Manchester City humbi 1-0 në “Villa Park” me Aston Villan, duke u parakaluar në renditje nga skuadra e Unai Emery.

Kampionët e Anglisë regjistruan ndeshjen e katërt radhazi pa fitore në Premier League, diçka që nuk ndodhte prej periudhës mars-prill 2017.

Trajneri Pep Guardiola vlerësoi kundërshtarët, ndërkohë që bëri një premtim në lidhje me të ardhmen e tij në stolin e Citizens.

“Aston Villa ishte skuadra më e mirë në fushë. Ata zhvilluan një ndeshje fantastike dhe e merituan fitoren.

Nëse fitojmë sërish tripletën si sezonin e kaluar, unë tërhiqem përfundimisht. Është e sigurt kjo që po ju them”, u shpreh tekniku katalanas. 52-vjeçari mban postin e trajnerit të Cityt prej vitit 2016, ndërkohë që ka kontratë deri në verën e vitit 2025.

Aktualisht, djemtë e Pep Guardiolës renditen në vendin e katërt në kampionat me 30 pikë. 6 më pak se Arsenali kryesues.