Nga Jakin Marena

Ndodhi ajo që Sali Berisha për 33 vite me radhë i ishte shmangur, duke lënë pasoja katastrofale në të gjithë vendin. Mëngjesin e kësaj të marte u paraqit para prokurorëve të SPAK.

U nis vetë, me këmbët e veta, pas një ‘instruktimi’ nga ana e forcave të sigurisë, zbriti nga pallati i tij në rrugën “Mustafa Matohiti” ku ishte mbyllur nën arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023, hipi në makinën luksoze dhe udhëtoi drejt Prokurorisë së Posaçme.

Në rrugën e burgut e prisnin Flamur Noka me disa dhjetëra mbështetës, të cilët e përcollën me brohorima, me thirrjen e kahershme “O Berisha, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, pavarësisht se nuk kishte njerëz që të përfaqësonin tamam Shqipërinë, për të përngjarë sëpaku dhe këtë thirrje që shqiptarët kanë 33 vite që e dëgjonin. Madje sot janë bërë 33 vjeçarë ata që kanë lindur dhe klithur për herë të parë, duke e bashkuar zërin më thirrjet e Berishës për rrëzimin e komunizmit, futjen e Shqipërinë në Evropë. Por që nuk ishin aty, janë larguar me kohë e vakt.

As komunizmi nuk u rrëzua pasi i vetmi komunist në Shqipëri është ai, i papërsëritshmi Sali Berisha. Ndërsa në Evropë, koha është ngadalësuar, që në atë moment të keq për zgjedhjet në Shqipëri, ato të 26 majit 1996, ku teksa BE ishte përgatitur për të na pranuar në gjirin se saj para Kroacisë, Berishës i ishte mbushur mendja se pa të Shqipëria s’bënte e se duhej të siguroheshin votat me të gjitha mënyrat për një mandat të dytë presidencial. Me një fjalë i vodhi dhe grabiti votat, duke e ndalur ‘orën’ për Shqipërinë në BE, por dhe duke e zhytur vendin në kaos.

Erdhi tragjedia e vitit 1997, me shembjen e shtetit për 3 ditë, hapjen e depove të armëve dhe kalimin e miliona prej tyre, bashkë me municionet në duart e popullatës, që pasi sollën afër 4 mijë viktima për tre muaj, vazhdojnë të ‘mbjellin vdekjen’ dhe sot e kësaj dite. Sa herë që një shqiptar duket sikur sheh shtrembër një shqiptar tjetër, kërcet pushka.

Edhe pse u rrëzua nga pushteti, Berisha nuk u ndal me kaq, por tentoi dhe një grusht shteti më 14 shtator 1998, duke pushtuar godinën e kryeministrisë dhe të RTSH. Vetëm një telefonatë nga përtej detit e ndali, u tërhoq sëbashku me tanket e rrëmbyera të ushtrisë në selinë e vjetër të PD.

Megjithatë në derën e prokurorisë nuk shkeli asnjëherë për të dëshmuar, qoftë dhe me statusin e personit që ka dijeni. Anipse iu hoq imuniteti i deputetit, anipse mbi kurriz iu ngarkua një ndër akuzat më të rënda që mund t’i adresohen një politikani apo njeriu: Krime kundër njerëzimit e tentativë për grusht shteti. Berisha nuk preferoi të shkonte në prokurori, ndërsa kjo e fundit nga frika ose ishte e blerë, apo të dyja bashkë, s’guxoi ta thërriste apo ‘larg qoftë’ ta merrte me forcë.

Kjo e trimëroi dhe i dha shpresat për të ardhur në pushtet. Të cilin realisht e mori që në vitin 2002 sa ishte në opozitë, në atë marrëveshje për Presidentin, që nuk qëndroi vetëm në suazën e Presidencës, por mori dhe plot 50 përqind të përbërjes së të gjitha institucioneve, me përjashtim të sistemit të drejtësisë që e kishte të gjithin për vete. Sa nga frika aq dhe nga mirënjohja ndaj tij e ‘juristëve të Plepave”. I bëri me lekë, shtëpi e me dashnore që as në ëndrrën më të bukur si kishin parë gjithë këto të mira.

“Nusërimi’ për herë të dytë kishte tjetër ‘melodi’, filloi të pasurohej me të shpejtë përmes involvimit të gjithë familjes së tij në abuzimin me paratë e shtetit, por bëri me lëkë dhe miqtë, bashkëpunëtorët dhe tarafin e tij, duke depërtuar në të gjitha indet e shtetit shqiptar. Në atë pjesë ku kishte lekë, por dhe duke u kujdesur për drejtësinë për të mbajtur nën kontroll atë që ishte ekzistuese, dhe duke futur ‘gjak të ri’ përmes dyerve të fakultetit të drejtësisë dhe magjistraturës që komandoheshin nga vajza e tij. Kalonin në ‘filtrin’ e saj për t’u përdorur në ditën më të keqe. Për fat të keq po ndodh dhe sot.

Në 8 vite qeverisje Berisha realizoi bëma që nuk kishin ndodhur në 100 e ca vite shtet shqiptar. Punishtja e demontimit të municioneve por dhe paketimit të një pjese të tyre për t’u dërguar në Afganistan, dhe për të cilën akuzohet djali Shkelzen Berisha shpërtheu në mars 2008, për të shkaktuar 26 viktima të pafajshme dhe plagosur mbi 300 të tjerë. Pa llogaritur dëmet materiale. Me një fjalë ‘poqi të gjallë’ një fshat të tërë, vetëm për të fituar para përmes abuzimit me pushtetin.

Një korrupsion i përgjakur i cili vinte pas aferës së rëndë të Rrugës së Kombit, ku u zhdukën pa nam e nishan 230 milionë euro, shifër e nxjerrë me një përllogaritje mekanike, pa hyrë në detaje se mund të ishin dyfish , nga ana e KLSH, që drejtohej nga një ish deputet i djathtë.

Rruga që nuk u bë kurrë autostradë reale, për vetëm 66 kilometra ‘gëlltiti’ mbi 1.5 miliardë euro, nga 490 milionë euro që ishte studimi fillestar. Eshtë dosje e mbyllur me procedurë, me raporte mjekësore e dhimbje barku, ‘pirueta’ që bënte Lulzim Basha, “biri” politik i Sali Berishës. Që as në banjë nuk dilte pa lejen e Sali Berishës.

Teksa qeverisja ishte lëshuar “pa duar” dhe të gjithë po përpiqeshin të merrnin çfarë mund të merrnin, ndodhi tragjedia e 21 janarit 2011, teksa protestës së opozitës së atëhershme, Berisha iu përgjigj me plumbat e Gardës në “mish’, duke vrarë 4 demonstrues në turmën që po shpërndahej dhe që e ishin larg godinës së kryeministrinë. Ishte një goditje me qitje të largët nga Berisha, për të dërguar mesazhin se nuk do ta lëshonte qeverisjen, ndaj as mos e merrni mundimin të demonstroni para kryeministrisë, pasi plumbi i pret.

Këtë e ka shpjeguar dhe në intervistat e mëvonshme, që pasi mendoi se i kishte zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë, armët me të cilat u kryen vrasjet e të gjitha provat e këtij krimi shtetëror, teksa ka deklaruar me zë dhe figurë se ishte gati të vriste 300 apo dhe 3 mijë protestues nëse ata kalonin gardhin e sigurisë së godinës kryeministrore. Madje kërcënoi dhe Ramën, se nëse do të tentonte të afrohej te godina e kryeministrisë do ta qëllonte nga tarraca e saj, pasi kishte instaluar 5 snajperë me urdhërin për të qëlluar. Deklarata këto që janë mbajtur ‘shënim’ me sa duket.

Nuk e kishte llogaritur se çështja e ’21 janarit’ nuk do të mbetej përherë në dorën e prokurorisë së Tiranës, e cila e ka mbajtur plot 13 vite me radhë, pa ia hapur kapakët. Thjeshtë duke dënuar disa urdhër-zbatues, pa prekur zinxhirin e komandimit, apo majën e këtij zinxhiri, vetë kryeministrin e asaj kohe Sali Berishën.

S’kishte llogaritur Berisha as vendimin e gjykatës së Strasburgut, që në mënyrë të detajuar e ka zbërthyer këtë dosje, duke kërkuar nga drejtësia shqiptare që të dënojë zhinxhirin komandues, urdhërdhënësit për vrasjen e 4 demonstruesve të 21 janarit 2011. Madje nuk kishte llogaritur as pamjet e kamerave të sigurisë që mund të jenë kopjuar e mbajtur në ‘arkivën’ e ndonjë zyrtari të atëhershëm, rikuperimin e tyre nga ana e teknologjisë së përparuar të aleatëve tanë, apo ndonjë ‘pendesë’ të Bashës dhe pjesës tjetër të zinxhirit të komandimit dhe rrëfim para drejtësisë, duke i lënë atij që i takon përgjegjësinë e këtij krimi shtetëror.

Nuk besojmë se SPAK do ta refuzojë ta marrë këtë dosje nga prokuroria e Tiranës për ta hetuar me themel, dhe me të gjitha provat. Pasi për luftën ndaj korrupsionit dhe krimeve të rënda është ngritur ky institucion, dhe krim të të rëndë se vrasja shtetërore e 4 demonstruesve të opozitës nga Garda e Republikës nuk besojmë se ka. Drejtësia do t’i japë hakun siç i takon Berishës.

Do ta përballë dhe me akuzën për aferën mbi 500 milionë eruroshe të CEZ-DIA, përpos asaj që është nën shqyrtim, afera e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani” në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, dhe ai nën arrest shtëpiak për pastrim parash. Por janë dhe akuza të tjera në ngarkim të Berishës, të cilat po shqyrtohen hap pas hapi sipas gjasave.

Ndaj me gjithë këto akuza në kurriz, Berisha po përcillej këtë të martë për në SPAK ku kishte seancën e pyetjeve, nga Muli e dhjetëra mbështetës, sikur po përcillej përfundimisht për në qeli. Ndoshta janë të vetëdijshëm që në mos sot, nesër kur të fillojë hetimi i ‘stokut’ të dosjeve, mund të mos arrijë të dalë nga SPAK, e të kalojë nga dera pas për t’u mbyllur në qeli për një periudhë të gjatë kohe. Ka dosje të rënda në ngarkim të cilat po hetohen intensivisht, duke ndjekur paranë.

Situata e rëndë u vu re dhe pasi doli nga SPAK ku iu nënshtrua seancës së pyetjeve të prokurorëve të posaçëm, teksa Berisha si gjithnjë filloi të deklarohej para gazetarëve sikur ishin prokurorët ata që ishin marrë në pyetje nga ana e tij. Duke futur ‘shiritin’ e fjalimeve të përnatshme në ballkonin e shtëpisë së tij, me McGonigal dhe akuza të tjera ndaj Ramës, pa përmendur asnjë fjalë për akuzën për të cilën kishte shkuar në SPAK.

U desh ndërhyrja e gazetarëve që t’ia ndërprisnin fjalimin e gjatë, ndërkohë që në përgjigjiet e shkurtëra që dha për “Partizanin” u pa se situata nuk kishte shkuar aq mirë për të në seancën e pyetjeve. Nuk foli as për provat e reja, vetëm zbardhi faktin se ishte hapur çështja e gjeneral Qiriazit, i cili s’kishte pranuar të firmoste këtë aferë të “Partizanit” në favor të dhëndrit, pavarësisht presioneve të bëra nga tërë zinxhiri komandues i qeverisjes së Berishës asokohe.

Me një fjalë nuk u mor vesh nëse ishin prokurorët e SPAK kishin marrë në pyetje Berishën, apo Berisha kishte marrë në pyetje prokurorët e SPAK. Berisha dukej i çoroditur, dhe shumëkush këtë ‘faj’ ia vinte hijes së rëndë të SPAK por dhe burgut 3013 që ishte afër, nëpër të cilin kanë ‘kaluar’ që nga Ramiz Alia, të cilin e zëvendësoi në postin e Presidentit e deri tek Fatos Nano, ish kreu i PS në opozitë që e mbylli vetë Berisha në qeli. Pikërisht përmes avokatit të tij që ka sot në krah, asokohe prokuror. Ecuria e procesit pritet të shihet në vijim, teksa do të ballafaqohen deklaratat e Berishës para prokurorëve me provat dhe faktet që ata kanë për këtë çështje, e cila shihet si një korrupsion i pastër. Ndaj akuzohet për korrupsion pasiv.

Por ajo që panë shqiptarët, e kishin pritur me padurim këtë ditë, ishte se Sali Berisha më në fund pas 33 vitesh paraqitet për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për akuzën që ka në kurriz, atë të korrupsionit pasiv për “Partizanin”. Shqiptarët që kanë pritshmëri të madhe nga SPAK, më në fund panë një herë të parë: prokurorët thirrën Berishën dhe ai shkoi si “çeço” para drejtësinë. Pikërisht para asaj drejtësia që për 33 vite me radhë e kishte shkatërruar me koshiencë të plotë për të mbrojtur veten, familjen dhe ortakët e tij.

Shqiptarët kanë pritur me padurim atë momentin e dialogut ‘magjik’ teksa prokurori e pyet Berishën: Emri? Salih. Emri i babait? Ram. Emri i nënës? Shiqere. Lindur, banues etj. Ky është një fillim i mbarë për drejtësinë e re, është një zhvillim që i mbush me shpresë shqiptarët se nesër do të kalohet fare lehtë në fazën e dytë, të tretë e deri tek vendimi përfundimtar.

“Akulli” u thye, prokurorët, gjyqtarët por dhe shqiptarët janë më të çliruar, më të sigurtë e më besimplotë se në këtë vend ka shpresë se do bëhet drejtësi, dhe se pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë ka marrë fund. Kuptohet dhe Berisha ndjehet i ‘omocionuar’ ndaj fliste përçart para mediave. Madje dhe i kërcënonte gazetarët që ia prishnin këtë ‘magji’ me pyetjet e tyre konkrete.

Por në fund të herës, i vetmi i dëshpëruar ishte po vetë Berisha, ndonëse shfaqet i ‘emocionuar’ para të vetëve. Ai pa me sytë e tij se si prokurorët e gjyqtarët, sado i kishte akuzuar e kërcënuar, s’kishin frikë më prej tij. Madje duke parë mungesën e orientimit, thirrjen në ndihmë të avokatit për ta ftilluar, mendojmë se e kanë zbërthyer dhe ‘shtrydhur’ mirë ata prokurorët e SPAK.

Ndërkohë që Berisha këtë të martë sapo doli nga SPAK dhe në afërsi të burgut 313 pa njëherësh se askush nuk e mbështet në ditën më të keqe të tij, përballë drejtësisë, As demokratët madje, jo më qytetarët, këta të fundit nuk dolën as për kuriozitet nga kafet aty rrotull për të parë. Dhe kjo nuk është pak, të presim zhvillimet e mëtejshme.