Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, vendosi lule mbi varrin e Blerina Jasharit në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ai tha se askush “nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”.

Stojkoviq, shtetas i Serbisë, është avokat i politikanit opozitar në Serbi, Nikolla Sandulloviqit – i cili u arrestua më 3 janar 2024, pak kohë pasi publikoi fotografi nga kompleksi memorial në Prekaz.

Ai u arrestua nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”. Ndërkohë ai u lirua por iu konfiskua pasaporta.

Avokati Stojkoviq tha se Sandulloviqit kishte bërë homazhe më 17 shkurt 2023.

“25 vjet pas luftës së Kosovës, si lufta e fundit ballkanike, vendi im arreston dhe rrah njerëz që duan pajtim mes kombeve duke vendosur lule mbi varret e fëmijëve shqiptarë. Është dicka që nuk duhet ta injorojmë. Është një paralajmërim i qartë se e keqja nuk është mposhtur, se ajo pret kohën e vet…”, tha ai.

“Unë erdha këtu jo vetëm për të shprehur dhimbjen time për qytetarët e vrarë pas 26 vitesh, erdha këtu jo vetëm për të nderuar viktimat, por erdha këtu edhe për të dhënë një mesazh të qartë se ne, që po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për jetën tonë. Njerëz, mos kini frikë. Nuk kemi pasur frikë dje, nuk kemi frikë sot dhe nuk do të kemi frikë nesër. Askush nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”, shtoi ai.

Stojkoviq, njoftoi paraprakisht për vizitën e tij në Prekaz dhe tha se me këtë sfidon autoritet në Serbi, që ta arrestojnë edhe atë, njëjtë si Sandulloviqin.

“I arrestuar apo jo, do të vazhdoj të jem njeri i lirë, sepse liria nuk vjen nga gjykimet…Liria vjen nga zemra e njeriut”, tha ai.

Ai tha se mesazhi që duhet të dërgohet nga Prekazi është se “liria do të fitojë gjithmonë”.

“Blerina, urrejtja vdes, ti jeton përgjithmonë. Le të krijojnë mijëra lot, mijëra vjet paqe dhe miliona shpresa e ëndrra që fillojnë me fjalën – Falje”, tha avokati serb.

Ai bëri të ditur se nesër do të kthehet në Beograd dhe i pyetur nga gazetarët nëse ndjehet i frikësuar se mund të arrestohet, ai mohoi diçka të tillë.

Rasti Sandulloviq

Më 2 janar, Sandulloviq e publikoi një video në rrjetin social X, ku ai shihej në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz duke vendosur kurorë me lule në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Një ditë pas publikimit të videos në rrjetin X, avokati Çedomir Stojkoviq bëri të ditur se Sandulloviqi është arrestuar më 3 janar.

Sandulloviq u mbajt në paraburgim nga 5 deri më 15 janar dhe arrestimi i tij nxiti reagimi në Kosovë gje më gjerë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai u keqtrajtua pasi kërkoi falje për krimet e Serbisë.

Ndërkaq, institucionet e Bashkimit Evropian konfirmuan më 9 janar se po monitorojnë situatën dhe informacionet lidhur me arrestimin e Sandulloviqit.

Familjarët thanë se Sandulloviq u keqtrajtua brutalisht. Prokuroria në Serbi tha se nuk ka prova për këtë.

Ish-shefi i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin tha më 6 janar se Sandulloviqi ishte arrestuat me urdhër të tij, për shkak se kishte vendosur kurorë me lule në fshatin Prekaz të Skenderajt, ku forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke i vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje në vitin 1998 gjatë luftës në Kosovë.

Sandulloviq është president i Partisë Republikane që u themelua më 2015, por që nuk e ka kaluar pragun zgjedhor për t’u futur në Parlamentin serb.

Ai ka një biografi kundërthënëse, ku përfshihet edhe plagosja e tij nga shpërthimi i një makine 13 vjet më parë, dhe arrestimi i tij për “përhapje paniku” më 2020 gjatë pandemisë së koronavirusit./rel