Nga Mero Baze/
Mbyllja në shtëpi e Sali Berishës, i përngjan tanimë një eksperimenti social, që tregon se si funksionon partia pa atë.
Zakonisht, kur një udhëheqës i fortë largohet, është e natyrshme që lë pas një boshllëk, i cili mbushet ose nga personalitete të forta, të bashkuara, ose nga një i vetëm i tillë, por që është lider i pranuar.
Mbyllja e Berishës në shtëpi dhe sidomos shfaqja e tij në ballkon, si “babi i Argitës në majë të Thanës”, ka prodhuar një situatë tragjikomike për partinë e tij.
E braktisur nga çdo figurë politike opozitare, madje dhe nga ata që dukeshin kot, dhe çdo opozitar normal, ai mbledh rreth 30 vetë tek rrugica e pallatit, të cilëve çdo darkë del u flet Argita.
Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, që del ajo, se siç e kemi thënë, ajo është grua e “martirizuar”, pasi korrupsioni i ka marrë brenda dhe burrin, dhe babain, madje mund t’i marrë dhe vëllain.
Problemi që ka është se ajo del jashtë, i mblidhen tre katër gra të çmendura të rrugicës dhe shajnë bashkë Lul Bravën.
Gjuha e saj, varfëria e leksikut të saj, shëmtia e fjalëve të kopjuara keq nga babai i saj, mungesa e një sqime njerëzore kur flet, edhe sikur të ishte yll hollivudi, prapë do bënte një figurë të shëmtuar.
Pala tjetër, ajo e burrave që i ka zënë ky hall, e kanë të detyrueshme të mblidhen me Mulin në një dhomë tjetër, në selinë e SHQUP. Ata imitojnë mbledhjet e Kryesisë së Berishës, flasin për revolucion deri në përmbysje të diktaturës, madje Flamuri guxon të hedhë dhe teza politike të tipit “ne jemi konservatorë…”, që shumica e atyre që janë tek “Rrugica e Salës”, u kujton konservat që u duhen për të luftuar.
Pak a shumë vakia që ka gjetur partinë e Berishës, i ngjan një ceremonie funerale “konservatore”, siç thotë Flamuri, ku gratë mblidhen tek Argita, burrat tek Flamuri.
Mbyllja brenda e Doktorti sigurisht që ka arsye madhore dhe fakte juridike që do ta lënë atë gjatë brenda shtëpisë, por për të kuptuar përse i duhet partia atij njeriu, mjafton të shikoni se në dorë të kujt ka mbetur funerali i tij. Në dorë të Argitës dhe Flamurit!