Viti 2023 duket se do të shënojë një rekord të ri sa i përket pagesave me para elektronike. Janë kryer përmes këti sistemi thuajse 13 milionë pagesa, ndërkohë që rekordi i vërtetë është volumi i vlerave monetare të transferuara përmes tyre, i cili rezulton afërisht 800 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-nëntor të vitit 2023 janë kryer 12,852,767 pagesa përmes sistemit të parasë elektronike. Rritja është e dukshme krahasuar me vitin 2022, kur totali i transaksioneve ishte 10,216,680, pra afërisht 2.5 milionë pagesa më shumë, ndërkohë që shifrat nuk janë ende përfudnimtare për vitin 2023.

Ndërkohë që bumi i vërtetë vjen te vlerat monetare të këture pagesave. Nga 45,3 miliardë lekë në total për vitin 2022, totali i pagesave përmes platformave të parasë elektronike ka kërcyer në 85,1 miliardë lekë, apo afërisht 800 milionë euro, deri në fund të nëntorit 2023, me shumë gjasa për t’u dyfishuar me zbardhjen e shifrave të dhjetorit.

Në vitin 2023, në vend operuan 9 institucione të parasë elektronike, nga 7 të tilla në fund të vitit 2021. Rritja e numrit të institucioneve të parasë elektronike ka ardhur edhe si efekt i miratimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave”. Shtimi i institucioneve të parasë elektronike ka sjellë edhe një shtrirje më të gjerë të terminaleve që ato vënë në dispozicion të klientëve të tyre (si atyre fizikë dhe virtualë), konkretisht me një rritje të konsiderueshme prej 123.3% krahasuar me fundin e vitit 2021.

Përdorimi i parasë elektronike sjell lehtësira kryesisht për atë pjesë të popullsisë shqiptare që nuk zotëron një llogari bankare. Avantazhet për këtë pjesë të popullsisë konsistojnë në rritjen e fleksibilitetit për kryerjen e pagesave, duke llogaritur shtrirjen e gjerë të këtyre institucioneve në vend, por edhe në një kosto më të ulët për pagesat e kryera, sidomos për pagesat e gjobave, faturave utilitare mujore etj.

Transaksionet elektronike janë një formë pagese e ngjashme me pagesën me kartë bankare. Ndryshimi qëndron te fakti se pagesat nuk kryhen përmes kartave dhe POS-eve si në rastin e sektorit bankar, por nëpërmjet infrastrukturës së institucioneve të licencuara të parasë elektronike./SCAN