Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka kujtuar 104-vjetorin e Kongresit të Lushnjes, themelimin e parlamentarizmit shqiptar.

Në një postim në Facebook, Kreu i Parlamentit Nikolla shkruan se kjo është ngjarja më e rëndësishme me të cilin nisi historia e parlamentarizmit shqiptar.

“104 vjet më parë, në 21 janar 1920, filloi punimet Kongresi i Lushnjës, me të cilin nis historia e parlamentarizmit shqiptar. Këshilli Kombëtar, të cilit Kongresi i dha atributet e institucionit legjislativ të vendit, u bë parlamenti i parë i Shqipërisë”, shkruan Nikolla.

Ndër të tjera ajo shkruan se, “parlamentarizmi shqiptar u zhvillua paralel me përballimin dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha të vendit: plotësimi i vendimeve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës; konsolidimi i pavarësisë kombëtare; pengimi i copëtimit dhe mbrojtja e integritetit territorial, me mbështetjen e ShBA dhe të Presidentit Ëillson.

Ndaj shkruan Kryetarja e Parlamentit, “është koha të punojmë për të fuqizuar Kuvendin e Shqipërisë si garant i Kushtetutës dhe Republikës. Për konsolidimin e demokracisë, thellimin e reformave, luftën kundër krimit e korrupsionit, avancimin e procesit të integrimit dhe ndërtimin e Shqipërisë europiane”.

“Për të bashkëpunuar e për t’u kthyer në normalitetin e veprimtarisë parlamentare, për të diskutuar e vendosur për alternativat e zhvillimit dhe kapërcimin e sfidave të së ardhmes. Për të ushtruar kontrollin parlamentar të qeverisë dhe institucioneve, duke respektuar e mbështetur ndarjen e pushteteve. Që në Kuvendin e Shqipërisë të sundojë forca e argumenteve dhe jo arsyeja e forcës, që Kuvendi të mos bëhet peng i qëllimeve, interesave dhe vullneteve individuale, por mbrojtës i interesit kombëtar e publik, i mirëqenies dhe të drejtave të qytetarëve.”, përfundoi Nikolla.