“Gjatë 2024, si viti i parë i zbatimit të ligjit të ri, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënies me tatimpaguesit, qasja do të jetë këshilluese me qëllim lehtësimin e vetëpërmbushjes”

Në zbatim të ligjit të “Tatimit mbi të Ardhurat”, Administrata Tatimore ka informuar tatimpaguesit, që ofrojnë shërbime profesionale sipas përcaktimeve të VKM Nr. 753, datë 20.12.2023, që nga janari 2024 do të tatohen me 15%.

Me qëllim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve (jo penalizimin e tyre), Administrata Tatimore u ka dërguar letër të personalizuar çdo tatimpaguesi, që është pjesë e listës së shërbimeve profesionale të miratuar me vendim qeverie, që të marrë masa për saktësimin e kodit ekonomik në mënyrë që të tatohet në mënyrë të drejtë.

Sa më lart përmendur, është shumë e rëndësishme që tatimpaguesit të vetë verifikojnë kodin ekonomik të aktivitetit në llogarinë elektronike në e-Filing, sipas listës së shërbimeve profesionale, dhe ta ndryshojnë atë në përputhje me aktivitetin që ushtrojnë për 2 qëllime:

1- Të tatohen drejtë, si shërbime profesionale, sipas vendimit të qeverisë.
2- Të mos tatohen gabimisht nëse kodi ekonomik nuk përputhet me aktivitetin e biznesit.

Korrigjimi i kodit ekonomik bëhet lehtësisht, online nëpërmjet shërbimeve “Aplikim për ndryshim të personit fizik” ose “Aplikim për ndryshime në të dhënat e regjistrimit për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar (SHPK)”.

Nëpërmjet kësaj letre, Administrata Tatimore inkurajon gjithashtu tatimpaguesit të pasqyrojnë saktë të dhënat në Deklaratën Vjetore të Tatimit mbi Fitimin apo Tatimit te Thjeshtuar mbi Fitimin, për vitin 2023, në lidhje më të dhënat e deklaruara për të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin e tatueshëm, pasi këto të dhëna do të jenë objekt i vlerësimit nga Administrata Tatimore për përllogaritjen e tatim fitimit paraprak gjatë vitit 2024.

Si viti i parë i zbatimit të ligjit, Administrata Tatimore sqaron se gjatë vitit 2024, si viti i parë i zbatimit të ligjit të ri, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënies me tatimpaguesit, qasja e saj do të fokusohet drejt këshillimit me synim lehtësimin e përmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e tyre.