Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore nga sot do të ketë një drejtues të ri. Zv.Kryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka prezantuar ekonomistin Petrit Malaj si kreun e ri të AKBN, i cili do të ketë detyrën e drejtimit të një procesi reformimi të përgjithshëm të këtij institucioni.

Malaj është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ka vijuar studimet për Master në “Business Administration” në Universitetin Wisconsin- La Crosse në SHBA , është kualifikuar për “Banking and Finance” në Universitetin Georgetown, SHBA dhe më pas ka ndjekur një program kualifikimi për Drejtimin e Tregut të Kapitaleve, të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë.

Ai ka një përvojë të pasur pune në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania”, pjese e BDO International, grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave.