Nga Jakin Marena
Predha e cila vrau Aleks Nikën në mes të trotuarit përballë kryeministrisë më 21 janar 2011 është nisur drejt Italisë për një ekspertim të thelluar, përmes mjeteve bashkëkohore.
Këtë fakt e bëri të ditur ministri i Brendshëm Taulant Balla ditën e enjte, i cili tha se pas dy ditësh do të niset për ekspertim në Itali predha e cila i mori jetën Aleks Nikës në protestën e 21 janarit 2011, duke nënvizuar se vendimi i Strasburgut hap rrugë të re që hetimet të shkojnë deri në fund.
Njëherësh një lajm i tillë ka nxjerrë bllof dhe prokurorinë e kohës, e cila kishte paraqitur si fakt pikërisht ekspertimin jashtë vendit të kësaj predhe që vrau Aleks Nikën më 21 janar, duke u shprehur se nuk ishte në lartësinë e përdorimit si provë në atë proces të montuar të hetimit të kësaj masakre shtetërore me plumbat e Gardës së Republikës së asaj kohe.
Pra hetimi i thelluar e rigjykimi i ’21 janarit’ pritet të bëhen brenda një kohe shumë të shkurtër, sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, sipas të cilit e thënë në mënyrë më të thjeshtë, hetimet nuk duhet të merren me gardistët që tërhoqën këmbëzën duke shkaktuar 4 protestues të vrarë, por të ‘ngjiten’ deri në majën e zinxhirit të komandimit, pra urdhërdhënësat!
Dhe në majë të këtij zinxhiri komandimi ishte as më pak dhe as më shumë por vetë kryeministri i asaj kohe Sali Berisha. E përmban dhe rregullorja, kur në një institucion ndodhet titullari më i lartë, dhe ka në dispozicion Gardën, atëherë urdhëri artikulohet po nga ai, përcillet sipas shkallës së hierarkisë poshtë.
Më 21 janar 2011 në selinë e kryeministrisë titullari më i lartë ishte vetë kreu i atëhershëm i qeverisë Sali Berisha, dhe pas tij vinin ministri i Brendshëm i asaj kohe Lulzim Basha dhe me radhë, komandanti i Gardës dhe zinxhiri komandues deri tek gardisti më i thjeshtë që përbën dhe fazën e ekzekutimit të urdhërit. Një hetim të tillë ka kërkuar Strasburgu.
Jemi të sigurtë se Berisha nuk ka pritur ta marrë vesh të enjten nga ministri i Brendshëm Balla se do të niset predha që vrau Aleks Nikën, dosje e mbyllur pa autor, drejt Italisë për ekspertim.
Kreu i Foltores përmes ‘kallauzëve’ të mbetur në polici dhe drejtësi e ka marrë vesh kohë më parë se hetimi i ’21 janarit’, sipas vendimit të Strasburgut ka nisur me intensitet të plotë, dhe përmes ekspertizës së huaj të provave si në rastin e predhës që vrau Aleks Nikën, ndaj ka nisur tentativat për të bërë ‘viktimën politike’ dhe për të ‘shitur’ veten si një i burgosur politik.
Strategjia është e qartë për Berishën. Duke e ditur se për ’21 janarin’ nuk ka si shpëton nga ballafaqimi me drejtësinë dhe për më tepër me qelinë, po përpiqet me të gjitha mënyrat që të ‘zemërojë’ SPAK-un në mënyrë që ai të kërkojë mbylljen e tij në burg për thyerje të vendimit të arrestit shtëpia, masë e dhënë për thyerje të detyrimit të paraqitjes dy herë në muaj te gjykata, nën akuzën për korrupsion pasiv me privatizimin e ish klubit sportiv “Partizani”.
Nuk është rastësi që Berisha, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Posaçme, në fillim bëri provën e parë duke postuar deklarata politike dhe sulmuar kryeministrin Edi Rama, drejtësinë e re ‘në shërbim të tij’, që në natën e fundit të ndërrimit të viteve dhe duke vijuar në ditën e parë të vitit të ri 2024, më 1 janar.
Më pas Berisha ‘guxoi’ më shumë duke dalë në dritaren e shtëpisë e duke improvizuar një miting me dhjetra vetë para banesës ku është nën arrest shtëpie në Rrugën ‘Mustafa Matohiti’ në Tiranë, teksa ka mbajtur një fjalim tërë agresivitet për përmbysje ‘regjimesh’, sulme ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm dhe duke deklaruar se nga arresti do të organizojë qëndresën kundër qeverisë së Ramës, që po mbyll në burg sipas tij, opozitën.
Dy fjalimet e njëpasnjëshme, të mërkurën dhe të enjten ishin një thyerje e hapur e vendimit të Gjykatës dhe nuk ka se si të shpëtojë nga ‘radari’ i SPAK i cili po monitoron të gjitha lëvizjet dhe qëndrimet e liderit të Foltores nën arrest shtëpiak. Dhe nuk e ka bërë nga padurimi, por thjeshtë dhe vetëm vepron sipas një skenari, që Berishës i duket se do të japë rezultat!
Megjithatë, janë thyerje të pastra të vendimit të gjykatës, që precizon qartë se Berisha nën arrest shtëpiak nuk duhet të komunikojë me askënd përpos personit me të cilin bashkëjeton, në rastin konkret me bashkëshorten e tij Lirie Berisha. Jo më të bëjë mitingje sikurse po bën.
Por Berisha me sa duket pikërisht këtë penalizim do. Kërkon një masë më të fortë sigurie, ka mbetur tashmë vetëm arresti me burg për ta mbyllur në qeli, prandaj po përpiqet me të gjitha mënyrat që të thyejë të gjitha pikat e mundshme të vendimit të Gjykatës së Posaçme. Duke tentuar që SPAK të kërkojë një masë tjetër arresti për të, atë me burg.
E ka të qartë se tashmë nuk kërkohet më leje nga Kuvendi, pasi e ka marrë lejen për arrestin njëherë e mirë, në të dyja rastet SPAK. Dhe varet vetëm nga vullneti i këtij institucioni më të lartë të hetimit për të thelluar masën për të dhe për ta futur në qeli me vendim gjykate.
Po pse po e kërkon me aq ngulm Berisha mbylljen në qeli, thjeshtë dhe vetëm për thyerje të vendimit të Gjykatës së Posaçme, atë të arrestit shtëpiak, duke organizuar mitingje dhe mbajtur fjalime nga dritarja e shtëpisë së tij?
E nënvizuam dhe më sipër. Berisha e di se nuk ka asnjë mënyrë për t’i shpëtuar dënimit, edhe nëse shpëton nga dënimi në rastin e aferës së privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani”. Rihapja e hetimit për vrasjet e ’21 janarit’ sipas vendimit të Strasburgut, dhe mbi të gjitha përshpejtimi i këtij procesi, ia garantojnë burgun Berishës. Pasi akuzohet si urdhëdhënësi i këtyre vrasjeve. Dhe dënohet si vrasës.
Njëherësh Berisha si ‘skile’ e vjetër e politikës nuk e përjashton mundësinë që dikur ‘biri’ i tij politik, tashmë armiku kryesor që e përjashtoi nga PD dhe e la rrugëve, Lulzim Basha që ka dhe vulën e logon e PD, duke qënë se ka qënë i dyti në zinxhirin e komandimit të Gardës ditën e ’21 janarit’ kur u vranë 4 demonstruesit e pafajshëm të opozitës së atëhershme, mund të jetë rrëfyer ose do të rrëfehet për tërë zhvillimet e asaj dite. Dhe Basha e bën këtë po ia kërkuan.
Kreu aktual i PD Basha, asokohe ministër i Brendshëm ka qënë hap pas hapi me Berishën më 21 janar 2011 dhe ka marrë urdhëra ose ka dëgjuar urdhëra direkt ndaj komandantit të Gardës për të qëlluar në ‘mish’. Madje mund të ketë parë dhe grushtin që qëlloi në fytyrën e ish komandantit të Gardës, duke e mavijosur rëndë, ndërsa mund të ketë qënë prezent dhe për lëvizjen në shumë duar të pistoletës së Ndrea Prendit, apo deri në fshirjen e kamerave të sigurisë së kryeministrisë.
Pikërisht, i shqetësuar për rrugën e re që ka marrë hetimi i ’21 janarit’, që mund të mbyllet me dënimin e ‘majës’ së zinxhirit të komandimit, pra të vetë ish kryeministrit, Berisha po nxiton që të shkojë sa më shpejt në burg duke thyer vendimin e Gjykatës së Posaçme të arrestit shtëpiak përmes fjalimeve para ithtarëve të paktë të tij nga dritarja e banesës ku është nën arrest shtëpiak.
Berisha po tenton të paraqesë veten si viktimë të ‘diktaturës së Ramës’, dhe kërkon t’i japë vetes titullin e të burgosurit politik. Madje duke bërë dhe krahasime nga më të pakrahasueshmet, deri me Navalnyn, liderin e opozitës në Rusi, të burgosur nga Putin në burgjet e thella të Siberisë.
Ndërkohë që paralel me këto lëvizje në thyerje të vendimit të gjykatës për arrestin shtëpiak, Berisha ka shpërndarë në panelet e të gjitha ekraneve shqiptare ithtarët e tij, të cilët i mëshojnë idesë se është burgosur lideri i opozitës, se është një i burgosur politik dhe gjëra të tjera të këtij lloji, pavarësisht se Berisha është nën arrest shtëpiak për vjedhje, dhe mund të dënohet dhe për dosje të tjera vjedhjesh apo vrasjesh shtetërore, duke filluar nga “Gërdeci’, dhe vijuar me ’21 janarin’, “Rrugën e Kombit”, aferën CEZ-DIA e dosje të tjera të rënda në ngarkim të tij apo të familjarëve të tij.
Për hir të së vërtetës Berisha e ka merituar me kohë e vakt futjen në kokrrën e burgut, pasi është shkaktari i të gjitha fatkeqësive të mëdha në Shqipëri, pengimin e vendit për prosperuar, vjedhjen e arkës së shtetit në të gjitha rastet dhe mbi të gjitha vrasjet shtetërore që janë bërë me urdhër të tij ose nën hijen e tij. Deri dhe shuarjen e djemve të Tropojës, duke filluar nga Haklajt.
Por shpresojmë që SPAK dhe Gjykata e Posaçme do të përshpejtojë në hetimin dhe gjykimin e dosjeve të rënda në ngarkim të tij, veçanërisht ’21 janarin’ pasi e ka gati nga Strasburgu, për t’ia hequr Berishës ‘kënaqësinë’ e paraqitjes së vetes si i burgosur politik, apo ‘viktimë e diktaturës së Ramës”.
Shpresojmë tek SPAK dhe drejtësia e re sepse nuk komandohen më nga politika shqiptare. Ka marrë fund me kohë e me vakt periudha kur vendimet jepeshin me një ‘sms’ të Berishës, familjarëve apo ortakëve të tij, që kishin në dorë prokurorë e gjyqtarë. Berisha, nëse i provohen zullumet, duhet të shkojë në qeli si hajdut, si minues i demokracisë, si vrasës shtetëror, si shantazhues i drejtësisë, si i lidhur me njerëzit e krimit. Ashtu sikurse e kanë përcaktuar dhe aleatët tanë, SHBA e Britania, që e shpallën familjarisht ‘non grata’.
Ëndrrat me “Mandelë’, “Gandizëm” dhe “Navalny” të Berishës duhet të zhbëhen, duke ia prerë shpresën për të mashtruar qoftë dhe 30 vetët që mbledh para banesës së tij për mitingje, se ai është një i burgosur politik. Këtë dëshirë ka, për këtë po punon Berisha, për këtë po përpiqet të shkojë në qeli për thyerje vendimi gjykate, përpara se të shkojë për vrasjet në “Gërdec” apo mbi të gjitha për vrasjen e Aleks Nikës dhe 3 demonstruesve të tjerë të opozitës më 21 janar 2011.
Ndërkohë që ka deklaruar dhe vetë, se kishte 5 snajperë në tarracën e kryeministrisë, gati dhe të udhëruar për të vrarë Edi Ramën apo dhe 3 mijë demonstrues nëse ata kalonin gardhin e kryeministrisë. Gardh që sot nuk ekziston më si perimetër sigurie e godinës. Të presim!