TIRANË– Dita e sotme shënon plot 13 vite nga protesta e 21 janarit të vitit 20211, ku tre protestues u vranë me armë zjarri dhe një i katërt u plagos rëndë dhe ndërroi jetë pak ditë më vonë. Demostruesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda vdiqën atë ditë, shtatë të tjerë u plagosën, mes të cilëve Aleks Nika, i plagosur rëndë ndërroi jetë në një spital në Turqi.
Opozita e atëhershme, Partia Socialiste akuzoi qeverinë se qëlloi mbi demonstruesit, ndërsa në orët e tensionuara të mbrëmjes, asokohe një grup prokuroresh nisi punën në vendngjarje. Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, policia shkencore administroi brenda rrethit të kryeministrisë sasi të konsiderueshme gëzhojash, konkretisht 131 gëzhoja 9 milimetërshe, si dhe 436 gëzhoja 7, 62 milimetërshe.
Pamja e parë e personit të dyshuar si një ndër efektivët që qëlloi mbi turmën ishte ajo e gardistit Agim Llupos në bodrumin e kryeministrisë, i vendosur sipas një plani masash që më pas u identifikua si grupi i zjarrit.
Por ndërsa në këtë demostratë Garda e Republikës kishte angazhuar 60 gardistë nga tre njesitë kryesore të saj, se kush qëlloi mbi demonstruesit gjatë 21 janarit 2011, do të qëndronte në mister për disa orë. 4 protestues të vrarë, 6 protestues të plagosur rëndë, 80 gardistë dhe policë të plagosur lehtë. Grupi hetimor i prokurorisë ishte përbërë nga 12 pjesëtarë, prej tyre 6 prokurorë dhe 6 oficerë të policisë gjyqësore. Janë marrë në pyetje 120 persona dhe janë kryer 2 eksperimente speciale në vendngjarje.
Grupi hetimor firmosi 6 urdhra arresti për drejtuesit e Gardës së Republikës, dy të dënuar nga Gjykata e Apelit, komandanti i Gardës Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardisti Agim Llupo me 3 vjet burg. Por kjo nuk mbetet këtu, pasi familjarët i bëjnë thirrje SPAK-ut, të zbardhë çështjen dhe të dënojë të gjithë fajtorët e asaj dite.