Shaban Murseli, babai i Naim Murselit, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, tha se të enjten rreth orës 17:00, dy persona i kishin shkuar në shtëpi për t’ia përcjellë mesazhin e familjes Ademi se ia ka një gjak borxh.
Ai këtë deklaratë e bëri për Kojshia Show të premten kur ky emision po xhirohej. “Për fat të keq, sonte nga ora 17:00 më kanë ardh dy njerëz në derë edhe më kanë thanë që ‘na ke gjakun borxh. Mos dil mo se na ki gjakun borxh’. Unë reagova, iu thashë ‘ose s’jeni kah e kuptoni, ose jeni kah e luani lojën e dyfishtë se ju në media po thoni që ia këna lanë drejtësisë, kurse mua po më vini te dera. Ju në media po thoni ia këna lanë drejtësisë, amo pas mediave po më vini te dera. Unë nuk kam ku me ikë, kur të don le t’më vret, çka kom me ba’”, tha Murseli.
Ai ka përmendur edhe emrat e personave që i shkuan në shtëpi dhe thotë se për këtë e ka lajmëruar edhe Policinë dhe se këtë lajm e kanë marrë edhe dy familje tjera.
Ai tha se djali i tij kishte presion të madh nga dikush. Madje thotë se Naimi i ka me mesazhe e video.
“Nuk dua me hy në detaje, veç Naimi kishte mesazhe, video dhe ka pas presion shumë të madh”, tha ai, duke mos dashur të zbulojë më shumë e për kënd bëhet fjalë.
Pasi dha këto detaje për Kojshia Show të premten kur ky emision po xhirohej, ai tha se i duhet ta ndërpresë intervistën, duke mos treguar arsyen.
Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.
Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.