European Union foreign policy chief Josep Borrell speaks during a debate on the need for a coherent strategy for EU-China relations, as part of a plenary session at the European Parliament in Strasbourg, eastern France, on April 18, 2023. (Photo by Frederick FLORIN / AFP)

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, prezantoi raportin e Shërbimit të veprimit të jashtëm (EEAS) lidhur me fushatat e ndërhyrjes së huaj dhe dezinformimit, me qëllim të ndikimit në proceset zgjedhore.

Borrell tha më 23 janar se ky raport vjen në një kohë të ndjeshme dhe të rëndësishme, pasi këtë vit në shumë vende të botës, përfshirë edhe në BE dhe Shtetet e Bashkuara do të ketë procese zgjedhore.

Me këtë raport, Borrell ka propozuar edhe masa që duhet të ndërmerren për të parandaluar ndikimet negative në proceset demokratike nga faktorët që kanë për qëllim manipulimin dhe dezinformimin.

Gjatë paraqitjes së raportit, shefi i diplomacisë së BE-së tha se kërcënimi nga ndikimet e huaja në botën moderne janë kërcënime gjithnjë e më të mëdha, të cilat duhet të merren seriozisht.

“Ka bomba që mund të vrasin, helme që mund t’iu helmojnë, por si të adresohet manipulimi dhe ndërhyrja në fushatë, është sfidë e madhe”, tha ai, duke shtuar se Rusia në mënyrë të sofistikuar dhe në përmasa industriale për vite është angazhuar në fushata të dezinformimit.

“Jemi të ndjeshëm ndaj këtij kërcënimi sepse informatat dhe dezinformatat përhapen me shpejtësinë e dritës”, tha ai.

Borrell veçanërisht përmendi shtetet e Ballkanit Perëndimor si “viktima” të sulmeve të tilla manipuluese.