Buxheti i shtetit për vitin 2024 do të jetë 735.9 miliardë lekë me një rritje në krahasim me këtë vit prej 30.3 miliardë lekë.

Për vitin e ardhshëm është parashikuar që të ardhurat të kapin shifrën e 674.6 miliardë lekë, ose rreth 24,5 miliardë lekë më shumë se ky vit.

Parashikimin për këtë rritje të ardhurash, Ministria e Financave e mbështet tek pritshmëritë për rritjen ekonomike që përllogaritet në 3.8%, tek të ardhurat shtesë si pasojë e paketës fiskale, indeksimi i çmimeve, kontributet si rezultat i rritjes së pagave, përmirësimi i konsumit apo rritja e investimeve.

Buxheti i vitit që vjen do të ketë në fokus vijimin e reformës së pagave për sektorin shtetëror me synim arritjen e pagës mesatare 900 euro. Për vitin 2024 do të shpenzohen për këtë reformë 11 miliardë lekë.

Po ashtu janë rreth 7.8 miliardë lekë që do të ndahen për pensionistët që përfshin indeksimin dhe dhënien e bonusit për fund vit.

Ndërsa sa i takon bashkive, të ardhurat planifikohen në 71.1 miliardë lekë, ku 36.5 miliardë lekë është vlera e transfertës e pakushtëzuar që do të shkojë si mbështetje nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor.

Sa i takon investimeve publike janë planifikuar në masën 128.5 miliardë lekë, ku 7 miliardë lekë janë të dedikuara për procesin e rindërtimit për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019.

Kurse pagesat për projektet koncesionare për vitin e ardhshëm janë planifikuar në masën 14,2 miliardë lekë nga 13 miliardë lekë që janë planifikuar për këtë vit.

Për vitin 2024 Ministria e Financave pret që të zbresë në 59.5% të PBB-së nga 61.5% i pritshëm për këtë vit. Në vlerë të arrijë në 1 trilionë e 454 miliardë e 516 milionë lekë, me një rritje prej 337 milionë lekë në raport me këtë vit.

BUXHETI I SHTETIT
Viti 2023          705.607 mln lekë
Viti 2024          735.976 mln lekë
Rritja               +30,369 mln lekë
TË ARDHURAT E BUXHETIT
Viti 2023          650.109 mln lekë
Viti 2024          674.696 mln lekë
Rritja               +24,587 mln lekë
BUXHETI I PUSHTETIT VENDOR
Viti 2023          64.473 mln lekë
Viti 2024          71.175 mln lekë
Rritja               +6.702 mln lekë
STOKU I BORXHIT PUBLIK
Viti 2023              1.454.139 mln lekë
Viti 2024              1.454.516 mln lekë
Diferenca            +377 mln lekë