që janë, thjesht nuk kanë mundësi.

B.R.: Në lidhje me reformën administrative-territoriale ka pasur edhe një përpjekje më herët, por jam kurioz: çfarë e bën kaq të vështirë që të ketë një përpjekje të suksesshme për decentralizimin e pushtetit lokal?

M.B.: Ka dy probleme kryesore. Problemi i parë është natyra e reformës në vetvete. Dy partitë kryesore që do të jenë në qeverisje kanë objektivat e tyre elektorale në përpjekjen e reformës. Pra, Partia Demokratike ka objektivat e veta. Pastaj Partia Socialiste i do sa më pak bashkitë, edhe kjo për arsye të dështimit politik, se mund t’i fitojë të gjitha, po bën tridhjetë në këtë lloj mënyre, siç ka qenë gjatë komunizmit. Kjo është arsyeja e parë. Propozimi i Partisë Socialiste është një miks i nevojës për të pasur më pak bashki në tërësi dhe luftërave të brendshme të Partisë Socialiste, ku disa duan të ruajnë bastionet e veta. Kështu që tre-katër njerëz që kishte brenda Partisë Socialiste kanë prishur edhe rregullin e Partisë Socialiste për të pasur sa më pak bashki. I kanë lënë nja dyzet e gjashtë. Dikujt i duhej Roskoveci, dikujt i duhej të hiqte Urën Vajgurore, dikujt i duhej të ruante Peqinin. Edhe propozimi i Partisë Socialiste nuk ka një konsekuencë parimesh. Domethënë, parimi është: t’i zvogëlojmë dhe pikë. Nuk do t’i zvogëlojmë përveç këtyre shtatë rasteve. Do t’i zvogëlojmë, domethënë ka më shumë përjashtime sesa rregulla brenda asaj që ka paraqitur Partia Socialiste. Partia Demokratike është më e sinqertë: nuk ka asnjë parim. Ka thënë na duhen njëqind bashki, se vetëm numrin njëqind e ka gjetur kështu për parim. Ka vizatuar ca bashki. Është komplet joserioze nga të dyja palët. E dyta gjë, që është serioze pastaj, është që nuk ka asnjë përpjekje për të decentralizuar pushtetin dhe për t’i kthyer bashkitë në institucione qeverisëse. Ne kemi bashkitë më të dobëta. Komitetet Ekzekutive të komunizmit, për tridhjetë e gjashtë vjet, kanë pasur pushtet real. Ato caktonin drejtorin e arsimit, të shëndetësisë, drejtorin e punëve të brendshme, shefin e Degës së Brendshme, komisariatin e tanishëm. Kishin pushtet të plotë mbi pushtetin ekonomik. Bashkitë sot s’kanë asgjë. Po u prish ujësjellësi, kryetari i bashkisë nuk e ka në dorë. Po u prish rruga, nuk e ka në dorë. Hipotekën nuk e ka në dorë. Po iku energjia elektrike, s’e ka në dorë. E ka në dorë, ku di unë, të vijë festa kur ka festë të qytetit, të presë shiritin dhe të shëtisë rrugëve. Është skandal totalisht. Unë nuk e di se si do shkohet në Bashkimin Evropian me këtë gjë, me kompetencat, por së paku ajo që mendoj unë që duhet bërë, meqenëse këta kanë frikë, e kuptoj unë pse kanë frikë dhe nuk është se s’kanë fare të drejtë, që t’ia japësh një bashkie të vogël të gjitha kompetencat që i ka Bashkia e Tiranës, por mund ta çosh nivelin e decentralizimit në nivel qarqesh. Domethënë, që të paktën të mos jetë pushteti qendror. Të mos marrin ministrat në telefon kur s’ka drita, të marrin atë kryetarin e qarkut, prefektin. Ta kalojnë, të paktën t’i zbresin kompetencat, po të gjitha kompetencat. Jo tenderat t’i ketë ky lart, kurse këto riparimet t’i ketë ai poshtë në bashki. Pra, të decentralizojmë të paktën në nivel qarku ose në nivel rrethi. Të kthehen rrethet, që të ketë një nivel kompetencash lokale. Të dinë njerëzit ku të venë të ankohen. Njerëzit akoma ankohen kur s’ka drita dhe ujë në bashki, po bashkia s’merret më as me dritat, as me ujin. Me ujin merret ujësjellësi. Me dritat merret dikush tjetër, është kompania. Domethënë, mentaliteti i njerëzve akoma vazhdon. Njerëzit ankohen se mendojnë që ato bashkitë… Pra, kompetencat duhet të zbriten minimumi në nivel qarku ose rrethi. Është urgjente, është absolute. Edhe çështja e taksave, e pushtetit financiar. Bashkitë nuk marrin pothuajse asnjë taksë. Në qoftë se unë çoj një biznes të madh, ku di unë, në Tepelenë, kryetari i Bashkisë së Tepelenës më merr lekët për taksën e tabelës, se ç’ka taksë tjetër. Po jo tatim-fitimin. Këto i merr qeveria qendrore. Kështu që ti mund të bësh namin atje me biznes, po bashkia s’fiton asgjë. Bulqiza mund të bëjë namin duke nxjerrë krom, por shkon aty e varfër, se s’ka. Fieri nxjerr naftë, po nuk ka taksë bashkia. Kanë hequr edhe tatimin për biznesin e vogël, i cili ishte taksë që e mblidhte bashkia. Bashkia s’bën asgjë. Të gjitha bizneset që nuk e kalojnë njëzet milionë lekë në vit nuk paguajnë taksë. Dhe me çfarë duhet t’i bëjë gjërat ai? Natyrisht do të kërkojë çdo gjë nga qeveria qendrore dhe kaq.

B.R.: A ka një person në politikën shqiptare sot që besoni se mund të bëhet kryeministër në një afat të shkurtër?

M.B.: Nuk kemi në horizont ndonjë njeri ambicioz për t’u bërë kryeministër, por kryeministrat në Shqipëri janë bërë edhe për njëzet e katër orë, kështu që ti mos u çudit kur të shikosh ndonjë komshi në lagje që të është bërë kryeministër. Këtu është bërë kryeministër Pandeli Majko, Ilir Meta, shumë të rinj, dhe nuk kanë qenë të këqij, pavarësisht paragjykimit që ke pasur ti në fillim. Kështu që punët bëhen. Të hysh në politikë është gjithmonë ndonjëherë fat. Shpeshherë janë rrethanat të cilat prodhojnë kryeministra që ty s’të ka shkuar mendja deri dje. Për shembull, më 9 mars as Bashkim Finos s’mund t’i shkonte mendja që do bëhej kryeministër. E gjetën duke luajtur letra dhe thjesht i thanë: “Hajde se të kërkon Tirana të bëhesh kryeministër.” Nuk është një problem i madh. Kështu, po nuk kemi në horizont njerëz ambiciozë për t’u bërë kryeministër, të paktën nga Partia Socialiste. Kurse nga Partia Demokratike është e qartë: kryeministër është Sali Berisha, në qoftë se do të fitojë Partia Demokratike. Por këto janë kot. Këto janë, si të thuash, shenja dëshpëruese hipotetike. Kryeministri i një vendi, në vende të tilla si Shqipëria, prodhohet për njëzet e katër orë. Mund të dalë shumë i mirë, mund të dalë shumë i keq, por nuk ka të bëjë me aftësitë e tij, se këtu, përveç Fatos Nanos, Sali Berishës, Edi Ramës edhe Ilir Metës, që e kanë kërkuar atë që kanë, të tjerët e kanë marrë atë që s’e kanë kërkuar.

B.R.: Ky podcast mbështetet nga AB Bank.