Në orën 10:00 do të zhvillohet seanca në SPAK ku ish-kryeministri Sali Berisha do të paraqitet për herë të parë dhe do të përgjigjet në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Një patrullë policie ka mbërritur në banesën e Berishës, e cila pritet ta shoqërojë drejt SPAK. Ndërkohë avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mengjesi, po presin ish kryeministrin poshtë pallatit të tij, ndërsa po konsumojnë një kafe.
Kjo është hera e parë që Berisha i përgjigjet thirrjes së SPAK për t’u marrë në pyetje, ndërsa në të gjitha rastet e tjera nuk është paraqitur me argumentin se procedura e ndjekur ndaj tij ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Kujtojmë se, GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës më 30 dhjetor 2023. Sipas vendimit të gjykatës, Berisha urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë, përveç atyre “që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”. Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.