SPANJE – Real Madridi fitoi 3-2, një ndeshje të vështirë ndaj Almería-s së vendit të fundit, me golin e fitores që u shënua në kohën e shtuar. Në fund të lojës, trajneri i ‘Merengues’, Carlo Ancelotti e konsideroi atë një “lojë të çuditshme”.
“Lojë e çuditshme. Në pjesën e parë luajtëm shumë keq. Nuk kam menduar për stërvitjen e djeshme. Ekipi ishte i lodhur. Pjesa e dytë ishte diçka tjetër dhe ne patëm mbështetjen dhe vendosmërinë e tifozëve tanë, gjë që është shumë e rëndësishme”,- tha Ancelotti.
Ndeshja përfundoi duke u karakterizuar nga disa situata të diskutueshme lidhur me arbitrimin, lëvizje që u vunë në dukje nga lojtarët e Almerías në fund të ndeshjes.
Pavarësisht polemikave, Ancelotti jep një vlerësim pozitiv për arbitrimin e ndeshjes, edhe pse e kupton zhgënjimin e kundërshtarëve: “E kuptoj zemërimin e Almerías me vendimet e VAR-it, por mendoj se vendimet ishin të drejta”.
“Kam parë lëvizjet e diskutueshme. Mendoj se arbitri mori vendimet e duhura, jo VAR-i. VAR paralajmëron dhe arbitri është ai që vendos. Dhe unë mendoj se ai veproi drejtë. Secili ka mendimin e vet. Unë i kuptoj ankesat (e Almerías), por të tre vendimet ishin të sakta. Jam gati për çdo gjë që mund të diskutohet, pa asnjë problem”,- përfundoi trajneri i Real Madridit.